Hoti u flet bizneseve gjakovare për pakon fiskale 2.0 dhe efektet e saj

Gjakova

Hoti u flet bizneseve gjakovare për pakon fiskale 2.0 dhe efektet e saj

Më: 31 mars 2017 Në ora: 16:16
Pamje nga takimi

Ministri i Financave Avdullah Hoti së bashku me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, përfaqësues të Administratës Tatimore të Kosovës dhe përfaqësues të Doganës së Kosovës, kanë prezantuar para bizneseve gjakovare pakon fiskale 2.0 dhe efektet e saj.

Në Tryezën me bizneset e komunës së Gjakovës, të organizuar nga Oda Ekonomike të Kosovës, Hoti ka theksuar se qeveria e Kosovës është e përkushtuar në përmirësimin e mëtejmë të bazës rregullative dhe ligjore për të ofruar lehtësira në të bërit biznes.

“Në bashkëpunim me komunitetit e biznesit po krijojmë klimë të favorshme për biznese. Në vazhdim të këtyre politikave zhvillimore Ministria e Financave është në finalizim të Pakos së dytë fiskale e cila do të përmirësoj edhe më tutje klimën e të bërit biznes në Kosovë”, ka thënë Hoti.

Sipas ministrit Hoti, pako e re fiskale 2.0, është në funksion të zhvillimit të bizneseve dhe përmirësimit të kushteve të të bërit biznes, si dhe në funksion të krijimit të vendeve të reja të punës të cilat do të ndikojnë edhe në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, pret që efektet pozitive nga pako e dytë fiskale të jenë edhe më të mëdha sesa edhe pako e parë fiskale.

“Vitet 2016 dhe 2017 janë vite ku ka dominua partneriteti publiko- privat dhe të njëjtën kohë si rrjedhojë e një partneriteti të tillë jemi sot ata që kemi pakon fiskale numër 1 dhe jemi duke avancuar përmes këtij dialogu për ta kompletuar pakon fiskale numër 2 që të dyja këto janë objektiva tona që të krijohet një ambient më i favorshëm për të bërë biznes e në veçanti për të mbështetur sektorin privat”, ka thënë Gërxhaliu.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat