27 dhjetori në histori

Historia

27 dhjetori në histori

Më: 27 dhjetor 2016 Në ora: 07:47
Charles Darwin

27 Dhjetori është dita e 361-të e kalendarit gregorian (dita e 362 në vitin e brishtë) - kështu që deri në fund të vitit kanë mbetur edhe 4 ditë.

1831 - Pas disa vonesash, Charles Darwin niset nga Plymouth i Anglisë me anijen “Beagle” dhe 73 veta në bord. Ëndrra e tij për t’u bërë famullitar mund të priste. Ai gjithmonë kishte shpresuar për një udhëtim nëpër botë dhe e shfrytëzoi mundësinë e ofruar. 1924 – Fan Noli, i shoqëruar nga një personel prej mbi 70-vetësh, përfshi ministrat e qeverisë së tij, i hipën anijes në Vlorë, kalon ngushticën e Otrantos dhe mbërrin në Brindizi. Mes atyre që ikën me peshkop Nolin, dhe që u përhapën nëpër kryeqytetet e Evropës, ishin sekretari i tij personal, Sejfulla Malëshova, Lazar Fundo dhe Tajar Zavalani; këta të tre nga Brindizi shkuan në Moskë; Mustafa Kruja shkoi në Romë, dhe Ali Bej Këlcyra u vendos në Paris. Më 30 dhjetor, Fan Noli shkoi në Romë dhe në takime me zyrtarë të qeverisë italiane dhe gazetarë, shprehu çudi dhe keqardhje që Italia nuk e kishte mbështetur atë kundër Zogut dhe jugosllavëve. Ish-kryeministri Noli deklaroi se do të kthehej në Amerikë, dhe kurrë nuk do të merrej më me politikë; katër vjet pjesëmarrës në politikën shqiptare ishin shumë, e kishin lodhur dhe zhgënjyer atë. Nga Roma, Noli shkoi në Vjenë, pastaj në Amerikë, por në Shqipëri nuk u kthye kurrë më.

1929 - Sekretari i përgjithshëm sovjetik Joseph Stalin urdhëron “likuidimin e kulakëve si klasë” në përpjekje për të përhapur socializmin në fshat. Dhe kulak quhej çdo fshatar që kishte dy lopë dhe 5 hektarë tokë në zotërim. Kjo ishte periudha e kolektivizimit të fshatit, një politikë që çoi në sekuestrime, vrasje, arrestime, burgosje, internime; në rënien e prodhimit dhe në zinë e madhe të bukës në fund të viteve 1920.

1945 - Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar krijohen me nënshkrimin e një marrëveshje nga 29 vende. Të njohur kolektivisht si institucionet Bretton Woods (emrit i qytezës në New Hampshire, SHBA), ku u themeluan nga delegatët e 44 vendeve në korrik të vitit 1944, Banka dhe FMN-ja janë shtyllat binjake që mbështesin strukturën e rendit ekonomik dhe financiar botëror

1978 - Spanja bëhet demokraci pas 40 vjet diktaturë frankoiste. Kjo periudhë tranzicioni ishte epoka kur Spanja doli nga diktatura e Francisko Frankos. Tranzicioni zakonisht thuhet se filloi me vdekjen e Frankos më 20 nëntor 1975, dhe përfundoi me miratimin e Kushtetutës së vitit 1978; të tjerë thonë se tranzicioni përfundoi me dështimin e një grushti shteti më 23 shkurt të vitit 1981, apo me fitoren elektorale të Partisë Punëtore Socialiste (PSOE) më 28 tetor 1982.

1983 - Papa Gjon Pali II viziton Memhet Ali Agçan në burgun Rebibbia dhe personalisht e fal atë për atentatin më 13 maj 1981 në Sheshin e Shën Pjetrit, ku Papa mbeti i plagosur. Pasi shërbeu 19 vjet burg në Itali, Agça u deportuar në Turqi, ku kreu një dënim dhjetë vjet burg për vrasjen e një gazetari kohë më parë. Ali Agça u lirua nga burgu më 18 janar 2010, dhe vazhdimisht e ka përshkruar veten si mercenar pa orientim politik, edhe pse dihet se ka qenë anëtar i organizatës ultra nacionaliste turke Ujqërit Gri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat