Stukenbroku bashkoi shqiptarët në Gjermani

Gjermania

Stukenbroku bashkoi shqiptarët në Gjermani

Nga: Sylejman Salihu Më: 2 maj 2017 Në ora: 08:34
Prishtina

Në një fushë të gjelbër e të bukur sportive dhe në një mot të përshtatshëm, me 1 maj 2017 ekipi „Kastrioti“ i Stukenbrokut organizoi turnenë sportive të radhës, tashmë tradicionale, në nderim të dëshmorit ferizajas Zejnullah Zejna. Vetë Zejnullah Zejna, ky luftëtar i lirisë, para lufte ishte lojtar i kësaj skuadre futbollistike, kurse pas lufte ai bëhet pjesë e këtij organizimi, tashmë si dëshmor i lirisë së Kosovës, në një manifestim të madh, që tubon shqiptarë nga të gjitha anët e Gjermanisë.

Pas rënies së tij në fushë të nderit në fshatin Gorozhup më 1999, Stukenbroku nisi me turnenë sportive kushtuar këtij dëshmori pa u ndalur asnjëherë deri sot dhe duke e ngritur gjithnjë sasinë dhe cilësinë organizative dhe kështu duke e bërë sa më atraktive turnenë. Kjo sigurisht që kërkon një përkushtim dhe angazhim të madh nga organizatori, por shqiptarët e Stukenbrokut në vazhdimësi ia kanë arritur këtij qëllimi me shumë vullnet, duke i bashkuar kështu shqiptarët pothuajse nga të gjitha anët e Gjermanisë. Këtu vijnë jo vetëm ekipe sportive për të garuar dhe për të nderuar dëshmorin e lirisë Zejnullah Zejna, por edhe për të treguar kulturën, afinitetet dhe shkathtësitë e tyre sportive. Madhështinë këtij organizimi ia shtojnë shikuesit, që gëlojnë si zgjua bletësh pa dallim, që nga fëmijët, gratë dhe burrat e të gjitha moshave.

Image

Nën tingujt e muzikës popullore shqiptare, që nuk pushoi tërë ditën, kjo ditë në Stukenbrok u shndërrua në një festë të madhe dhe tepër madhështore për shqiptarët. Vallëzimi nga të rinjtë dhe të rejat, kënga dhe hareja sa vinin e shtoheshin. Pjesëmarrës në gara ishin edhe fëmijët, të cilët ia shtuan bukurinë dhe freskinë turnesë. Ekipet me emra të bukur simbolikë u rrethuan përtej vijave të bardha të fushave sportive nga dashamirës sportdashës dhe gëzuan e shijuan simpatinë dhe duartrokitjen e publikut zemërgjerë, që kishte ardhur për t‘ i mbështetur. Kështu shkathtësitë e tyre sportive i treguan rreth 40 ekipe me emra simbolikë si: „Drita“, „Kastrioti“, „Dardana“, „Stupcat“, „Bormashini“, „Minatori“, „Prishtina“, „Tafa Bau“, „Mehmeti Bau“, „Gala Bau“, „FC Peja“, „Plisat“, „Drenica“ e shumë të tjera për të ardhur deri në finale, e cila sa vinte e bëhej më interesante. U shënuan shumë gola, u dëgjuan shumë brohoritje dhe u dhanë shumë duartokitje.

Image

Por pati edhe të atillë, që u emocionuan shumë teksa panë gjithë ata njerëz të tubuar këtu. Kështu Ahmet Malokut, pjesëmarrës i luftës në Koshare, i cili kishte ardhur mysafir te djali i tij, iu mbushën sytë me lotë, teksa pa gjithë këtë numër të madh njerëzish. Vetë kjo pjesëmarrje e madhe këtu tregon se lufta sado e çliroi Kosovën , nuk arriti t‘ i kthejë njerëzit në atdhe dhe për më keq edhe në kohë paqe sot vazhdon largimi i shqiptarëve nga Kosova, për mungesë pune, perspektive dhe kushte jetese, tha ai. Ahmeti tha se gjërat nuk shkuan ashtu siç deshën dëshmorët dhe luftëtarët e lirisë dhe kjo ishte tërthorazi edhe një vërejtje që i bëhej qeverive të pasluftës.

Image

Në orët e vona të ditës më në fund ekipet arritën në finale. Vendin e parë e zuri ekipi „Prishtina“ , vendin e dytë „Evia Bau“, kurse vendin e tretë ekipi „Bormashini“, të cilët u shpërblyen me kupa dhe çmime modeste. U ndanë edhe çmime për lojtarin më të mirë, të cilin kësaj radhe e mori Rion Latifaj dhe portieri më i mirë, të cilin çmim e mori Fehim Statovci. Më në fund fusha sportive sërish u zbraz dhe të gjithë u nisën në drejtime prej nga kishin ardhur, sigurisht për t‘ u takuar vitin tjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat