Amaneti i Azem Galicës

Historia

Amaneti i Azem Galicës

Nga: Bedri Tahiri Më: 24 korrik 2017 Në ora: 23:23
ilustrim

Arbëria e Vogël po mbushte motin e dytë të mëvetësisë. Kulla e lirisë rrezatonte mbi gjithë Trojet Shqiptare. Kapedani i saj dridhte mustakun si pendël korbi dhe zemra i bëhej mal me dëborë. Këtu kam lindur e këtu dua të vdes,- thoshte nëpër kuvende burrash. Drenicasit merrnin zemër dhe përkuleshin para flamurit kuqezi, që valëvitej përplot krenari. Edhe malet frymonin lirshëm. Xhandarëve e taksidarëve  të kralit serb ua kishin harruar surratin...

Kryekomandant i çetave çlirimtare                                                                   

Azem Galica u lind më 10 dhjetor 1889. I rritur në një familje me tradita luftarake e atdhetarie, që në fëmijëri u përcaktua në rrugën e lavdisë. I ati, Bejtë Galica, ishte ndër luftëtarët më të njohur të Drenicës, i cili ra heroikisht në betejën e njohur kundër satrapit Shemsi Pasha, më 1907, në mes Rezallës dhe Deviçit.

Bejta kishte edhe tre djem të tjerë: Seferin, Zenelin dhe Ademin, por Azemi ishte më i dalluari. Ishte i zgjuar, besnik dhe shumë i shkathët. Ende pa i mbushur njëmbëdhjetë vjet, me pushkën e dajës së vet, Kurt Selacit, në Selac, vret kriminelin serb, Stojanin.

Gjatë viteve 1910-12 shpërthyen kryengritjet e përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare. Më 5 maj 1912 Hasan Prishtina doli në Drenicë, në kullën e Ahmet Delisë, mbathi opingat dhe dha kushtrimin për një luftë mbarëkombëtare kundër Perandorisë osmane. Edhe trimi 20 vjeçar radhitet në çetat e Drenicës dhe merr pjesë në betejën legjendare të Merdarit.

Megjithatë, me theqafjen e Turqisë, mbi trojet tona të molisura u vërsulën bandat kriminale serbe. Luftëtarët e lirisë u ndoqën, u  vranë dhe u burgosën. Edhe Azem Galica bashkë me dy vëllezërit arrestohet dhe dërgohen në thellësi të Serbisë, në Zajeqar, gjegjësisht në Pozharevc. As prangat e rënda nuk e penguan shpirtin e etur për liri. Në pranverën e hershme të vitit 1915 Azem Galica u gjend në Drenicë.

Kthimi i tij ngjalli shpresat për ditë më të mira. Pa humbur kohë formoi çetën luftarake, e cila më vonë do të bëhet NËNA E ÇETAVE.          

Tashmë Azem Galica në Çetën e tij kreshnike kishte edhe shoqen e jetës e të pushkës, kishte Nusen e Maleve- SHOTË GALICËN...

Betejën më të njohur kundër këtyre pushtuesve e zhvillojnë në Abri, më 6 mars 1917, ku plagoset për vdekje edhe vëllai i tij i vogël, ADEMI. Pos tjerash nuk duhet harruar as aksioni i suksesshëm në Përrua të Keq, kur me pak trima zuri mbi 2000 ushtarë austrohungarezë dhe të gjithë i dorëzoi në Mitrovicë, te komnadanti francez Balshe.

Më 1918 formohet Mbretëria  SKS, që populli e quajti Serbia e Dytë, e cila edhe më rëndoi çizmën mbi tokat tona të shkretuara. Po këtë vit, intelektualët shqiptarë nën udhëheqjen e Hoxhë Kadri Prishtinës formojnë Komitetin “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” me seli në Shkodër. Ky Komitet, për t’u ardhë në ndihmë kryengritësve hartoi PROGRAMIN prej 10 pikësh dhe Azem Galicën caktoi kryekomandant të çetave çlirimtare, të cilat numëronin mbi dhjetë mijë luftëtarë.

Dhe, në pranverën e vitit 1919, pikërisht më 6 maj, shpërtheu kryengritja e përgjithshme, duke përfshirë mbarë Drenicën dhe Dukagjinin. Ajo u shua me gjak, por pati jehonë të madhe. Serbia u përpoq t’i zërë  udhëheqësit e saj. Azemi e Shotë Galica ranë nëpër shumë gracka, por dolën faqebardhë. Luftërat dhe betejat e tyre nuk kishin të ndalur.

Bishat serbe tërë mllefin e shfrenin, duke u hakmarrë  mbi të paarmatosurit. Në janarin e vitit 1920 dogjën Kollën, kurse më 1921, në malet e Dubovcit e pushkatuan nënë Sherifen me bija e mbesa. Por të gjitha këto veprime kriminale i paguanin me kokë. Kështu, fill pas kësaj, Shota me vëllezër e me shokë, hyn në Mitrovicë dhe naçellnikut fytyrëzi ia numëron plumbat në lule të ballit.

Më 1923 formohet Zona e lirë e Drenicës, që më shumë njihet si ARBËRIA E VOGËL, në fillim përfshinte të gjitha fshatrat e komunës së atëhershme të Prekazit: Galicën, Lubovecin, Mikushnicën, Prekazin, Dubovcin, Beçiqin, Krasaliqin, Tërnavcin, Kuçicën dhe Stërmcin. Prej janarit të vitit 1924 ngushtohet, duke u kufizuar në tri fshatra: Galicë, Lubovec dhe Mikushnicë. Kjo bërthamë e shtetit shqiptar, për ca vite rrezatoi atdhedashuri mbi të gjitha trojet shqiptare dhe frymëzoi luftërat për liri...

Rrethimi

     -A durohet kjo, shteti në shtet?! O shën Savë, Azem Galica po na çmend fare! Edhe fëmijët në djepa po e shohin ëndërr, çirreshin ministrat e oficerët serbë, nëpër  zyrat e Beogradit.

      -Do ta djeg shkrumb e hi mbarë Drenicën e mallkuar,- shfreu i tërbuar kral Aleksandri.

     - Ah, jo, ore të keqen, jo, e zbuti mjekërbardhi tinëzar, Pashiqi. Unë të mësoj ndryshe, që, edhe do ta heqim qafe atë të mallkuar Azem Galicë, edhe  Evropa nuk do të hidhërohet...

Dhe, dita e 15 korrikut e vitit 1924 gdhiu fare ters. Forca të mëdha nga garnizoni i Shkupit, mbi 1200 veta, të përcjellë edhe nga artileria e rëndë e përbërë nga shtatë topa e shumë mitraloza ia kishin mësyer Drenicës. Gjarpri i zi zvarritej drejt Arbërisë së Vogël, e popullata e Mitrovicës nuk merrte vesh gjë. As xhandarët vendës nuk kuptuan dot deri te Leskova, afër Lubovecit, kur koloneli Stojanoviq, në prani te Zhupanit të madh te Shkupit, lexoi urdhëresën se shkonin për ta rrethuar Azem Galicën. Sulmi duhej të ishte i bëftë dhe i furishëm...

Kur këndoi gjeli i parë, të tri katundet: Galica, Luboveci dhe Mikushnica u gjenden të rrethuara shumëfish.

Plagët mortore

Hëna kishte tretur diku pas resh e rojat i kishte mashtruar gjumi i ëmbël i mëngjesit. Edhe kulla qëndresë flinte në heshtje. Dje kishte pasur festë. Mbarë vendi kishte qenë për ta përgëzuar kapedanin. Kishin lozur, kishin kënduar dhe kishin qëlluar shenjë. Të sfilitur ishin shpërndarë të gjithë, edhe trimat e çetës. Aty s’kishin ngelur veçse dymbëdhjetë luftëtarë...

Zoja, gruaja e dytë e Azemit, i kishte hetuar pa krisur topi i parë. U zgjua edhe kryetrimi dhe dha kushtrimin, që sfidoi edhe krismat e topave. Djajtë u futen të gjallë në dhe. Beteja u ndez ashpër. Në çdo frëngji një grykëhollë lirie. Askush nuk i druante mortjes. Vargonjtë e rrethit të parë zunë të shkriheshin nga gjaku i valë i Bajram Tërnavcit e i Hys Popovës.

- Kujdes gratë dhe fëmijët e katundit, oj Shotë Galica!- tha kapedani dhe çau si vetëtima nëpër flakë pushkësh. Kapitenit serb, i cili kishte guxuar te afrohet pranë kullës, i ngeli shpata në gardh. Ushtarët serbë i mbyllnin sytë dhe i lëshonin armët nga dora. Livadhi i Frashrit zu të skuqej nga gjaku që shkonte rrëke. Halit Bajrami lëshohej rrokullimë me trimat sypatrembur gashianë. Në anën tjetër, Bekë Hyseni fluturonte nga Suka e Madhe. Shpatulla e majtë e kryetrimit rridhte gjak curril. Vallë, ecte apo fluturonte?! Me këmbë i shkelte zuzarët e palmuçur që nuk bëzanin. Kur po e kapërcente rrethin e tretë, një plumb tinëzar e kapi në kryqëza. Oh, sa keq! Plasën fishekët e vet në rrethatore dhe e dëmtuan rëndë. Edhe nga supet e Halil Avdisë, Smail Shabanit e Kamer Llaushës gacatorja e tij besnike shitonte papra. Oso Kuka i Lubovecit (Qerim Shashi) kishte ngulur këmbë në Qafëmal...

