Bordi i Drejtorëve i Komunës së Gjakovës, të enjten ka mbajtur mbledhjen e radhës, të kryesuar nga kryetarja e komunës Mimoza Kusari-Lila, në të cilën ka miratuar kërkesën e Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik për participim me 20 për qind të vlerës totale të granteve nga organizata gjermane HELP, e cila edhe këtë vit do të ndajë grante për bizneset lokale të fokusuara në sektorin e artizanateve në zhdukje.
Komuna e Gjakovës për këtë projekt do të participojë me mjete në shumë prej 9,200 euro nga vlera e përgjithshme prej 46 mijë euro.
Nga Udhëheqësi i Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim, Armend Behluhi, është paraqitur edhe kërkesa për vazhdimin e pagesës së qirasë për personat me aftësi të kufizuara nga skema e ri-integrimit, e cila ka gjetur mbështetjen nga bordi i drejtorëve.
Bekim Ermeni, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka prezantuar dy kërkesa të cilat po ashtu kanë gjetur miratimin e Bordit të Drejtorëve.
Kërkesa e parë ka të bëjë me subvencionimin e sektorëve lavërtari, pemëtari dhe perimtari me 25 copë moto kultivatorë të dorës, ndërsa kërkesa e dytë ka të bëjë me mirëmbajtjen e kanalit të ujitjes në fshatin Stubëll.
Në fushën e kulturës, bordi i drejtorëve ka miratuar edhe dy kërkesa të paraqitura nga Meriton Ferizi, drejtor i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka prezantuar.
Është dhënë mbështetja për aktivitetin tradicional të revistës memorial “Nura, Bejtullahu, Domi”, ndërsa gjithashtu është miratuar kërkesa për subvencionimin e Qendrës Kombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Gjakova” për manifestimin letrar “Në rrugëtim me Yllka Domin”.
Bordi i drejtorëve ka dhënë miratimin edhe për kërkesat e Drejtorisë së Arsimit për subvencionimin e transportit të nxënësve me aftësi të kufizuara, si dhe dy kërkesat tjera që kanë të bëjnë me lejimin e ndërtimit të shkollave sipas projekteve.