Daily Mail: Pse shqiponjat e Xhakës dhe Shaqirit, mund të ndezin tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve?

Futboll

Daily Mail: Pse shqiponjat e Xhakës dhe Shaqirit, mund të ndezin tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve?

Nga: A.Zh Më: 25 qershor 2018 Në ora: 09:02
Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, duke festuar me shqiponjë pas golave ndaj Serbisë

Flamuri kombëtar i Shqipërisë ishte në qendër të fitores 2-1 të Zvicrës ndaj Serbisë të premten, pasi dy lojtarë bënë gjestin nacionalist shqiptar me dorë.

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri festuan golat e tyre duke treguar trashëgiminë e tyre etnike shqiptare.

Të dy futbollistët kanë bërë shqiponjën, një simbol ky që identifikon flamurin e Shqipërisë.

Kështu e përshkruan britanikja Daily Mail, festën e djemve shqiptarë për fitoren e Zvicrës, e cila shokoi Serbinë në Rusi, përcjell Bota sot.

Image
Granit Xhaka feston pasi ka shënuar golin e parë të skuadrës së tij gjatë ndeshjes së grupit E midis Zvicrës dhe Serbisë

"Mendoj për këtë, nuk dua të flas", tha Shaqiri, i cili gjithashtu hoqi fanellën e tij pas shënimit të . "Në futboll, ti gjithmonë ke emocione. Ju mund të shihni se çfarë kam bërë, dhe kjo është vetëm emocion, dhe unë jam i lumtur që kam shënuar. E bëra, dhe ne nuk duhet të flasim për këtë ".

Mirëpo, sipas Daily Mail, gjesti i djemve shqiptarë, mund të ndezë tensionet midis nacionalistëve serbë dhe shqiptarëve. Shaqiri ka lindur në Kosovë, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe marrëdhëniet midis dy vendeve mbeten të tensionuara.

Image
Xherdan Shaqiri feston pasi ka shënuar golin e dytë të Zvicrës gjatë ndeshjes së grupit E midis Zvicrës dhe Serbisë

Prindërit e Xhakës, shkruan më tej Daily Mail, janë me origjinë nga Kosova. Vëllai i tij luan për ekipin kombëtar të Shqipërisë.

Vitet e luftës në Ballkan dërguan shumë familje në vendet e Evropës Perëndimore, duke përfshirë Zvicrën. Zvicra ka dhjetëra shqiptarë etnikë në programin e tyre kombëtar të futbollit.

Lojtarët e Serbisë nuk reaguan ndaj gjesteve me shqiponjë në stadiumin Kaliningrad.

Image
Shaqiri nderoi vendin e lindjes duke mbathur këpucë me flamurin e Kosovës në një këmbë dhe flamurin zviceran në anën tjetër

"Nuk kam asnjë koment", tha trajneri i Serbisë, Mladen Krstajiç. "Unë nuk merrem me këto gjëra. Unë jam një njeri sportiv, dhe kjo është ajo që unë do t'i përmbahem”.

Fillimisht ishte Xhaka, ai që barazoi rezultatin 1-1 në minutën e 52 me një gjuajtje të fuqishme. Shaqiri e shënoi tjetrin në minutën e fundit, duke lënë të shtangur mbrojtjen e Serbisë.

Festimet e tyre ishin emocionale, mirëpo sipas mediumit britanik, ato mund të errësonin fitoren e Zvicrës.

Image
Goli i Granit Xhakës

"Ju kurrë nuk duhet të përzieni politikën dhe futbollin. Duhet të tregoni gjithmonë respekt", tha trajneri i Zvicrës Vladimir Petkoviç. "Është një atmosferë e mrekullueshme dhe një përvojë pozitive dhe kjo është ajo që duhet të ketë futbolli".

Aleksandar Mitrovic shënoi për Serbinë me kokë në minutën e pestë.

Fitorja e vë Zvicrën në vendin e dytë në Grupin E me katër pikë, njëjtë si Brazili.

Zvicra do të vazhdojë tutje në fazën e të 16-tës nëse ajo mposhtë Kosta Rikën të mërkurën në Nizhny Novgorod. Serbia do të përballet me Brazilin në Moskë në të njëjtën kohë./BS

Image
Granit Xhaka me shokun e skuadrës Xherdan Shaqiri pasi ka shënuar golin gjatë ndeshjes së grupit E midis Zvicrës dhe Serbisë në Kupën Botërore të futbollit 2018 në stadiumin Kaliningrad në Kaliningrad, Rusi, e premte, 22 qershor 2018. Foto / Victor Caivano)
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat