Mergata shqiptare gjithmonë bashkë, edhe në raste pikllimi - Bota Sot
Mergata shqiptare gjithmonë bashkë, edhe në raste pikllimi

Gjermania

E martë, 21 gusht 2018

Mergata shqiptare gjithmonë bashkë, edhe në raste pikllimi

Nga: Maxhun Smajli Më: 18 korrik 2018 Në ora: 15:39
Në Kryeshnosh; nga e djathta; Shabani, Muharremi dhe djali i Avdullahut, Osmani.

Mergata shqiptare, vetëm duke u mbështetur në njëri-tjetrin, po arrijnë të përballojnë jetën e rëndë mergimtare dhe të jenë shembull i mirë. Kjo mergatë po i qendron pranë njëri-tjetrit edhe në raste pikllimi. Të dielën që lam pas, atdhetari, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare, Shaban Bobaj, me vëllanë, Muharremin dhe nipin, Osmanin, kishin hapur të Pame për babanë e gjyshin e tyre patriot, Destan Selman Abazin, i cili ditë më parë, pak pa i  mushur të 95-tat, kishte ndërruar jetë.   

Lumenjë njerëzish, ardhur nga anë të ndryshme të Gjermanisë, por edhe nga Zvicrra, kishin vërshuar drejt qytetit Weissach të Baden Würtenbergut. Një sallë e madhe sa shkonte e mbushej përplot me njerëz që vinin për të ndarë dhimbjen me familjen Bobaj nga Korisha e Prizrenit. Sado që përpiqeshin t’i përballonin dhimbjet për babanë e gjyshin patriot, sytë e vëllezërve dhe nipit tradhëtoheshin nga lotët. Lotë këta që pikllonin edhe të pranishmit në sallë. 

Image
Në sallë; të pranishmit e ardhur për ngushllime

Në rreshtin e gjatë të pritësve ishin radhitur edhe emra të njohur të çështjes kombëtare, si; Idriz Zeqiri, Osman Ferizi, Fazli Hajdari, Mehmet Koka, Hajzer Gashi, Afrim Mula, Ardian Ndreka, Mehdi Bytyqi, Sinan Kryeziu, Emrush Çekaj, Nezir Fejza, Bajram e Avdi Rexhaj, Halil Rrustemaj, Mentor Thaqi e të tjerë të shumtë.

Destan Selman Abazi; të parët dhe pasardhësit e tij!

Destan Selman Abazi, rrjedh nga familja e njohur për bujari e atdhedashuri, nga Kabashi i Prizrenit. Fshat ky që gjithmonë ka qenë në shënjestër të pushtuesit serb. Për ju, të nderuar lexues, po fillojmë nga Marsi i vitit 1913, kur  në Manastirin e Shën Markut, forcat kriminale serbe kanë masakruar 97 burra të Kabashit, njëri ndër ta ka qenë edhe axha i Destanit, Zeqiri. Kësaj masakre i kishin shpëtuar babai i Destanit, Selmani, me disa shokë të tij. 

Image
Destan Selman Abazi (1924-2018)

Më 1915, mbi 300 ushtarë serbë, që ishin nisur për ta shkretuar Kabashin, por kanë hasur në rezistencën e burrave të Kabashit, që drejtoheshin nga Isuf Uka. Tek vendi i quajtur “Gryka e  Lumës”, trimat e Kabashit kanë asgjësuar që të gjithë ushtarët serb. Me 1924, forcat serbe pasi zbulojnë eshtrat e ushtarëve të tyre, të pa gjetur deri atëherë, fillojnë ndjekjet, arrestimet dhe përsekutimet e popullatës shqiptare të Kabashit me rrethinë.

Në Gjykatën e Qarkut në Prizren, 20 burra janë dënuar me nga 20 vjet burg të rëndë,  në  mungesë janë dënuar edhe 14 të tjerë, ndër ta kanë qenë edhe babai dhe axha i Destanit, Selmani me të  vëllanë, Beqirin. 

Në natën e 8 janarit të vitit 1924, derisa Selmani dhe Beqiri e shumë kabashas të tjerë, nisen për të kaluar kufirin, për në Shqipëri, ka lindur Destani, i vetmi djalë i kësaj familje. Mëpas, me 1927, regjimi i atëhershëm largon dhunshëm për në Shqipëri edhe familjet e tyre, të cilët kanë qendruar deri në vitin 1941. 

Gjatë luftës së dytë botrore, duke mos pranuar t’u bashkangjiten aradhave partizane, Destani, bashkë me Isa Rexhep Kabashin, dalin në mal, i cili pas një kohe kapet nga organet e pushtetit komunist dhe burgoset në Prizren. Destani, me shumë shokë ka qenë përkrahës i NDSH-së. Për këto ngjarje, në vitet e 80-ta, kanë shkruar edhe gazetat e Beogradit.

Për shkak të organizimit, pjesëmarrjes dhe përkrahjes së demonstratave të vitit 1981, Muharremi, arrestohet nga sigurimi sekret i UDB-ës, të cilit i sekuestrojnë dokumentet e udhëtimit dhe ushtrojnë dhunë të pa parë ndaj tij, derisa Shabanit, vëllait të madh, i ndalohet hyrja në Kosovë deri në luftën e fundit 1998 / 99.

Më 11 janar 1985, bastiset familja e Destanit, ku arrestohen të bijtë e tij, Avdullahu dhe Muharremi, të cilët denohen me 4 vite burg; Avdullahu me 1 vit dhe Muharremi me 3 vite. Në mars të vitit 1989, djali i madh i Shabanit, Iseni, maturant në Gjimnazin e Prizrenit, arrestohet, keqtrajtohet, burgoset me dy muaj burg dhe përjashtohet nga shkolla.

Më 1990, Muharremi, ka qenë shumë aktiv, si; në themelimit të LDK-së, Këshillit për Vetëmbrojtje, si dhe pjesëmarrës në ushtrimet e para ushtarake guerile të armatosura në Shqipëri, me Salih Çekajn, Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Ilaz Kodrën, Osman Ferizin e disa të tjerë. Me 1991 ishin grupi i dytë; Adem Jashari, Ilaz Kodra, Muharrem Bobaj, Osman Ferizi dhe disa të tjerë, të cilët nën drejtimin e Salih Çekaj, të parët hyjnë në Kosovë të armatosur.

Ndërsa, Shaban Bobaj, është njëri ndër themeluesit e parë të Degës të LDK-së në Gjermani. Fillimisht duke organizuar mergimtarët, krijuar strukturat organizative të LDK-së, të cilët me të drejt u besonin njerëzve të zgjedhur nga populli, si; Dr.Ibrahim Rugova, Akademikët, Fehmi Agani, Mark Krasniqi dhe Nexhat Daci. 

 Edhe në luftën e fundit të Kosovës me Serbinë, 1998 / 99, si fshat, janë vetorganizuar, duke themeluar Brigadën e Kabashit 125/2, me komandant, Lulzim Kabashin, si dhe kanë themeluar Fondin për luftën çlirimtare. Anëtar i  Shtabit të UÇK-s në Kabash ka qenë edhe Avdullahu, djali i Destanit, njëherësh Nënkryetar  i Nëndegës së LDK-së në Kabash. Pjesmarrës në luftën e fundit, në Zonën Operative të Pashtrikut ka qenë edhe djali i tretë i Shabanit, Lumniu, i cili ka shkuar nga Gjermania.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test