Për herë të parë në Kosovë, Gjilani bëhet me Kampus të shkollave të mesme

Gjilani

Për herë të parë në Kosovë, Gjilani bëhet me Kampus të shkollave të mesme

Më: 2 shtator 2016 Në ora: 22:26
Kampusi i shkollave të mesme

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, ka inspektuar sot punimet në kampusit të shkollave të mesme të Gjilanit, që është i pari në nivel republike.

“Është njëri prej programeve më të mëdha që e kemi në kuadër të investimeve në arsim. Faza e parë, siç po shihet, është përfunduar dhe të hënën gjithçka është gati që nxënësit, arsimtarët dhe stafi teknik të vijnë në një ambient krejt të ri me një pamje krejt tjetër”, ka thënë Haziri.

Investimi është bërë përmes partneritetit publiko-privat, është bërë zgjidhje edhe për qytetarët e lagjes “Dardania” të cilët hyjnë e dalin, ndërkaq nënkalimet janë ato që organizojnë jetën e nxënësve, thuhet në kumtesën e Komunës së Gjilanit.

“Nxënësit gjatë procesit edukativo-arsimor do të qëndrojnë brenda. Nuk ka hyrje dalje prej kampusit dhe nuk lejohet asnjë lloj shërbimi që nxënësit të rrezikohen – qoftë alkool apo duhan”, ka shtuar Haziri.

Ai ka nënvizuar se shpreson që ky është hapi i parë para fillimit të ndërtimit të kampusit universitar “Kadri Zeka”.

Drejtoresha e Arsimit, Shqipe Kastrati Haziri, ka shfaqur gëzimin që punët në kompleksin e shkollave po shkojnë mjaftë mirë, duke rikonfimuar se janë bërë përgatitjet finale që procesi mësimor të fillojë mbarë në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme.Ndërkaq, Fadil Beqiri – menaxher nga kompania që po i kryen punimet – ka konfirmuar se pjesa e parë e investimeve përfundon të dielën, duke shtuar se investimet do të zgjasin tri vite në tri faza.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat