Haradinaj: Nuk do të ndalem - Bota Sot
Haradinaj: Nuk do të ndalem

Gjakova

E hënë, 28 maj 2018

Haradinaj: Nuk do të ndalem

Më: 4 janar 2018 Në ora: 12:23
Ramush Haradinaj, ka vizituar sot Komunën e Gjakovës

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se me marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, vendit ia ka shpëtuar qindra miliona euro në muajt e fundit.

Ai këto komente i bëri gjatë vizitës  në Gjakovë, ku së bashku me kreun e kësaj komune Ardian Gjini u takuan edhe me personalitete nga fusha e sportit, kulturës, biznesit dhe kategorive të lirisë.

Haradinaj tha se nuk e ka nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit për inat të askujt, madje ai edhe ka rrezikuar siç tha ai “duke shkelur në mina”, por këtë e ka bërë për t’i dalë hakut qytetarëve të Kosovës.

Haradinaj: Nuk do të ndalem

“Qe sa vjet afrohet një farë kontrate për investime në energji edhe ik, mbyllet, unë e di që kam shkel kapak në mina se ndonjë që ka importuar rrymë i ka ra pak profiti, por nuk mund tash për hatër të atij, 2 milionë njerëz e juve që jeni këtu me ua sjell rrymën tri herë ma shtrenjtë e ma ua rrit çmimin e me punuar punëtorët e huaj, mos me punuar Kosova. Nuk e kam bërë për inat të askujt, por nuk kam qare pa i dal haku këtij vendi. Kam hyrë me i kryer punët e këtij vendi, nuk do të ndalem”, tha ai.

Kryeministri Haradinaj u zotua se do t’i hapë rrugët për të gjitha bizneset përmes ndërtimit të zonës industriale në Gjakovë, për të cilën tha se posa të lokalizohet hapësira brenda 24 orëve do e sjell vendimin për ndërtimin e saj.

Haradinaj: Brenda 24 orëve do e sjellim vendimin për zonën industriale në Gjakovë

“Kemi biseduar për një zonë industriale unë i kam premtuar Adrianit që komuna le ta lokalizojë ku është ajo, pra le t’ia ngjet emrin, mbiemrin, datën e lindjes krejt ato të dhënat 24 orë e ka të kryer prej qeverisë së vendit. I kam thanë takim të jashtëzakonshëm të qeverisë do të thërras për të kryer. Kushdo që dëshiron të punojë në komunë, njerëzit e zot, ata që dinë, kanë ide, jam në gjendje me i qel dyert për ta, prej atyre po varet sot shumë punësimi, zhvillimi ekonomik, fuqia jonë ekonomike, sepse ajo fuqi dikton bazën tjetër“, tha ai.

Haradinaj gjatë këtij takimi tha se gjendja e kategorive të invalidëve, familjeve, dëshmorëve të luftës dhe viktimat e dhunë seksuale është stabilizuar.

Ai deklaroi se në vitin 2018 do të ndërtohet autostrada Gjakovë-Klinë, e cili është investim i huaj.

Haradinaj po ashtu tha se do të ofrojë mbështetje si Qeveri e Kosovës për projektet e kampusit universitar dhe stadiumin në qytetin e Gjakovës.

Haradinaj: Do i kryejmë projektet për stadium e kampusin universitar

“Kemi biseduar për punën që i takon komunës, komuna duhet me bo pjesën e parë për kampusin për universitetin, për stadiumin aq sa i takon, pjesën tjetër që është ose fizibilitet ose definim i projektit ose arsyeshmëri e projektit si nikoqir aty ku ndalet komuna vazhdojmë na kyçemi njëjtë për shtretërit  e lumenjve që kalojnë  nëpër Gjakovë sidomos për pjesë urbane ma shpejt, por duhet vazhduar krejt“, tha ai.

Sipas tij tani e tutje fajtor për mos kryerjen e punëve në Gjakovë do të jetë vetë ai dhe kryetari i komunës, Ardian Gjini.

Gjatë ditës së sotme kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është takuar edhe me asamblistët e komunës së Gjakovës. 

Haradinaj: Gjakova ka perspektivë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot Komunën e Gjakovës, i cili është pritur nga kryetari i kësaj komune Ardian Gjini, me të cilin diskutuan për shumë çështje, si arsimi, sporti, shëndetësia, biznesi.

Kreu i ekzekutivit tha se komuna e Gjakovës ka perspektivë, pasi kryetari i saj Ardian Gjini është njeri serioz dhe i vetëdijshëm për përgjegjësitë që ka.

Në këtë takim u bisedua edhe për procesin zhvillimor të Komunës dhe reformat ekonomike në nivel të vendit.

Nga ana e tij, kryetari Gjini e informoi kryeministrin Haradinaj për planet dhe nevojat e Komunës së Gjakovës.

Kryetari i Gjakovës e vlerësoi lart vizitën e parë të kryeministrit në Gjakovë në funksionin e tij institucional.

Kjo ishte vizita e parë nga ana e kryeministrit në komunën e Gjakovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test