L’Humanité (1939) /Një thirrje nga Partia Komuniste Italiane: Jashtë Shqipërisë trupat italiane ! Të mbrojmë pavarësinë e popullit heroik shqiptar!

Historia

L’Humanité (1939) /Një thirrje nga Partia Komuniste Italiane: Jashtë Shqipërisë trupat italiane ! Të mbrojmë pavarësinë e popullit heroik shqiptar!

Aurenc Bebja Nga Aurenc Bebja Më 10 qershor 2017 Në ora: 09:31
Shkrimi i gazetës franceze

Gazeta franceze, « L’Humanité », të hënën e 10 Prillit 1939, ka botuar, në faqen n° 3, shkrimin (thirrjen) e Partisë Komuniste Italiane, e cila asokohe është shprehur qartësisht dhe publikisht kundër pushtimit fashist të Shqipërisë.

Një zë i fuqishëm i saj në mërgim, « Nicoletti », pseudonim i Giuseppe Di Vittorio-s, nëpërmjet këtij shkrimi – ku vlerëson guximin dhe trimërinë e popullit heroik shqiptar – u drejtohej bashkombasve të tij me qëllim për t’i dhënë fund marrëzisë fashiste.

Në vijim do të gjeni shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania »:

« Agresioni i qeverisë fashiste italiane kundër Shqipërisë së vogël është një akt plaçkitës dhe grabitës që e turpëron Italinë.

Ky agresion i ri fashist, veçanërisht i turpshëm dhe revoltues, nuk ka për qëllim vetëm plaçkitjen e popullit shqiptar dhe shkatërrimin e plotë të pavarësisë së tij kombëtare; por edhe hyrjen në një faze të re të planit kriminal të boshtit Berlin-Romë për pushtimin dhe fashizmin e Evropës.

Populli italian, i rraskapitur nga katër vitet e luftës grabitqare, i braktisur në mjerimin më të madh, dëshiron paqen. Ai duhet t’i përgjigjet denjësisht thirrjes plot emocion që i ka drejtuar populli heroik shqiptar, i cili me lavdi mbron me armët në dorë pavarësinë e tij kombëtare kundër një armiku njëqind herë më të fortë.

Agresori i popullit shqiptar është shtypësi i popullit italian.

Detyra absolute e popullit italian është të mbështesë me të gjitha mjetet luftën e popullit shqiptar për të përzënë pushtuesin fashist nga toka e tij.

Miqësia e dy popujve, nën aspiratën e tyre të përbashkët për liri, u betonua me fitoren e përbashkët në vitin 1920, kur revolta shqiptare kundër pushtimit të imperializmit italian dhe lufta e popullit italian – e cila arriti kulmin me revoltën e ushtarëve dhe punëtorëve të Ankonës – detyruan qeverinë italiane të tërheqë trupat e saj nga Vlora dhe të njohë pavarësinë kombëtare të Shqipërisë.

Duke u frymëzuar nga ky shembull fitimtar, populli italian duhet të pengojë dhe të sabotojë në mënyrë aktive ekspeditën e turpshme fashiste në Shqipëri, e cila shkakton një atentat të ri ndaj të drejtës së popujve për vetvendosje dhe provokon një luftë të tmerrshme ndaj popujve të Ballkanit dhe të gjithë Evropës. »

Dhe thirrja e Partisë Komuniste Italiane mbyllet:

« Jashtë Shqipërisë trupat italiane!

Të ruajmë paqen nëpërmjet disfatës së fashizmit agresor!

Bashkim të popujve kundër fashizmit shtypës dhe luftënxitës, për paqe dhe liri!

Për Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Italisë - Nicoletti. »

https://www.darsiani.com/la-gazette/l-humanite-1939-nje-thirrje-nga-partia-komuniste-italiane-jashte-shqiperise-trupat-italiane-te-mbrojme-pavaresine-e-popullit-heroik-shqiptar/.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat