Çaushi: Gjakovës i duhet ndryshimi që nuk ndodhi në vitin 2013

Gjakova

Çaushi: Gjakovës i duhet ndryshimi që nuk ndodhi në vitin 2013

Më: 18 tetor 2017 Në ora: 20:29
Driton Çaushi

Kandidati për kryetar të Gjakovës, Driton Çaushi, ka thënë gjatë tubimit përmbyllës në këtë komunë, se në vitin 2013, gjakovarët përzunë qeverisjen e krimit, korrupsionit e haraçit. Por, tha se gëzimi i tyre mori fund shpejt sepse as qeverisja e re, nuk realizoi atë që premtoi e nuk solli ndryshimet që priteshin.

“Unë nuk e di nëse qeverisja joefektive e 4 vjetëve të fundit ishte mungesë vullneti, por  çka di me siguri të plotë është që u vërtetua se vetëm VETËVENDOSJE! mundet ta largojë njëherë e mirë krimin nga Gjakova dhe t’i sjellë asaj ndryshimin e vërtetë. Sepse e sollëm këtë ndryshim në Prishtinë, në kushte edhe më të rënda. Me pengesa shumë më të mëdha. Me sabotime nga poshtë e nga lartë. Dhe jo rastësisht sot kënaqshmëria e qytetarëve me qeverisjen tonë atje është 75%. Jo rastësisht Prishtinën po e fitojmë pa balotazh”, tha Çaushi në këtë tubim.

Ai falënderoi bashkëqytetarët për mbështetjen dhe zgjedhjen e tij si deputet, por tha se i hyri garës së kryetar, pasi që nga sondazhet ka kuptuar se vetëm VETËVENDOSJE! mund ta mposhtë AAK-në në Gjakovë, dhe se kandidimi i tij erdhi që të parandalohet kthimi i qeverisjes së AAK-së në krye të Gjakovës. Madje, ai tha se e do aq shumë Gjakovën, saqë në asnjë mënyrë nuk mund të lejojë që ajo të qeveriset nga Ardian Gjini. E, Gjinit ia kujtoi edhe ikjen nga debatet televizive, duke thënë se këtë po e bën nga mungesa e argumenteve.

“Ata e politizuan arsimin e s’lanë militantë pa e punësuar, kurse ne do të pajisim shkollat me laboratore, kënde të leximit, shujta falas për nxënës, bursa për studentë e mbështetje për nxënësit e talentuar. Ata flasin për qytetin kundër fshatit, kurse ne do t’i rrisim subvencionet për bujqit dhe do ta përmirësojmë cilësinë e arsimit, shëndetësisë dhe infrastrukturës, në fshat e në qytet”, ishin disa nga zotimet e Çaushit.

Në fund, Çaushi u zotua se pas 22 tetorit, në Gjakovë nuk do të ketë më nxënës të uritur e nuk do të ketë punësime partiake. Ai premtoi se ujku do të trajtohet si bujk e jo si militant partie. Kurse, tha se do të shërohemi në qendrat tona mjekësore e jo në ordinanca private.  Si dhe, u zotua se nuk do të ketë ndërtime pa leje e as shkelje të ligjit dhe se Gjakovës do t’i kthehet kultura e sporti, mirëqenia e barazia.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat