Forumi i Gruas së AKR-së ka mbajtur Kuvendin zgjedhor

Gjakova

Forumi i Gruas së AKR-së ka mbajtur Kuvendin zgjedhor

Më: 4 shtator 2016 Në ora: 19:12
Kuvendi zgjedhor i Forumit të Gruas

Në vazhdën e zgjedhjeve dhe organizimit të brendshëm të partisë, Aleanca Kosova e Re sot në prani të një numri të madh të grave, ka mbajtur Kuvendin zgjedhor të Forumit të Gruas në degën e Gjakovës, ku morën pjesë edhe përfaqësuese të partisë nga qendra.

Kuvendi zgjedhor i Forumit të Gruas së AKR-së në degën e Gjakovës, fillimisht u hap me intonimin e Himnit, pastaj fjalën e mori Koordinatori i AKR-së në nivel qendror Vesel Makolli, i cili në emër të Presidentit z. Behgjet Pacolli, i përshëndeti  delegatet e këtij Kuvendi dhe ofroi përkrahje maksimale për Forumin e gruas së AKR-së në Gjakovë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, z.Makolli u përqendrua në rolin dhe rëndësinë që ka përfshirja e femrës në të gjitha sferat e veprimtarive arsimore, kulture, politike dhe ekonomike të vendit. “Me ardhjen tonë në pushtet do të kemi rritje ekonomike, e cila do të mundësojë krijimin e shumë vendeve të reja të punës, e që do të thotë mirëqenie dhe prosperitet shoqëror”, deklaroi Makolli dhe shtoi se pushteti aktual e ka sjellë vendin buzë greminës, duke instaluar korrupsionin dhe nepotizmin, faktorë të cilët e kanë shkatërruar ekonominë, shëndetësinë dhe arsimin në vend.

Nga procesi i rregullt zgjedhor, në prani të 155 delegateve me shumicë votash, Kryetare e Forumit të Gruas në Gjakovë u zgjodh Leonora Dautaga, e cila duke falënderuar delegatet për besimin e dhënë, u zotua se do të punojë në ngritjen e pozitës dhe mirëqenies së gruas gjakovare.

Këtë Kuvend zgjedhor me diskutimet e tyre e nderuan edhe përfaqësues të tjerë nga partia. Koordinatorja e forumit të gruas në AKR, Mirlindë Gashi, duke folur para të pranishmeve, vlerësoi lartë kontributin e gruas shqiptare dhe gjakovare, duke e cilësuar atë si shtyllë të familjes dhe shoqërisë në përgjithësi.

Ndërsa ish deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AKR-së, Sevdije Lama, deklaroi se gruaja shumë here ka dëshmuar që mundet dhe di t’i çoj përpara proceset dhe punët të cilat i janë besuar asaj.

Punimet e këtij Kuvendi kishin ardhur t’i përcjellin edhe koordinatori i degës së AKR-së në Gjakovë z.Luan Shllaku, drejtori i Qendrës Hulumtuese për Zhvillimin e Kosovës, Dr.Jahja Koka, anëtari i grupit të koordinimit në AKR, z.Ismet Mulaj dhe shumë mysafirë të tjerë.

Kuvendi i Forumit të Gruas së AKR-së në Gjakovë, zgjodhi edhe kryesinë e Forumit prej 14 anëtareve.

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat