Kur Shqipëria mësonte të ecte

Historia

Kur Shqipëria mësonte të ecte

Ilir Ikonomi Nga Ilir Ikonomi Më 8 korrik 2017 Në ora: 16:49
Shqiperi

Ilir Ikonomi publikon disa thënie interesante të viteve kur shteti shqiptar ishte ende i brishtë dhe në rrezik të gjymtohej ose të zhdukej (1912-1920. "I kam nxjerrë nga libra, gazeta dhe dokumente të asaj periudhe," shkruan gazetari i VOA:

ISMAIL QEMAL VLORA: “Fqinjët tanë, të dehur nga fitoret, i kanë shpërfillur të drejtat tona deri në atë pikë, saqë tani duan të na heqin fare nga defteri. Të mos lejohet kjo padrejtësi, ja këtë kërkojmë ne nga vendet e qytetëruara.” (Kryeministër, 1913)

MYFIT BEJ LIBOHOVA: “Jemi në duart e Europës dhe e presim nga Fuqitë e Mëdha ekzistencën tonë. Janë ato që duhet të kujdesen e të na mbajnë, sepse ne vetë nuk bëjmë dot asgjë. Ne sapo kemi dalë nga veza dhe jemi të dobët”. (Kryeministër i përkohshëm, 1913)

RENATO PIACENTINI: “Shqipëria është një vend, ku historia nuk formohet rreth idealeve apo interesave të mëdha, por rreth një serie të pafund intrigash, përplasjesh dhe pasionesh të papritura, mes fiseve shqiptare të veriut, të qendrës dhe të jugut, që shumë pak bien dakord për ndonjë gjë mes tyre.” (Konsull italian në Durrës, 1914)

TURHAN PASHA: “Ju prisni nga unë që fëmijën e posalindur ta përgatis jo vetëm për gjimnaz por edhe për universitet. Do të isha i kënaqur nëse fëmija mëson të ecë!” (Kryeministër, 1914)

ESAT PASHA: “Shqipërinë njeriu e qeveris siç mundet e jo siç duhet”. (Kryeministër, 1915)

WILHELMI I DYTË, Perandor i Gjermanisë dhe kushëri i Princ Vidit: “U përpoqëm për ta bindur kandidatin e ri (Vidin) të hiqte dorë nga ‘froni’ shqiptar i shpikur rishtazi. Por ishte e kotë. Bashkëshortja ambicioze e Princit, e cila ushqente një ngazëllim të pashpjegueshëm, shihte tek Shqipëria përmbushjen e dëshirave të saj dhe, ce que femme veut, Dieu le veut (atë që do gruaja, e do Perëndia).” (1914)

ESAT PASHA në takimin me Presidentin amerikan Woodrow Wilson: “Protektorati italian, i urryer nga të gjitha pikëpamjet, do të ishte një burim turbullirash të vazhdueshme në Ballkan. Përkundrazi, një mandat i përkohshëm, që t’i besohej një fuqie të painteresuar, do të ishte diçka e shkëlqyer. Kjo fuqi duhet të ishte Amerika, nga e cila shqiptarët presin lumturinë e tyre”. (Paris, 1919)

WOODROW WILSON, duke u larguar nga Konferenca e Paqes në Paris në 1919, i telegrafon Sekretarit të Shtetit Robert Lansing: “Desha që, përpara largimit, t’ju shprehja juve dhe kolegëve të tjerë, interesimin tim shumë të thellë për fatet e Shqipërisë. Kam frikë se mos në morinë e gjërave të tjera që mund të duken më të ngutshme dhe më të rëndësishme, të nënvlerësohet vemendja që duhet t’u kushtohet atyre të drejtave. Ju lutem të tregoheni shumë të kujdesshëm”. (Nga bordi i anijes George Washington, 1919).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat