KGJKP miratoi raportin e drejtorisë së Kadastrës e Pronës

Gjilani

KGJKP miratoi raportin e drejtorisë së Kadastrës e Pronës

Nga: T. Selimi Më: 17 korrik 2016 Në ora: 18:02
Pamje nga qyteti i Gjilanit

Komiteti për Gjeodezi, Kadastër e Pronë, dje ka miratuar raportin e punës së drejtorisë së linjës për periudhën janar-qershor 2016, të cilin e ka paraqitur drejtori Sadudin Berisha. Opozita (PDK e VV) kanë votuar kundër. Gjatë kësaj periudhe, janë pranuar 2831 kërkesa të ndryshme, për regjistrime të pronave, hipoteka, masa të përkohshme, barra tatimore, oferta, vlerësime, kërkesa për matje dhe të tjera, kurse janë kryer 2520 lëndë, 149 janë në procedurë, 28 vendime janë në fazën e shpalljes publike, kurse 135 lëndë janë në pritje për azhurnim tekstual të aktvendimeve, ka thënë Berisha.

Përveç kërkesave të palëve, sipas detyrës zyrtare janë lëshuar 5304 çertifikata pronësie, 1003 çertifikata të gjendjes ekonomike, 1465 kopje të planit, është bërë përcaktimi i kufijve në dy anët e lumit në Livoç i Poshtëm, në gjatësi 500 m, përcaktimi i kufijve të rrugës në Llashticë, parcelimi për nevoja shpronësimit përgjatë lumit Mirusha, identifikimi i objekteve publike në terren për rilevim, parcelimi i ngastrës kadastrale për vendosjen e trafos të KEDS-it, caktimi i lokacionit për QKMF, caktimi i lokacionit për Shtëpinë e Pleqve dhe të tjera.

Kemi përfunduar edhe rilevimin e të gjitha objekteve publike në të gjitha zonat kadastrale rurale (35 zona kadastrale) në sipërfaqe të tërësishme prej 98216 m². Prej tyre,  prona private janë 10621 m², prona të Ndërmarrjeve Shtetërore (AKP-së) - 22338 m², KBI-së (Bashkësisë Islame) - 1520 m², kurse të pa definuar - 2975 m². Gjithsej prona komunale janë 60762 m². Në procedurë të shpronësimit me vendime preliminare janë përfshirë 10286 m² sipërfaqe tokësore për nevoja të rrugëve, shkollës fillore dhe çerdhes së fëmijëve të parapara me Planin Rregullues Urban “Dheu i Bardh-1” dhe “Qarku-1”.

Gjithashtu në bashkëpunim me Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor jemi në përgatitje të dokumentacionit për inicimin e procedurave të shpronësimit nga ana e Qeverisë së Republikës për disa prona të Ndërmarrjeve Shoqërore, të administruara nga AKP-ja e që janë me interes të përgjithshëm publik. Gjatë kësaj periudhe, në emër të kompensimit për pronat e shpronësuara për nevoja të projekteve të ndryshme komunale, janë paguar gjithsej 258.851 euro, ka thënë Berisha.

Ndërkaq, sa i përket Komitetit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Refik Shala, kryesues, ka thënë se gjatë kësaj periudhe kanë miratuar gjashtë rekomandime. Ndërkohë, ai i ka përmendur kërkesat e anëtarëve të Komitetit për listën e pronave publike të uzurpuara, listën e pronarëve të parcelave që janë marrë për rrugën qarkore, para 20 e më tepër vitesh dhe ende nuk janë kompensuar si dhe çështje të tjera, ka thënë Shala. Arjeta Rexhepi (VV) ka thënë se raportit të drejtorisë i mungojnë rastet e uzurpimit të pronës publike si dhe lista e pronarëve të rrugës qarkore që presin për shpronësime.

Fadil Hajdari (PDK), ka thënë se raporti është shumë i shkurtër, i përgjithësuar, ndërsa do të duhej të ishte më detaj. Po ashtu, ka thënë ai, raportit i mungon pasqyra financiare. Mungojnë të dhënat nëse është udhëhequr ndonjë procedurë kundër uzurpimeve në këtë periudhë, ka thënë ai.

Hajdari ka thënë se mbetet prapa kërkesës për sjelljen në KGJKP të listës së pronarëve të rrugës qarkore dhe të uzurpimeve të pronës publike, përndryshe ka thënë se do ta rishikoj qëndrimin e tij të mëtejmë në këtë trupë komunale. Sipas tij, në rastet kur merret prona private për interesa publike dhe nuk kompensohet me kohë, siç ka ndodhur me rrugën qarkore, edhe Komuna mund të cilësohet uzurpator. Të gjitha këtyre shqetësimeve u ka dhënë përgjigje drejtori Sadudin Berisha, i cili ka thënë se efikasiteti i kësaj drejtorie në procedimin e kërkesave varet qind për qind nga rrjeti qeveritar dhe është jashtë fuqisë së tyre për të bërë diçka në këtë drejtim. Sa i përket të hyrave buxhetore, Berisha ka thënë se kërkon falje që pasqyrat financiare nuk janë paraqitur në raport, duke nënvizuar se plani i kësaj periudhe është realizuar mbi 101 për qind. Ai ka premtuar se në takimin e radhës do të sjellë listën e uzurpimeve të pronës publike, ndërkaq sa i përket listës së pronarëve të tokave të rrugës qarkore, ka sqaruar se meqë bëhet fjalë për rrugë regjionale, kërkesa për shpronësim është dërguar për herë të dytë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe u shpreh optimist se do të ketë përgjigje pozitive. Kjo listë, është shqyrtuar më herët në Komitet, është miratuar në Kuvend Komunal dhe nuk ka pse të kthehet sërish në të njëjtat procedura, ka thënë Berisha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat