Alternativa, VV, LDK e AKR bashkë kundër Gjinit - Bota Sot
Alternativa, VV, LDK e AKR bashkë kundër Gjinit

Gjakova

E hënë, 11 dhjetor 2017

Alternativa, VV, LDK e AKR bashkë kundër Gjinit

Më: 15 nëntor 2017 Në ora: 13:30
Nënshkrimi i koalicionit

(E plotësuar) - Alternativa, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re sot kanë lidhur marrëveshje bashkëpunimi për balotazhin e 19 nëntorit në Gjakovë.

Me këtë rast, kryetarja aktuale njëherit edhe kandidate për kryetare të Gjakovës  në mandatin e ardhshëm, nga Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, tha se kanë përafruar qëndrimet dhe programet qeverisëse me subjektet e tjera në mënyrë që Gjakovës t’i sigurohet progresi dhe zhvillimi, duke pamundësuar rikthimin e keqqeverisjes.

Kusari: Ne ofrojmë rrugën e progresit dhe zhvillimit për Gjakovën

“Ne si forca politike progresive, konsiderojmë se kemi pasur përafrime të programit, të qëndrimeve tona, lidhur me fatin e komunës së Gjakovës dhe zgjedhjeve që janë tejet të rëndësishme për 4 vite e ardhshme.  Zgjedhjet e 19 nëntorit do të jenë zgjedhje të cilat do të ofrojnë dy rrugë: rrugën e progresit dhe zhvillimit për Gjakovën  apo rrugën e regresit apo kthimit prapa”, theksoi ajo.

Edhe kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Gjakovës, Driton Çaushi tu shpreh se 19 nëntori është më tepër se një ditë e zgjedhjeve, duke thënë se është një udhëkryq në mes të një të një qeverisjeje që sjellë zhvillim dhe një tjetre që më parë ka keq qeverisur me këtë komunë.

Madje ai tha se qytetarët e Gjakovës me votën e tyre nuk duhet të lejojnë rikthimin e keqqeverisjes.

Çaushi: Keqqeverisja nuk guxon të rikthehet në Komunën e Gjakovës

“E diela që po vjen nuk është një ditë e zakonshme e zgjedhjeve, është një udhëkryq në mes të një qeverisjeje potenciale me këtë bashkëpunim që sot e paraqesim para jush, dhe një mundësie apo rrezik që me çdo kusht duhet të parandalohet, pra të një rikthimi të një keqqeverisje të cilën kujtesa e të gjithë qytetarëve e ka shumë të qartë dhe e cila nuk guxon të rikthehet dhe nuk ka vend në Komunën e Gjakovës”, tha Çaushi. 

Ndërsa kryetari i degës së LDK-së në Gjakovë, Luan Gola  ftoi qytetarët e kësaj komune që të dalin dhe të votojnë kryetaren më të mirë

Gola: Qytetarët të përkrahin Lilën

“Ajo çfarë unë kërkojë nga qytetarët e Gjakovës, kërkoj që në mënyrë sa më masovike të dalin me datën 19-të, ta përkrahin kandidaten zonja Kusari-Lila”, tha Gola.

Ndryshe, në garë për këtë komunë në raundin e dytë të votimeve të së dielës janë: Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa dhe Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kusari Lila nënshkruan marrëveshje me Vetëvendosjen

Kandidatja për kryetare të komunës së Gjakovës ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kandidatin e Vetëvendosjes, Driton Çaushin.

Pas bërjes publike të këtij koalicioni në Gjakovë, kandidati i VV-së, Driton Çaushi tha se bashkimi me Mimozën do të jetë një qeverisje e duhur për një të ardhme të ndritur të qytetarëve të Gjakovës.

“ Me këtë bashkëpunim, në po ofrojmë një qeverisje të duhur. Kemi thënë në vazhdimësi se në Gjakovë mund të qeveriset më mirë, prandaj më këtë bashkëpunim besojmë se do të mund të qeveriset më mirë. VV është një garanci e një qeverisje të tillë, por mbi të gjitha është shumë e rëndësishme që në ditën e zgjedhjeve, qytetarët nga fshati e qyteti të mobilizohen të votojnë për një të ardhme me të ndritur. E përsërisë edhe një herë që asnjëherë të mos rrezikohet fati i qytetarëve tanë” ka thënë Çaushi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test