Sigurimi i ujit të pijes, prioritet kryesor për komunën e Gjakovës

Gjakova

Sigurimi i ujit të pijes, prioritet kryesor për komunën e Gjakovës

Më: 31 gusht 2016 Në ora: 16:34
Mimoza Kusari dhe Alan Brown

Kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila dhe Përfaqësuesi i Asociacionit të Përbashkët të pa-inkorporuar "Dorsch International Consultants GmbH" dhe "Community Development Initiatives – CDI z. Alan Brown sot kanë nënshkruar Marrëveshjen e Mirëkuptimit për “Programin Mbështetës për Furnizim me Ujë të Pijshëm dhe Kanalizim në Zonat Rurale”, projekt ky që përfshin ndërtimin dhe rehabilitimin e rrjeteve të ujësjellësit për 35 fshatra në komunën e Gjakovës. Ky projekt financohet në shumicë nga qeveria zvicerane dhe një pjesë nga qeveria e Kosovës.

Ky projekt në tërësi ka kushtuar 1 milion e 715 mijë e 264 euro, prej të cilave, Konzorciumi Dorch-CDI ka participuar me 1 milion e 268 mijë e 214 euro, ndërsa komuna e Gjakovës me 447 mijë e 50 euro.

Projekti në fjalë përfshinë 35 fshatra në katër rajone të komunës së Gjakovës, 24 prej të cilëve vetëm në rajonin e Rekës së Keqe dhe Lugut të Carragojës, rajon i cili tradicionalisht ka vuajtur nga mungesa e ujit të pijes.

Krahas investimit të përbashkët me qeverinë zvicerane dhe Konzorciumin Dorch/CDI për rrjetin shpërndarës të 24 fshatrave në këtë rajon, komuna e Gjakovës ka siguruar edhe një fond shtesë prej 1 milion e 573 mijë e 400 euro, për ndërtimin e ujësjellësit, konkretisht furnizimit kryesor për sigurimin e ujit të pijes për këtë rajon.

Pra vlera totale e investimeve ne rrjetin e furnizimit dhe të shpërndarjes për 24 fshatrat është 2,647,867 €. Ky është projekti më i madh që komuna e Gjakovës e ka nisur për zgjidhjen e problemit të ujit të pijes nëpër zonat rurale, por nuk është projekti i vetëm i këtij lloji, pasi komuna tashmë ka përfunduar disa projekte tjera të kësaj natyre dhe disa të tjerë që ende janë në proces apo në përfundim e sipër.

Në vazhdën e punëve konkrete për zgjidhjen e problemit të ujit të pijes, komuna e Gjakovës ka investuar edhe në projekte tjera, qoftë në bashkëfinancim me CDI-në apo Kompaninë “Radoniqi”, qoftë në tërësi nga fondi vetjak.

Në kuadër të projektit të përbashkët me Konzorciumin Dorch/CDI është investuar në ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatrat e rajonit të Dushkajës, konkretisht në fshatrat Ratkoc, Zhabel, Gërgoc, Bardhaniq, Kralan dhe Jabllanicë. Për këtë projekt, Konzorciumi Dorch/CDI ka ndarë 288 mijë e 614 euro, ndërsa komuna e Gjakovës ka participuar me 115 mijë e 430 euro, për projektin që në total ka kushtuar 404 mijë e 44 euro.

Komuna e Gjakovës në bashkëfinancim me Konzorciumin Dorch/CDI, ka investuar edhe në ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit edhe në katër fshatrat e rajonit të Rekës së Mirë, konkretisht në fshatrat Dujakë, Firajë, Hereq dhe Planqor. Ky projekt në tërësi ka kushtuar 302 mijë e 814 euro, prej tyre 238 mijë e 814 euro janë siguruar nga Dorch/CDI-ja dhe 64 mijë euro nga komuna.

Në bashkëpunim me kompaninë “Radoniqi”,komuna ka investuar edhe në furnizimin me ujë të pijes për komunitetin e fshatrave Skivjan, Osek Hylë, Novosellë e Epërme. Bitesh dhe Rezine. Për realizimin e këtij projekti, Kompania “Radoniqi” ka ndarë Shumen prej 49 mijë e 103 euro, ndërsa komuna e Gjakovës ka participuar me 32 mijë e 735 euro.

Bashkë me Kompaninë “Radoniqi”, komuna e Gjakovës ka investuar edhe në rehabilitimin e e ujësjellësit në fshatin Gërqinë në një projekt që në tërësi ka kushtuar 155 mijë e 741 euro. Prej kësaj shume, “Radoniqi” ka siguruar 124 mijë e 59 euro ndërsa komuna ka participuar me 31 mijë e 148 euro.

Për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes, komuna e Gjakovës ka participuar edhe në projektin e përbashkët me “Radoniqin” dhe qeverinë e Kosovës, për ndërtimin e fabrikës së re për prodhimin e ujit. Në këtë projekt, komuna e Gjakovës ka participuar me 300 mijë euro.

Marrë në përgjithësi, për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijes, si një e drejtë elementare e secilit qytetar, gjatë 2 viteve të fundit janë investuar apo janë në proces të investimit mbi 3.5 milion euro në shpërndarjen e rrjetit dhe rreth 6 milion euro në proces, për ndërtimin e fabrikës së re të ujit të pijes, dhe kjo ka ndikuar që rreth 42 fshatra në komunës së Gjakovës të kenë qasje në ujë të pijes, ose të jenë në proces që një gjë e tillë të ndodhë muajve në vazhdim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat