Kurti në Gjakovë: Numri 10 është zgjedhja dhe zgjidhja e vërtetë - Bota Sot
Kurti në Gjakovë: Numri 10 është zgjedhja dhe zgjidhja e vërtetë

Gjakova

E diel, 17 dhjetor 2017

Kurti në Gjakovë: Numri 10 është zgjedhja dhe zgjidhja e vërtetë

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 18:14
Albin Kurti

Deputeti Albin Kurti ka thënë në Gjakovë se ndryshimi që e bëri Prishtina në vitin 2013, është i domosdoshëm që të bëhet në Gjakovë me 22 Tetor të këtij viti. Ai ka theksuar se kjo komunë ka dhënë shumë për ekonominë, historinë e kulturën e vendit, por ai tha se pas çlirimit për Gjakovën nuk pati as zhvillim e as drejtësi.

“Komuna është pasqyra ku shikohet qytetari. Te komuna qytetari gjen arkivën e banorëve dhe të punës, si dhe dëshirat e shndërruara në plane. Kryetari juaj i ardhshëm Driton Çaushi dhe asambleistët tonë të ardhshëm këtu në Gjakovë, do të jenë edhe qytetarë aktivë, edhe aktivistë qytetarë”, tha Kurti në këtë tubim.

“Ne angazhohemi jo për një komunë që punëson brenda vetes fitimtarët, por për një komunë që jashtë vetes hap mundësi për qytetarët. E mundësitë janë midis qytetarëve. Komuna i gjen ato dhe ribëhet prej tyre sepse komuna duhet të jetë e qytetarëve dhe qytetarët duhet të bëhen komunitet”, tha po ashtu deputeti Kurti gjatë këtij tubimi, duke theksuar se për VV-në nuk kryhet puna kur vjen në pushtet, por se pikërisht atëherë fillon.

Në fund, Kurti la porosi në Gjakovë se numri 10 është edhe zgjedhja e edhe zgjidhja e vërtetë, duke ftuar ata që me votën e tyre ta vendosin Driton Çaushin në krye të Gjakovës.

Arbërie Nagavci: Driton Çaushi  do të triumfojë kundër të keqes, hipokrizisë e regresit

Gjatë ditës së sotme, Lëvizja Vetëvendosje! po qëndron në qytetin e Gjakovës. Në tubimin zgjedhor në këtë komunë, qytetarëve iu është edhe drejtuar deputetja e këtij qyteti, Arbërie Nagavci.

Ajo përmendi faktin që sot VV është partia e parë në nivel vendi, e edhe në Gjakovë, kurse për këtë ajo tha se është rezultat i bashkimit të atyre që e duan ndryshimin.

“Data 11 Qershor në fakt nuk është vetëm fitorja jonë e madhe, ajo është preludi i simfonisë së fitores së 22 Tetorit, ditës kur qytetarët do të bëjnë revulucionin demokratik, ditës kur me votë do të përcaktojmë të ardhmen tonë. Me zgjedhjen e numrit 10 në fletëvotime do të japim një shancë të re për zhvillimin e komunës sonë, do të japim  votën me zemër,  për të qeverisur me mendje qytetin”, u shpreh Nagavci.

Tutje, ajo kishte fjalë të mëdha për kandidatin Driton Çaushi, për të cilin tha se është profesori i ndershëm e më plot dinjitet, i ri i guximshëm, dhe profesionist i shquar me plot energji  për të punuar për vendin e tij. Nagavci tha se Çaushi përfaqëson të drejtën, sinqeritetin e profesionalizmin, ndaj do të dalë fitues në betejën kundër të keqes, hipokrizisë e regresit.

Duke theksuar se qeverisjet e kaluara kanë keqpërdorur besimin e dhënë dhe kanë mashtuar në vazhdimësi, ajo shtoi se përkrah VV’së janë bërë bashkë gra e burra të ndershëm e profesionistë, vajza e djem të guximshëm e punëtorë, që angazhimin e bëjnë me zemër e shërbimin me mendje.

“Andaj ju ftoj të ia jepni besimin Lëvizjes Vetëvendosje! dhe ekipit tonë të prirë nga Driton Caushi! Bëhuni pjesë e fitores sonë të përbashkët, sepse Gjakova meriton notën dhjetë, sepse ne duhet të votojmë numrin dhjetë, sepse ne do ta bëjmë komunën tonë ashtu si e kishim e si duam”, ishte porosia e Nagavcit për bashkëqytetarët nga Gjakova në tubimin elektoral.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test