Isa Boletini: S’ia kam dorëzuar armën as krajlit as mbretit

Historia

Isa Boletini: S’ia kam dorëzuar armën as krajlit as mbretit

Më: 14 qershor 2017 Në ora: 19:24
Isa Boletini

Një trim si malet e Shqipërisë. Një vigan si shkrepat dhe epet shqiptare. Një hero që dha jetën për ardhmërinë e Shqipërisë. Njeriu që përfaqësoi në mënyrë dinjitoze heronjtë e Kosovës dhe dashurinë e tyre të pashtershme për Atdheun dhe lirinë. I bukur, me ato sytë e çiltër dhe që shkrepnin si shqiponja e maleve, Isa hyri në historinë e trimërisë shqiptare që gjithnjë është skalitur nga burrëria e pashoqe dhe vlaga për atdhe e flamur.

Kur në prill të vitit 1913, delegacioni shqiptar do të shkonte në Londër, Isa së bashku me patriotë të tjerë do të lobonin kundër Konferencës së Ambasadorëve për copëtimin e truallit shqiptar. Ai do të ishte figura më piktoreske e delegacionit aq sa fisniku anglez Aubrey Herbert që shërbente si përkthyes ndaj Lloyd George, do e quante Robin Hoodi shqiptar. Isa do ti thoshte funksionarit anglez: “Thuaji atij (zotit Geoge),” tha Isa, “që unë jam malësor, ashtu si është ai, dhe që unë e di që zemra e tij është e sjellshme karshi atyre që vuajnë.” E thuaj mikut të shqiptarëve, që kur të vij pranvera, do të plehërojmë Kosovën me eshtrat e serbëve, sepse, ne Shqiptarët, kemi vuajtur shumë për të harruar.”

Dhe pikërisht në Londër Isa do të bënte një veprim që ka hyrë në histori. Historiani Edwin Jasques do të shkruante: “Sa hyri në godinën e Ministrisë së jashtme britanike që të mbronte çështjen e kombit të tij, polici i sigurisë i kërkoj të hiqte revolen nga brezi dhe ta linte në vendin e posaçëm ngaqë duhet të hynte i paarmatosur. Ai e dorëzoi pa u ankuar. Gjatë takimit, ministri i Jashtëm, Sir Edward Grey, e shoqëroi Boletinin drejt vendit për të rimarrë revolen e tij. Kur ministri qeshi, ‘Gjeneral, gazetat mund të shkruajnë nesër se Isa Boletini, që as Mahmut Shefqet Pasha s’mund ta çarmatoste, sapo u çarmatos në Londër’. Boletini ia ktheu me një përqeshje të butë, ‘Jo, jo, as në Londër!,’ dhe nxori nga prapa një revole të dytë. E kush vallë mundë të çarmatoste Isën, burrin e madh trim të Malësisë së Kosovës.

Isa Boletini do të lindte në vitin 1864 në një familje shaljane. Boletini i famshëm ndodhet jo shumë larg kufirit me Serbinë. Kjo krahinë ishte e njohur për trimëri burrash ndaj në këtë djep atdhedashurie dhe trimërie do të rritej Isa, duke u brymosur që në fëmijëri me dashurinë për atdheun dhe për shqiptari.

Janë të njohura marrëdhëniet e vështira që kishin turiqt me Boletinët. Porta e Lartë donte ta shkatërronte Boletinin dhe Isën, sepse nën drejtimin e tij gjithë banorët ishin kthyer në armiq të vërtetë të Perandorisë. Do të ishte gjenerali turk Dervish Pasha që do shtypte popullin e krahinës dhe do digjte kullën e Boletinëve. Por jo vetëm me turqit. E ashpër ishte urrejtja e Isës ndaj serbëve, të cilët të mbështetur nga Rusia ishin në armiqësi të madhe me gjithë krahinën. Veçanërisht kjo armiqësi arrin kulmin në 1908-ën, kur Isa me njerëzit e vet çarmatos banditë serbë, të komanduar nga konsulli rus. Pas luftës së Parë Botërore turqit , të mbështetur nga serbët sulmuan Boletinin, por nuk ia arritën qëllimit pasi ushtritë thyhen. Pikërisht fitimi i kësaj beteje do të rriste reputacionin e Isa Boletinit dhe me të u bashkuan shumë shqiptarë të tjerë. Isa do të ishte në krye të kryengritjeve shqiptare kundër serbo-malazezëve por dhe turqve nga viti 1901 deri në vitin 1912. Të njohura janë beteja Carralevës, Kaçanikut, Shkupit dhe kalasë së Mitrovicës.

Në nëntor të vitit 1912 Isa Boletini do të rreshtohet në krah të Ismail Qemalit dhe pse u përndoq nga serbët, malazezët dhe turqit. Nga Qeveria e Vlorës do të ngarkohet me krijimin e Gardës Kombëtare shqiptare duke vendosur rregull në zonat e jugut dhe duke mbrojtur zonat e bregdetit nga synimet e grekëve. Në vitin 1913 do të shkojë në Londër si përfaqësues i Ushtrisë shqiptare. Në vitin 1916 do të shkojë në Shkodër për organizimin e mbrojtjes nga malazezët, kohë kur planifikohet dhe zhdukja e tij nga forcat serbe. Isa ka luajtur një rol vendimtar në disa nga Kuvendet e mëdha që u zhvilluan në Kosovë. Pikërisht në vitin 1899 do të themelohej Lidhja e Pejës nga atdhetari Haxhi Zeka. Dhe trimi me emrin Isa Boletini do të jepte një kontribut të pashoq në organizimin e ruajtjes së Kosovës Veriore. Ai do të udhëhiqte delegatët e Mitrovicës dhe do të angazhohej të zbatonte të gjitha vendimet e kësaj lidhjeje. Mirëpo siç ka ndodhur gjithnjë dhe kjo lidhje do të sabotohej nga një i shitur, dhe në këtë rast do të ishte Mahmut Zajmi që do i shesë shqiptarët tek Serbia dhe turqit dhe në vitin 1901 do të vritet udhëheqësi Haxhi Zeka.

Beteja e tij e parë që hyri në histori ishte në vitin 1895. Turqit e sulmuan befasisht ditën e Bajramit por do të thyeshin totalisht. Nga fitimi i kësaj beteje Kulla e Boletinëve do të bëhej kulla e botës. Do të mësynin korrespondentë të huaj dhe shumë shqiptarë. Isa për trimërinë e tij u bë jo vetëm idhulli i Kosovës por i të gjitha trojeve shqiptare. Vdekja e tij me dredhi nga serbët do të ishte një ditë zie për gjithë shqiptarët kudo ishin dhe lajmi mori dhenë. Por kontributet e tij për Atdheun dhe lirinë e kombit u qëndisën në këngë, histori dhe u gdhendën në piedestalin e artë të Shqipërisë.

(Historia e Shqipërisë, Aubrey Herbert, ditari i tij)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat