Drita para sfidës së madhe në Champions League

Futboll

Drita para sfidës së madhe në Champions League

Nga: Kemajl Goca Më: 25 qershor 2018 Në ora: 15:13
Ardian Limani

Kampioni i ri i Kosovës, Drita nga Gjilani, është para sfidës së madhe në Champions League, kundër kampionit të Andorrës, Santa Coloma. Skuadra nga Gjilani është e përgatitur në çdo aspekt dhe me optimizëm e presin sfidën e nëserme (17.00), që luhet në terren neutral përkatësisht në stadiumin “Victoria” në Gjibraltar.

Gjyqtarët janë irlandezët Paul Mclaughlin, me ndihmësit e tij Darragh Keegan dhe Darren Carey.  Sfida mes Santa Coloma dhe Dritës zhvillohet në orën 17.00 dhe La Fiorita (San Marino) sfidohet nga Lincoln Red Imps (Gjibraltari) (20.00). Kapiteni i Dritës,  Ardian Limani, tha se atmosfera është shumë e mirë dhe beson se do të ia dalin në ballafaqim me ekipin Santa Coloma. “Mendoj që kemi zhvilluar një fazë të mirë të përgatitjes, për të qenë sa më të gatshëm që t'i qasemi ndeshjes sa më mirë! Jemi shumë të motivuar për të shkruar histori!”, tha Limani për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Sa keni njohuri për ekipin rival dhe ku është rreziku? “Kemi marrë disa informacione për ta, video dhe info të përgjithshme! Nuk ka diskutim që ata janë ekip e mirë, por jo edhe të pakalueshëm! Mendoj që rreziku është përvoja e tyre në këto faza kualifikuese!”, përgjigjet futbollisti. Për herë të parë në histori Drita do të garojë në garat parakualikuese në Champions League dhe me pretendime që të sigurojë biletën për më tutje. Santa Coloma është një ekip me shumë të panjohura.

Megjithatë, Drita nuk i frikësohet në asnjë formë por do të orvatet me lojë të mirë të jetë sa më e fuqishme. Bekim Isufi, kryetrajner i Dritës, do të aplikojë lojë të fortë ndaj rivalit. A është Drita e kompletuar dhe ku besoni se jeni më të mirë se rivali?

“Jemi penalizuar me dy transferët e reja, Haxhimusa e Bakaj, por kemi fond te mjaftueshëm kualitativ, me të cilët do t'i kundërvihemi atyre! Besoj që shpejtësia në fazën e sulmit dhe përvoja e disa futbollistëve tanë na ndihmon shumë! Kemi shume kualitet!”, tha Limani. Qendërmbrojtësi tha se nuk janë në presion të sfidës, por në anën tjetër sipas tij, janë adaptuar edhe me atmosferën në Gjibraltar. “Aspak nuk jemi në presion, përkundrazi me shumë vetëbesim dhe motivim maksimal!

Klimës iu kemi përshtatur mirë, temperaturat nuk janë edhe shumë të larta, por na ka ndihmuar ardhja disa ditë para ndeshjes. Jemi adaptuar shumë mirë!”, thotë Limani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat