Një aktivist i palodhshëm për integrimin e të huajve në Gjermani - Bota Sot
Një aktivist i palodhshëm për integrimin e të huajve në Gjermani

Gjermania

E martë, 18 shtator 2018

Një aktivist i palodhshëm për integrimin e të huajve në Gjermani

Nga: Baki Ymeri Më: 26 shkurt 2018 Në ora: 21:53
Kopertina

Profesor Tefik Ramadani, me prejardhje nga Kosova, është pedagog social dhe aktivist i shumanshëm. Prej 15 vitesh është anëtar i Këshillit të të Huajve të qytetit Mannheim. Para disa ditësh është zgjedhur për të përfaqësuar migrantët edhe në nivel të landit (Republikës Federale), shkruan morgenweb.de. Me fjalë tjera, Tefiku tashmë është anëtar i kryesisë së bashkësisë në nivel republikan për përfaqësitë komunale të migrantëve të Baden-Württembergut (LAKA). Pas dorëheqjes së një anëtari tjetër, është dashur të zihej vendi i mbetur bosh, bën të ditur i posazgjedhuri për mediat elektronike.

Të dy organizatat e përmendura kanë për detyrë për t`i zgjidhur problemet në bashkëjetesën në mes të njerëzve me prejardhje të huaj dhe vendësve. Në mesin e prioriteteve në postin e ri, Ramadani thotë se është edhe mësimi plotësues në gjuhët amtare të migrantëve. Sigurisht këtu ai e ka parasysh edhe mësimin plotësues në gjuhën shqipe, pasi që atë e njeh më nga afër. Ai po ashtu synon që edhe në pozitën që tash ka marrë në nivel Landi, të japë kontributin e vet për suksesin e integrimit. “Emigrantët do të duhej të trajtoheshin në mënyrë të barabartë. Por sigurisht, ata duhet që të pranojnë dhe respektojnë ligjet, vlerat dhe kulturën e vendit. Ne të gjithë duhet të angazhohemi kudo për këtë”, thotë ai.

Image

Zt. Ramadani, një ish i burgosur politik nga Kosova, me familjen e tij jeton në Gjermani që nga fillimi i viteve `90. Ai punon si pedagog social, merret me ndihmë socialpedagogjike për familjet, në kuadër të “Jugendamt”-t (Zyra për të rinjtë), pastaj përkthyes nga shqipja, kujdestar ligjor në rastet ku për këtë merret vensim nga gjykata e kujdestarisë (Betreuungsgericht). Po ashtu ai është zgjedhur edhe gjyqtar-porot, te Gjykata Administrative në Karlsruhe dhe mban një kurs të gjuhës shqipe për të interesuarit, në “Mannheimer Abendakademie”.

Prof. Tefiku njihet edhe si aktivist i komunitetit shqiptar në regjionin ku jeton e më gjerë. Njëra vajzë e tij, Arta Ramadani është një gazetare dhe redaktore e njohur e televizionit të njohur gjerman ZDF ndërsa tjetra, Vjosa, është piktore. Përndryshe, Tefiku është edhe anëtar i komisionit zgjedhor, ndërsa në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Gjerman, ishte edhe nënkryetar i komisionit në fjalë. Për këtë angazhim, atij i është ndarë një Mirënjohje nga Ministria e Brendshme e Gjermanisë, e nënshrkuar nga kryebashkiaku i Mannheimit.

Përfundimisht vlen të ripotencojmë faktin se Zt. Tefik Ramadani është Këshilltar dhe i angazhuar në integrimin e të huajve në Mannheim të Gjermanisë. Nderohet me Mirënjohje për angazhimin e tij politik në integrimin e emigrantëve në Gjermani. Është ndër të zgjedhurit që i përfaqësojnë të huajtë para organeve të qytetit. Pedagogjia Sociale është profesioni i tij. Konform burimeve elektronike, zt. Ramadani është anëtar i LAKA në Landin e Baden Würtembergut, njëherit ish i burgosur politik në vitet 80, veprimtar dhe shembull i palodhshëm jo vetëm për integrimin e shqiptarëve, por edhe për të gjithë komunitetet, pa dallim kombësie apo feje. Zoti Tefik përfaqëson mbi 15 vjet komunitetet në këshillin e të huajve në qytetin e Manheimit. (Burime të huazuara nga shtypi dhe të prezantuara në revistën „Shqiptari”, Bukuresht 2018).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test