- Hiç mos keni frikë, hiç- mundohej t’i qetësonte fëmijët e lebetitur plaku mjekërbardhë, Shaban Tahiri, por breshëria e plumbave ia ndali fjalën në grykë. Të tjerët, në krye me dadën Shotë, morën drejt Qyqavicës. Nëse një fije floku i mungon dikujt, ju do të përgjigjeni para Azemit!- i kërcënonte ajo xhandarët që i takonte rrugës.

Të tri katundet kishin marrë flakë. Armiqtë, kur morën vesh se dragoi shpëtoi i gjallë, u tërbuan fare. Si ujqër të uritur u lëshuan mbi të pafajshmit. Vranë, pushkatuan, masakruan dhe dogjën gra, pleq e fëmijë. Hasimes nga Mikushnica me thikë ia nxorën ferishten nga barku...

Takimi në Qyqavicë

Buzëmbrëmje e trishtë korriku. Lugu i Qyqavicës zhurmonte dhimbshëm. Vaje fëmijësh, rënkime plakash, shtrydhje të plagosurish. Midis tyre, i shtrirë në vig, qëndronte kapedani i plagosur. Veten e kishte harruar, i qante zemra për të tjerët. Me sy i vidhte ata që i mungonin. Tutje flaka shkonte deri në qiell. As të mallkuarit nuk kishin shpëtuar lehte, jo. Me lëkurë e paguan, lanë mbi njëqind të vrarë e shumë të plagosur, e ngushëllonte veten...

-O, ku je, o Azem Galica! Çohu në këmbë, he burrë i dheut t’i bëjë për hair varret e lavdisë. Ty s’ka çka të bën plumbi i shkaut. Ngrihu ndeze një cigare tarabosh se shokët përreth të duan të fortë e në këmbë. Veç dushmani të do të lodhur e të shtrirë. Çohu dhe gëzohu se ke një djalë!- foli Shota, që posa kishte arritur.

Trimi i dha zor dhe u ngrit pakëz në bërryla. Pasi ua hodhi një sy të gjithëve, ia ktheu Shotës:

-Mos u tall moj Shotë, se më ligsht jam sot se atëherë kur u plagosa në Arbëri. E di që Zoja ende nuk ka fëmijë, por emrin tim e lë peng për fëmijën që do të lind: Azem, nëse është djalë, Azemine, nëse është vajzë. Tash merri dhe shpërndaji këto familje, se armikut nuk i besohet...

O, prite Azem Galicën prite, more!

Në malet midis Përçevës dhe Gllarevës, Azemi lodhet shumë. Nusja e Maleve dhe Plaku i Çetës, Bekë Hyseni, i qëndronin te koka. Kur u tubuan të gjithë, trimi mblodhi fuqinë e fundit, u ngrit ca dhe me gjysmëzëri tha:

-Vëllezër! Amanet atdheun, ruajeni dhe luftoni të bashkuar për lirinë e tij. Të palgosurit dhe fëmijët jetima i përcillni në Shqipëri. Ti Shotë, mos iu ndajë çetës. E di që kurrë s’ke me e korit emrin dhe trimërinë tënde. Lamtumirë vëllezër! Kosova dhe ju më dhatë fuqi, zemër e krah lufte. Edhe i vdekur kam dëshirë me luftue bashkë me ju. Prandaj trupin më ma djeg ose më ma qit në një pus të pafund. Armiku nuk duhet ta marrë vesh vdekjen time. Trimat nuk kanë kohë të përlotën. Shtrëngoni fort armët, lufta nuk duhet ndërpritur...

Fjala i ngeli në gjysmë. E lëshoi shpirti në prehrin e Shotës. Trimat përreth ulen kokat dhe nuk u përmbajtën dot. Edhe trimëreshës i shpëtuan dy pika loti. Ah, jo, bjeshka po lotonte në heshtje...

Atë ag të mugët të 25 korrikut 1924, nga gurmazi i thellë i shpellës “Çuku që kërcet “ jehoi kushtrimi: O prite Azem Galicën prite, more!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat