Kultura në Gjilan kërkon të ndihmohet duke dyfishuar buxhetin...

Gjilani

Kultura në Gjilan kërkon të ndihmohet duke dyfishuar buxhetin...

Nga: T. Selimi Më: 15 korrik 2016 Në ora: 15:23
Teatri i qytetit

Komiteti për Kulturë, Rini dhe Sport ka miratuar raportin e punës së Njësisë për Kulturë, Rini e Sport, të cilin e kanë paraqitur përgjegjësit e sektorëve, Bashkim Nexhipi, Genc Mustafa e Malazog Hoxha. Komiteti, po ashtu ka miratuar edhe raportin e vetë të punës për periudhën janar-qershor 2016, të cilin e ka prezantuar Shpresa Kurteshi, kryesuese si dhe ka diskutuar për gjendjen në teatër.  

Bashkim Nexhipi, koordinator i Njësisë, ka thënë se kjo periudhë karakterizohet me aktivitete të shumta dhe të mirëfillta kulturore, duke filluar nga manifestimi “Flaka e Janarit” e deri te “Ditët e Mërgatës”, që është duke u mbajtur tani, në respekt të bashkatdhetarëve. “E mira nuk ka fund, por ne jemi munduar të bëjmë maksimumin që aktivitetet tona të jenë sa më të mira”, ka thënë Nexhipi. 

Genc Mustafa i ka prezantuar aktivitet në sektorin e rinisë, duke thënë se me sukses kanë arritur ta realizojnë agjendën e këtij 6-mujori. Rinia e Gjilanit tani ka edhe objektin e vet, ku ka hapësirë të mjaftueshme dhe për të zhvilluar aktivitetet e veta, ka thënë Mustafa. Si një nga sukseset e kësaj periudhe, ai ka përmendur edhe platformën online për të rinjtë, ku ata kanë mundësi të komunikojnë edhe me kryetarin e Komunës. 

Kurse Malazog Hoxha i ka prezantuar aktivitetet e sektorit të sportit, që kanë qenë të shumta. Përndryshe, Hoxha tha se Komuna e Gjilanit shquhet për organizimin e veprimtarive sportive.

Është përuruar stadiumi i ri ndihmës, është mbajtur “Vrapimi i qytetit”, janë ndihmuar klubet sportive, janë shpallur sportistët më të mirë, është organizuar panairi i sportit si dhe shumë aktivitete të tjera, ka thënë Hoxha.     

Shpresa Kurteshi, kryesuese e KKRS, tha se këtij raporti të punës, është dashur t`i bashkëngjitet edhe raporti financiar i manifestimit “Flaka e Janarit”. Transparenca është e nevojshme për hir të qytetarëve, ka thënë ajo. Edhe Arzie Nuhiu (PDK) ka thënë se raporti është dashur ta ketë edhe këtë pjesë, që ka të bëjë me buxhetin. “Ne nuk e kontestojmë shumën e mjeteve që janë shpenzuar për këtë manifestim, por kërkojmë që këto shpenzime të jenë të arsyetuara”, ka thënë ajo.

Bashkim Nexhipi ka sqaruar se për manifestimin “Flaka e Janarit” janë shpenzuar 43 mijë euro, duke shtuar se kjo shumë është përgjysmë më pak se viteve të kaluara. “Për këtë manifestim duhet një linjë e veçantë buxhetore, sepse me kaq para nuk bëhet Flaka e Janarit”, ka thënë Nexhipi, derisa ka kërkuar dyfishim të buxhetit edhe për kulturën, në përgjithësi.

“Flaka e Janarit” duhet të futet në kalendarin e MKRS, sepse është manifestimi më i madh në trojet shqiptare. Sa i përket gjendjes në teatër, Nexhipi ka thënë se për funksionimin normal të këtij institucioni, që është në pritje të zgjedhjes së drejtorit të ri, nevojitet një shumë e mjeteve prej 70 mijë euro dhe ka kërkuar nga KKRS t`i jap përkrahje këtij rekomandimi.

Shpresa Hajdari tha se kultura i ka mbajtur të gjitha aktivitetet e veta të planifikuara, ndërkaq kërkoi që drejtori i Njësisë të jetë më shumë në kontakt me KKRS-në dhe të marr pjesë në mbledhjet e kësaj trupe komunale, sepse e ka obligim. Njëherësh, KKRS ka miratuar edhe raportin e tij të punës. Shpresa Kurteshi, kryesuese, ka thënë se jemi munduar që çështjet e kulturës, rinisë dhe sportit, t’i trajtojmë siç duhet dhe t’i orientojmë në organet kompetente, sipas procedurave të rregullta ligjore. Gjatë kësaj periudhe, KKRS ka bërë gjashtë rekomandime. “KKRS, do të vazhdojë të punojë me një intensitet dhe më të madh se deri tani”, ka thënë Kurteshi.T. Selimi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat