Gjakovarët nënshkruajnë peticionin për të ndaluar hyrjen e pelegrinëve serb në qytet

Gjakova

Gjakovarët nënshkruajnë peticionin për të ndaluar hyrjen e pelegrinëve serb në qytet

Më: 26 janar 2017 Në ora: 16:14
Pamje nga peticioni

Një grup i qytetarëve të Gjakovës kanë marrë iniciativë për të parandaluar ardhjen e të ashtuquajturve pelegrinë serb, të cilët në dy data të ndryshme vizitojnë Kishën Ortodokse serbe që ndodhet në afërsi të qendrës së qytetit.

Shkëndije Hoda, Sanije Berisha, Haxher Arllati Bytyqi, Mimoza Shala, dhe të tjerë qytetarë nga Gjakova, kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve të cilat përmes një letër peticioni do t’i dërgohen institucioneve përkatëse vendore me kërkesë për parandalimin e vizitës së planifikuar për datën 5 maj 2017, të pelegrinëve serb, e cila datë është e afërt me 7 majin që për qytetin e Gjakovës përkujton “Betejën e Çabratit”, nga lufta e fundit.

Shkëndije Hoda, i tha KosovaPress-it se deri të dielën do të mbledhin 1200 nënshkrime të cilat plotësojnë letër peticionin që do t’i dërgohet Komisionit për të drejtat e njeriut, Komunës së Gjakovës dhe Policisë së Kosovës, nga të cilët kërkohet që të mos u mundësohet vizita pelegrinëve serb, në mesin e të cilëve ndodhen shumë persona që në luftën e fundit në Kosovë, ishin pjesë e masakrave dhe luftimeve në qytetin e Gjakovës.

Në udhëheqje të vizitorëve serb është ish-kryetari i Gjakovës në kohën e regjimit serb, Gjokica Stanojeviqit, i cili mbetët në kujtimet e secilit qytetarë të Gjakovës që e përjetoi rëndë luftën e fundit.

“Kërkesa jonë mbështet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, që tregon nenet që nxisin dhe parandalojnë konfliktet. Aty edhe mbështet kërkesa jonë që të mos lejohet ardhja e njerëzve që kryen krime ndaj popullatës së pafajshme”, thotë Hoda për KosovaPress. “A ju mjafton të ju flasim për krimet e rënda në familjen Vejsa, familjen Qerkezi, familjen Sharani, familjen Dana, familjet e terrorizuara e masakruara në rrugën e Çabratit, lagjen Qerim, Bllokun e ri, etj, etj. Të gjitha këto krime janë realiteti që kaluam e na bëjnë të zgjohemi e flemë për çdo ditë me sytë nga varrezat në Kodrën e Çabratit, fshatin Meje, Korenicë, etj.”, thuhet në fletë protestën e cila përcjell librin e nënshkrimeve të peticionit për parandalimin e ardhjes së personave që kryen krime në qytetin e Gjakovës.

“Ky reagim vjen nga mllefi i qytetarëve të Komunës së Gjakovës ndaj padrejtësive të cilët po na bëhen duke e arsyetuar ardhjen dhe lejimin e kriminelëve kriminelët serb që të shëtisin në qytetin që e bënë hi, kudo, edhe në zemër e shpirt. A duhet Kryesuesit e Kuvendit Komunal t’u lejojnë hyrjen këtyre njerëzve të fshehur nën petkun "pelegrin"...! A duhet Qeveria e këtij populli të lejoj provokimet e tilla pikërisht në këtë qytet:, janë pyetjet që përcjellin letër protestën e qytetarëve të Gjakovës.

Me fjalët ”Apelojmë, të ndaloni me patjetër hyrjen e tyre në qytetin e Gjakovës”, përfundon fletë protesta e grupit të qytetarëve të Gjakovës, e cila me nënshkrimet e plotësuara do t’i dërgohet edhe Qeverisë së Kosovës në fillim të javës së ardhshme.

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat