Në pritje të vendimit për rivotim në një qendër në Gostivar

Gostivari

Në pritje të vendimit për rivotim në një qendër në Gostivar

Më: 20 dhjetor 2016 Në ora: 18:13
Gostivar

Në Maqedoni, Gjykata Administrative pritet të vendosë për përsëritjen apo jo të zgjedhjeve në një qendër votimi në Gostivar. Gjykata ka afat deri nesër për të marrë vendimin.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve kishte vendosur të premten për ripërsëritjen e votimeve, pas një ankese të partisë Besa.

Nëse Gjykata Administrative e miraton vendimin e KSHZ-së, rivotimi në vendvotimin në Gostivar, mund ta përmbysë rezultatin e përgjithshëm të mandateve në dëm të VMRO-DPMNE-së. Në votimet e 11 dhjetorit VMRO-DPMNE fitoi në këtë zonë me vetëm 76 vota më shumë se Lidhja Social Demokrate.

Qendra e votimit në Gostivar ka më pak se 900 votues të regjistruar, shumica e tyre shqiptarë.

Aktualisht, VMRO-DPMNE ka 51 mandate, ndërsa Lidhja Social Demokrate 49. Nga partitë shqiptare, BDI ka 10 mandate, Besa 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSh 2. Deri tani ato nuk janë shprehur publikisht lidhur me koalicionet e mundshme.

Partisë që do të marrë mandatin për formimin e qeverisë i duhet një shumicë prej 61 deputetësh. Por, në bazë të numrit të deputetëve cilado qeveri që të jetë, sipas njohësve të rrethanave, nuk do të mundet të bëjë ndryshime dhe reforma që kërkojnë 2/3 e votave.

Zgjedhjet e parakoshme të 11 dhejtorit në Maqedoni, që u organizuan për të kapërcyer krizën politike në vend, pas skandalit të përgjimeve, duket se nuk e realizuan këtë pritshmëri. Një numër analistësh parashikojnë zgjedhje të reja parlamentare jo më larg se në pranverën ose verën e ardhshme.

Ndërkohë, gjykata administrative ka miratuar një ankesë të Lidhjes Social Demokrate në lidhje me parregullsi në komunën e Tearcës, afër Tetovës.

Komisioni Shtetëror të Zgjedhjeve do të vendosë nëse do të bëhet rivotimi më 25 dhjetor ose jo vetëm nëse arrin në përfundimin se përsëritja e votimit, do të ndryshonte rezultatin për mandatet.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat