Ndërrohen kompanitë që do ta ndërtojnë autostradën e Gjilanit - Bota Sot
Ndërrohen kompanitë që do ta ndërtojnë autostradën e Gjilanit

Gjilani

E hënë, 18 dhjetor 2017

Ndërrohen kompanitë që do ta ndërtojnë autostradën e Gjilanit

Më: 29 nëntor 2017 Në ora: 16:41
Ilustrim

Pas rivlerësimit për kontratë janë rekomanduar ofertat që janë për 22 Milion Euro më shtrenjtë se ofertat më të lira, dhe vetëm 11 më lirë se ofertat e anuluara nga Gjykata e Tenderëve.

Ministria e Infrastrukturës e ka bërë vlerësimin e ofertave për ndërtimin e “Autostradës së Gjilanit”.

Ministrisë i janë dashur 20 ditë që t`i rivlerësojë 181 ofertat e pranuara nga 27 biznese e konsorciume për tetë pjesët e këtij tenderi multi-milionësh.

Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte gjetur shkelje ligjore në vlerësimin e parë dhe kishte marrë vendim që lënda të kthehet në rivlerësim.

Pas rivlerësimit, për kontratë nuk është rekomanduar asnjë nga kompanitë që ishte shpallur fituese në vlerësimin e parë. Tani janë tetë biznese dhe konzorciume të reja që janë shpallur fituese.

Njoftimi për Dhënie të Kontratës ende nuk është publikuar në web-faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit apo në e-prokurim, mirëpo “Gazeta Jeta në Kosovë” ka arritur të sigurojë një dokument të Ministrisë së Infrastrukturës për njoftimin e operatorëve të pasuksesshëm.

Në të njëjtin dokument janë listuar fituesit e të gjitha loteve në këtë tender gjigant.

Pas përfundimit të rivlerësimit dhe njoftimit të operatorëve të suksesshëm apo të pasuksesshëm fillon faza e ankesave.

Operatorët në shkallën e parë kanë të drejtë të kërkojnë nga Ministria e Infrastrukturës rishqyrtimin e vendimit. Në rast të refuzimit të kërkesës së tyre, operatorët kanë të drejtë të ankohen në Organin Shqyrtues të Prokurimit, që njihet si shkalla e dytë e ankesave,

Pas rivlerësimit, del se “Autostrada e Gjilanit” do të kushtojë për 11,033,046.88 euro më lirë se sa ishte planifikuar me njoftimin për dhënie të kontratës para se lënda të kthehej në rivlerësim.

Sipas dosjes së rivlerësimit që ka siguruar Kallxo del se “Autostrada e Gjilanit” tani do të kushtojë 88,618,511.95 euro.

Derisa në njoftimin për dhënie të kontratës, i cili ishte anuluar nga OShP-ja pas ankesave të 12 operatorëve ekonomikë, ky projekt kushtonte hiç me pak se 99,651,558.83 euro, apo mbi 11 milionë euro më shumë.

Image

Sipas vlerësimit të ofertave më të ulëta, në total kjo autostradë do t`i kushtonte buxhetit të shtetit rreth 66 milionë euro. Por siç shihet nga dosja e siguruar nga Kallxo, edhe pas rivlerësimit kjo autostradë pritet të kushtojë rreth 22 milionë euro më shtrenjtë se sa ofertat më të ulëta që kanë qenë në garë për këtë projekt.

Fituesit pas rivlerësimit

Pas rivlerësimit, në katër lotet e parë për kontratë janë rekomanduar operatorët që kishin oferta më të shtrenjta krahasuar me operatorët e shpallur fitues në vlerësimin e parë. Kurse, nga loti i pestë deri në lotin e tetë janë rekomanduar ofertat më të lira krahasuar me vlerësimin e bërë herën e parë. Pas rivlerësimit për kontratë janë rekomanduar ofertat që janë për 22 milionë euro më shtrenjtë se ofertat më të lira, dhe vetëm 11 më lirë se ofertat e anuluara nga OShP.

Fitues në lotin e parë është rekomanduar operatori ekonomik “Granit & Inginiering & Armendi Fa”, të cilët kanë ofertuar me 18 milionë e 468 mijë e 426 euro. Kompania e rekomanduar për kontratë pas rivlerësimit është për 2 milionë e 442 mijë euro më e shtrenjtë. Pra, rivlerësimi që është bërë në kohën kur Ministria udhëhiqet nga Pal Lekaj është më i shtrenjtë se sa fituesi i shpallur në kohën kur Ministrinë e drejtonte Hanefi Muharremi.

Për lotin e dytë, pas rivlerësimit është rekomanduar OE “Gjoka Konstruksion” me një çmim prej  5 milionë e 906 mijë e 293 euro. Krahasuar me fituesin e shpallur në kohën e ministrit Zharku, (LOT II “Granit & Inginiering & Armendi” për 6,223,855.64 Euro) është rekomanduar oferta për 317 mijë euro më e lirë.

Për lotin e tretë është rekomanduar konsorciumi ‘Ndërtimi & Geci’ me një çmim prej 6 milionë e 850 mijë e 467 Euro. Kurse, në vlerësimin e parë për kontratë ishte rekomanduar OE “RSM- Benita” për 5,131,393.81 Euro. Pra, pas rivlerësimit ky lot do t’i kushtojë buxhetit për 1 milion e 719 mijë euro më shumë.

Edhe në lotin IV, pas rivlerësimit ka rezultuar fituese kompania që kishte çmimin më të shtrenjtë se oferta e rekomanduar për kontratë në muajin shtator. Pas rivlerësimi për kontratë është rekomanduar kompania që kishte një çmim më të lartë për 1 milionë e 287 mijë e 100 euro. Për kontratë është rekomanduar OE “2A Group & Alko Impex & Ex-Fis & 2t” të cilët kanë ofertuar me 8 milionë e 700 mijë e 127 Euro. Kurse, herën e parë në muajin shtator për kontratë ishte rekomanduar kompania “Kag Asphalt & Beni Com” me një çmim prej për 7,413,027.70 Euro

Në llotin e pestë për kontratë është rekomanduar kompania që kishte një çmim më të lirë se Operatori i rekomanduar për kontratë në muajin shtator,”Sallahu” me një çmim prej 21 milionë e 478 mijë e 937 Euro. Pas rivlerësimit është rekomanduar për kontratë operatori “Eskavatori & Abad (Absic)” me një ofertë prej 17 milionë e 899 mijë e 684 Euro. Për këtë llot, pas rivlerësimit kontrata i është operatorit që ka një ofertë më të lirë prej 3 milionë e 579 mijë euro.

Pas rivlerësimit të lotit të gjashtë për kontratë është rekomanduar kompania “Kag Asphalt & Beni Com” me një çmim prej 11 milionë e 633 mijë e 267 euro. Kurse, herën e parë për kontratë ishte rekomanduar kompania ‘Bejta & Bass’ për një shumë prej 18 milionë e 134 mijë e 701 euro. Pra, pas rivlerësimit për kontratë është rekomanduar oferta më e lirë për 6 milionë e 501 mijë e 434 euro.

Edhe në lotin e shtatë, pas rivlerësimit është rekomanduar për kontratë kompania që kishte ofertën më të lirë. Dallimi në mes të ofertës së rekomanduar për kontratë pas rivlerësimit është 2 milionë e 82 mijë e 786 euro. Pas rivlerësimit është rekomanduar për kontratë kompania “Al Trade Sh.P.K. & Salillari” me një çmim prej 7 milionë e 247 mijë e 86 euro. E në vlerësimin e bërë në muajin shtator për kontratë ishte rekomanduar kompania “Famis Co & Gjikura” me një çmim prej 9 milionë e 329 mijë e 872 euro.

Në lotin e tetë, pas rivlerësimit është rekomanduar operatori “Joos Krasniqi & Pevlaku” me një çmim prej 11 milionë e 913 mijë e 157 euro. Kurse, në muajin shtator, fitues i këtij loti ishte shpallur kompania “Demastion & Euro Kos’ me një çmim prej 15 milionë e 914 mijë e 317 euro. Pra, pas rivlerësimit për kontratë është rekomanduar për kontratë oferta për 4 milionë euro më e lirë.

Image

Ndryshe, tenderi 100 milionësh për ndërtimin e autostradës Prishtinë- Gjilan ishte kthyer në rivlerësim nga Gjykata e Tenderëve- OShP, pasi 12 operatorë ekonomikë kishin dorëzuar ankesë pranë OShP-së me pretendimet se ishin shkelur të drejtat e tyre nga ana e Autoritetit Kontraktues Ministria e Infrastrukturës. 

Shefi i OShP-së Blerim Dina siç pati raportuar Kallxo pati deklaruar se: ‘OShP ka marrë vendim që i gjithë tenderi, pra të tetë lotet të kthehen në rivlerësim dhe të gjitha detajet dhe arsyet se pse është marrë ky vendim për kthimin e lëndës në rivlerësim, janë të cekura qartë në vendim”, ishte deklaruar Dina.

“Gazeta Jeta në Kosovë” kishte raportuar për gjithë ecurinë e këtij procesi i cili rezultoi me anulimin e njoftimit për dhënien e kontratës për tetë operatorët ekonomikë të cilët i kishte shpallur fitues ministria për nga një lot.

Sipas raportimeve të “Gazetës JNK”, Ministria kishte shpallur fituese ofertat e tetë operatorëve të cilët ishin mbi 33 milionë euro më të shtrenjtë sesa ofertat ekonomikisht më të favorshme, por të cilat ishin eliminuar nga gara si të papërgjegjshme.

Për këtë tender, është kërcënuar me jetë shefi i OSHP-së Blerim Dina, nga dy të dyshuarit, Shaban Lushtaku dhe Naim Sallahu, të cilët ndodhen në paraburgim./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test