Nderohet Anton Çetta në 21 vjetorin e vdekjes

Gjakova

Nderohet Anton Çetta në 21 vjetorin e vdekjes

Më: 3 nëntor 2016 Në ora: 17:35
Anton Çetta

Në Gjakovë është përkujtuar veprimtari i pajtimit të gjaqeve Anton Çetta.

Ceremonia përkujtimore është mbajtur në shkollën e fshatit Dol, e cila e mban emrin e veprimtarit të njohur.

Në ceremoni merrnin pjesë, profesorë, nxënës, zyrtarë të komunës së Gjakovës, banorë të fshatit Dol si dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme Emanuel Demaj.

Me këtë rast vepra e Anton Çettës është vlerësuar lart nga pjesëmarrësit por e kanë shprehur brengën e tyre se në Gjakovë që është edhe vendlindja e pajtuesit të gjaqeve mungon shtatorja e tij.

Zëvendësministri Demaj tha se sot në 21 vjetorin e vdekjes nuk patën mundësi që ta dërgojnë një buqetë me lule tek shtatorja e cila mungon.

Demaj: Anton Çetta  duhet të respektohet që nga vendlindja e tij

‘’Unë sot kur erdha në Gjakovë ... hulumtova dhe desha të dijë se a ka mundësi se në këtë qytet ku ka lindur Anton Çetta të kemi mundësi të çojmë një buqetë me lule. Nuk ishte  mundësia. Arsyeja pse nuk e di unë, se ndoshta po bëhem kritik, por një njeri siç është Anton Çetta dhe sot në këtë ditë që jemi mbledhur ta përkujtojmë, dhe nuk kemi mundësi që një buqetë me lule ta dërgojmë të shtatorja e tij mua nuk më duket në rregull, kështu që ta marrin si kritikë, sepse është edhe arsyeja se pse e anulova këtë fjalim. Por, shpresoj që gjërat e tilla dhe njerëzit meritor siç është Anton Çeta dhe shumë të tjerë, të ketë një konsideratë dhe një respekt shumë të madh, duke u nisur që nga vendlindja e tij”, tha Demaj.

Për profesorin Agim Bytyqi, Anton Çetta ishte njeriu që i mësoi se si të pajisen me dituri, kulturë dhe unitet.

Bytyqi: Çetta, na i mësoi virtytin e jo vesin

“Si në veprat letrare ashtu edhe në aktivitetin humanist dhe politik, historik e gjithë popullor Anton Çetta na mësoi ta ndajmë të mirën nga e keqja, të kultivojmë virtytin dhe jo vesin, të dallojmë të drejtën nga e padrejta, të zgjedhim  njerëzoren nga jonjerëzorja. Përgjithësisht që të pajisemi me dituri kulturë  që në të ardhmen  të angazhohemi për  prosperitet, unitet dhe të luftojmë për të drejtat tona për liri dhe humanizëm”,tha Bytyqi.

Fjalë të mëdha për Anton Çettën pati edhe drejtoresha e Arsimit në Gjakovë Diana Qarkaxhia.

Sipas saj Anton Çetta ishte ideatori i parë për të bërë bashkë shqiptarët kudo që janë.

Qarkaxhia: E kujtojmë kontributin e tij

“Plaku i cili gjithë qenien e tij ia kushtoi kombit shqiptar  sidomos në vitet e nëntëdhjeta kur për ne pritej shumë më tepër. Ishte ai i pari ideatori, i cili filloi rrugëtimin e tij fshat më fshat, rrugë më rrugë për t’i bërë bashkë të gjithë shqiptarët andej kudo që  ishin ata”, tha drejtoresha e Arsimit.

Anton Çetta gjatë gjithë jetës ishte në shërbim të kombit shqiptar tha  drejtori i shkollës së mesme “Anton Çetta”, Dukagjin Markaj.  Sipas tij ai ishte një  hero, i cili u angazhua vazhdimisht për unitet.

Markaj: Anton Çetta, hero i gjallë

“Sa herë mblidhemi për motivin e edukimit në shoqërinë tonë ndjejmë më shumë kënaqësi e lehtësi sepse na ngroh qëllimi për të cilin jemi mbledhur këtu. Me arsimimin dhe cilësimin edukim cilësor do të krijojmë ambient më të mirë për të jetuar jetë, për të dashur vendin dhe për të krijuar relacione me të mira në mes veti, prej të cilës pastaj vazhdojmë etapat e jetës tonë... Jo, rastësisht  betejat nisin me emra që na motivojnë për të pasur shtytjen e një suksesi. Anton Çetta, sot ka kujtimin e 21 vjetorit të ndarjes nga ne, i cili ishte në shërbimin e kombit shqiptar në dimensionet që krijojë tek ne në pamjen e një heroi të gjallë. Nuk di fjalë më të madhe sesa fjalën unitet, bashkim dhe pajtim për të cilën aq shumë u angazhua”, tha Markaj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat