Limaj në Gjilan: Mos dërgoni në Kuvend njerëz që trafikojnë vullnetin e votuesve

Gjilani

Limaj në Gjilan: Mos dërgoni në Kuvend njerëz që trafikojnë vullnetin e votuesve

Më: 2 qershor 2017 Në ora: 20:33
Fatmir Limaj

Lideri i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, të premten iu ka kërkuar qytetarëve të Gjilanit mbështetjen në zgjedhjet e 11 qershorit dhe të mos dërgojnë njerëz në Kuvendin e Kosovës që janë të gatshëm të trafikojnë vullnetin e votuesve të vet.

Ai para qytetarëve gjilanas nuk ka shpalosur programin e Nismës, por ka apeluar te gjilanasit që më 11 qershor t’i mbështesin deputetët e kësaj partie që janë në listën e koalicionit, në mënyrë që të mos dërgojnë njerëz që ndërrojnë mendjen dhjetëra herë brenda një sekonde.

Limaj: Na duhen njerëz në Kuvend që nuk votojnë asgjë të keqe për Kosovën

“Apeli im është, ju lus fort mos dërgoni në Parlament njerëz që pesëmbëdhjetë herë në sekondë e ndërrojnë mendimin, mos dërgoni në Parlament njerëz që gjë tjetër flasin në binë, e gjë tjetër votojnë kur të vjen koha për të votuar. Apeli im është mos të dërgoni njerëz që janë të gatshëm për të trafikuar vullnetin e votuesve të vet që kanë votuar për interesa të ngushta partiake. Parlamentit të Kosovës nuk i duhen deputet të çohen dhe të dalin në foltore të thonë kjo që po duam të votojmë sot është kundër Kosovës dhe e keqe e Kosovës, por duhet ta votojmë. Jo, neve nuk na duhen deputet të tillë, neve na duhen deputet që bash asnjë gjë të keqe për vendin e tyre nuk votojnë dhe nuk pranojnë të japin votë dhe të bëhen pjesë e së keqes sikur kemi hasur në vitet e fundit”, tha Limaj.

Fjalë të mëdha Limaj pati për Valdete Dushica-Bajrami, për punën e saj në legjislaturën e kaluar si shefe e grupit parlamentar të Nisma për Kosovën, derisa kërkoi mbështetjen për të edhe në zgjedhjet e 11 qershorit.

Limaj: Valdetja, doli më burrë se shumë burra në Kuvend

“Ajo çka mund t’ju them juve sot këtu është, unë jam shumë krenar, jashtëzakonisht i nderuar që kam pasur në krye të grupit tim parlamentar një grua, e cila ka dalë shumë më burrë se shumë e shumë burra që keni parë aty. Ju kërkoj falje zonjave se kjo sinonimi i burrave ka mbet i së kaluarës se s’di sa ka mbet më”, u shpreh Limaj.

Kreu i Nisma për Kosovën, kërkoi ndihmën e gjilanasve edhe për Bilall Sherifin për të qenë nesër në Parlamentin e Kosovës, pasi i duhet Kuvendit të Kosovës një profil i tillë i njeriut.

Kryetari i Nisma për Kosovën në Gjilan, Bajram Hasani, ka shpalosur një pjesë të programit të kësaj partie, e cila synon ta shtyjë përpara bashkë me partitë tjera në koalicion në mandatin e ardhshëm qeverisës.

Hasani ka kërkuar nga bashkëqytetarët e tij që të mos mbështetën ata që nuk u kujdesën asnjëherë për Anamoravën.

Hasani: Tani është mundësia që zëri i Anamoravës të dëgjohet fuqishëm

“E keni mundësinë që zëri i Gjilanit dhe Anamoravës të dëgjohet edhe më fuqishëm në Kuvendin e Kosovës. Është koha të ndalojmë këtë trend dhe t’iu themi jo atyre që na panë vetëm si votë dhe u kujtuan për Gjilanin, Kamenicën e Vitinë vetëm në kohë fushate. Gjilani e Kosova më shumë se kurrë i duhet implementimi i programit të Nismës, program ky që do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës suaj”, tha Hasani.

Bilall Sherifi, sekretar i përgjithshëm i Nisma, ka thënë se kjo parti edhe pse një grup i vogël simpatik në Parlament rolin e kishte jashtëzakonisht të madh dhe se  Grupi Parlamentar i Nismës për Kosovën ishte përcaktues për shumë procese të cilat u zhvilluan në Kosovë duke filluar nga krijimi i opozitës së bashkuar deri në rrëzimin e qeverisë pas mocionit të ngritur nga Nisma.

Sherifi: Zgjedhjet t’i fitojmë bindshëm

“Tash sfida e radhës është zgjedhjet e parakohshme, të cilat ne i kërkuam dhe ajo që neve na duhet tash është që bashkë të gjithë si kurrë më parë dhe t’i fitojmë ato, t’i fitojmë shumë më bindshëm. Në të gjitha qytetet e Kosovës po shkojmë për të kërkuar mbështetjen, radhët e Nismës me anëtarë, me votues, me simpatizantë vetëm sa po shtohen. Kjo na e shton bindjen se rrugëtimin tonë trevjeçar me dinjitet dhe integritet qytetarët po e kthejnë me besim edhe më të madh”, ka thënë Sherifi.

Ai ka shprehur besimin se Anamorave si dhe pjesët tjera të Kosovës do ta përfocojnë Nismën edhe më shumë. 

E në fund, kur Limaj përfundoi fjalën një djalë i vogël i dhuroi një tufë lule, por lideri i Nismës i kërkoi atij që t’i thotë dy-tri fjalë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat