Fisi Vuci, 3 shekuj në shërbim të shqiptarizmit

Historia

Fisi Vuci, 3 shekuj në shërbim të shqiptarizmit

Nga: Muamer Vuci Më: 13 gusht 2017 Në ora: 13:50
Flamuri kombëtar

Detyrimi moral më bën që me përpjekje modeste të mundohem të pasqyroj historikun e fisit Vuci, si ndër fiset dhe banorët e parë në lagjen Kiras. Lagjia Kiras mori këtë emër  për faktin historik sepse atë në shekuj e përshkroi lumi i vjetër Kir, për të cilin flet për here të parë në Historinë e Skëndërbeut, Prifti shkodran marlin Barleti (shek.XVI). Një pjesë e shtratit të lumit Kir e ka zanafillen tek zona Stom Golem duke përshkruar në shtratin e tij në drejtim të Rus Maxharit dhe vazhdonte shtrati mbi rrugen Zallaj, në krah me kolegjin “Hasan Riza Pasha” dhe në vijë të drejtë çante lëndinat e tokave pjellore të liqenit duke u derdhur në liqenin e Shkodrës dhe duke formuar në derdhje një ambient ranore që u quajt nga populli Bregu i Rërës. Lëndinat e pafund të mbushura me shelgje dhe një bimësi të bukur e bënin gjithnjë gjelbëruese bregun e liqenit të Skodrës në veçanti zonën e Bregut të Rërës. Liqeni i Shkodrës për Kirasin si një lagje me tradita në bujqësi e blegtori ka shërbyer edhe për peshkim, për transport me zonën e Krajës, pazarin e vjetër dhe portet e tjera të vendit. Ndalesa që bënin lundrat në fshehtësi nga doganat dhe për arsye të tjera bënë që të krijohet si një port i vogël dalja e bishtit të liqenit afër Bregut të Rërës që populli e emërtoi “Bisht Iqini”. Ky toponim lidhet me faktin historik se në Iqini bëheshin lëvizjet e mallrave pa doganë dhe të mallrave kontrabandë në veçanti për Krajën. Bregu I Rërës historikisht ka qënë një plazh jo vetëm për banorët e lagjes Kiras, Dudas e Ndocaj, por dhe për qytetarët e Shkodrës. Rreth viteve 1730-40 zuri vend  në një pozicion të bukur të rrjedhës së Kirit të shtratit tij në Kiras në një largësi ajrore rreth 200m nga xhamija u vendos i pari i fisit tim Beqir Vuci. Ky emër është përmendur tani  edhe në dokumenta arabisht të cilat janë bërë objekte studimi nga thirrësi në Islam Muhamed Sytari, për jetën dhe kulturën Islame të Imam Hafiz Myrteza Vuci (1891-1954). Sot jam 72 vjeç dhe kam të drejtën morale që në shkrimet e mija në shtypin shqiptar të shkruaj me saktësi historike edhe prejardhjen e fiisit Vuci. Fisi Vuci sipas disa fakteve të grumbulluara dhe të dhënave gojore të njerëzve të vjetër  dhe të fisit tim, prejardhjen e fisit Vuci e kemi nga fshati Vuthaj të Malësisë Këlmendit.

Nuk e di akoma se si mund të ketë lindur nevoja për të marrë mbiemrin Vuci (serbo-kroatisht do të thotë ujqit). Sot me këtë mbiemër ka edhe në Malësinë e Reçit si në Vuc Vukaj, apo fise të rëna në Reç nga fshati Vuthaj siq janë: Bruçaj, Balaj, Vuc Vukaj, Qosja etj. Tani jeta e Beqirit bëhet e qetë në këtë lagje ku sigurisht ka edhe shume banorë afër xhamisë si fisi Sholli etj. Beqiri pati vetëm një djalë që quhej Hamza Vuci i cili me një paraqitje burrërore dhe me një trup të gjatë e të drejtë arriti të krijoi një familje të mirë dhe të këtë 3 djem: Hasanin, Mustafën (Cafin) dhe Brahimin (Hima). Pra jemi në kohën kur këto tre vëllezër të fisit Vuci me paraqitjen e tyre me sjelljen e rregullt, duke u marrë kryesisht me blegtori dhe bujqësi arrin të blëjnë disa toka  në zonën e Kirasit dhe ti japi një zhvillim gjithë fisit të tyre. Hasani, Mustafa dhe Brahimi, që të tre vëllezërit marrin nuse të fiseve të mira. Ato jetojnë së bashku në një shtëpi përdhese, tamam ku është shtëpia e vjetër e vëllezërve Drangaj. Në këtë kohë ata kanë blerë toka në Sukaj e Sipërme, Balijej dhe Zabele. Hasani pati fatin që të këtë 3 fëmijë: 2 djem dhe 1 vajzë, Shabanin (djalin e madh), Sadikun dhe Zaden. Edhe vëllai I Hasanit, Mustafa martohet dhe merr një vajzë të një fisi të njohur në Dudas, fisi Xhabija, dhe nusja thirrej Tata, por për fat të keq atyre u jetoi vetëm një djalë që u quajt Abdullah (Abdyl). Që edhe ky më vonë do të martohej dhe do të merrte vajzë nga fisi Fishta, motrën e Shaqir Fishtës. Për koinçidencë edhe bashkëshortja e Abdylit quhej Tata. Për ti dalluar nga njëra-tjetra këtë e thërrisnin Tata e madhe për shkak se ishte trupmadhe. Duke ndjekur pemën e fisit Vuci dhe degëzimet e saja del se Shaban Vuci, djali i Hasanit martohet me një vajzë të fisit Zeneli ne Dobraç ku i kishim Tokat afër, në Zabele dhe Balie me këtë fis. Ato patën 2 fëmijë Hasanin që merr emrin e gjyshit, dhe Feriden.

Duhet thënë se djali tjetër i Hasanit, pra Sadiku mbeti pa u martuar për arsye të ndryshme, kurse Zadja motra e tyre, një vajzë e njohur në fis për urtësinë e saj pati një histori të dhimbshme dhe kthehet në shtëpi me vajzën e saj tek vellai Shaban Vuci. Duhet theksuar se Hasani dhe siç e therras une axha Cani, djali i Shabanit dhe Abdyl Vuci kane femijë. Kështu, Abdyli ka 3 djem, Myrtezan, Mustafën dhe Beqirin. Kurse, axha Cani pati fat dhe mori nga fisi Dema ne Rusmaxhar, Leqe Dema motra e Bajram Dema, qe linden 8 femijë, të cilët janë, Zijaja, Barija, Belkizja, Qemali, Gjyherja, Sabija, Naimi dhe Esmaja. Nuk jetoi shume Barija, kurse fëmitë e Abdullahit ishin 3 djemtë, që theksuam, por më I vogli Quku (Beqiri) vdiq I ri. Një fatkeqësi ndodhi kur vdiq gjyshi im Abdyl Vuci, duke lënë në moshë të vogël Myrtezanë dhe Mustafën. Në vitin 1904 një dorë gjakatare vret Shaban Vucin I cili po kthehej nga pazari për në shtëpinë e tij në Kiras. Ai person që qëlloi mbi Shaban Vucin ishte blerës i disa viteve të barit të livadeve dhe Shaban Vuci I kishte kërkuar, pasi kaluan disa muaj që të paguante lekët për barin (sanën) për lekët që ishin të jetimëve. Ky person pasi bëri vrasjen u arratis në Mal të Zi dhe nga njoftimet e mëvonshme ka vdekur aksidentalisht në këtë vend. Shprehja që përdorte shpesh njeriu i fisit se hakun mos e marrtë robi e merr zoti, qetësoi njerëzit për këtë ngjarje. Vdekja e Shaban Vucit ishte një ngjarje tronditëse për fisin tonë, kur këtu ishin disa jetimë. Kështu edhe axha im Can Vuci meti jetim në moshën 2 – 3 vjeç. Kalojnë vitet dhe më 1912 babai im, Hafiz Myrteza Vuci bëhet hoxhë mezin dhe më vonë imam, në Kiras dhe në Pazar. Në vitin 1915 atij ju dha mundësia të blejë, fare pranë xhamisë të Kirasit një shtëpi përdhese, por me një bahçe shumë të madhe dhe me pemë. Më vonë në këtë shtëpi, u martuan Myrtezaja si dhe vëllai i tij Mustafa (Cafi) që morrën 2 motra (motrat e Cafa Beg Bushatit) të Ajasmës. Por fati i keq i solli që Cafi vdes duke lënë 2 vjeçe vajzën e vetme, Minën, por vdes dhe gruaja e Hoxhës duke lënë edhe kjo vajzën e vetme jetime, Fatimen. Një situatë shumë e rëndë u krijua. Por Hafiz Myrteza Vuci me kurajo, humanizëm dhe me ideale të pastra vazhdon jetën, duke i dhënë zgjidhje përsëri me martesën e 2të. Ai merr gruan e dytë nga fisi i njohur i Beqajve në Tophanë, Hasije Ymer Beqaj. Ky ishte një fat i madh për jetën e tij sepse nëna ime ishte shumë besimtare dhe shumë korrekte për kulturën islame. Me të lindën shumë fëmijë por jetuan vetëm katër, Xhemalija, Hylemja, Myzaferja dhe Muameri.

Motivi i rëndë i vdekjes i disa djemve të tij e bënë babën tim që djalin e fundit ta thërrazë me një emër të veçantë Muammar që do të thotë jetë-gjatë. Tani gjërat po ndryshojnë sepse Zijaj shkon në Tiranë dhe në vitet 1956 -1957 mbaron fakultetin juridik, ai do bëhet një figurë qendrore për fisin tim, por dhe një intelektual i njohur në Shqipëri në sektorin e drejtësisë. Emërohet gjykatës në Kukes dhe ne Shkodër, më pas për 10 vite është anëtar i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, e më pas për 10 vite të tjera, anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Sot emri dhe vepra e tij 50 vjeçare në drejtësi janë një vlerë e madhe për fisin tonë, por edhe për sektorin e drejtësisë që po vuan kaq shumë nga korrupsioni. Në Kiras tani emri dhe vlerat e fisit Vuci janë të njohura, por ajo që duhet theksuar është fakti që në këto troje, lindën intelektualë të mirëfilltë, të cilët u bënë të njohur në të gjithë vendin. Hafiz Myrteza Vuci është cilësuar në 100 intelektualët e shquar të Kulturës Islame më 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Është shpallur qytetar nderi I Shkodrës, në këtë 100 vjetor. Si dhe vepra dhe puna e tij konkrete është bërë objekt i konferencave shkencore të organizuar nga Shoqatat dhe Kryemyftinia për kontributin e tij në kulturën islame. Sot në trojet e Hafiz Myrteza Vucit në Kiras është ndërtuar shkolla e re Hazem Hajdari e cila është e vetmja në Shkodër që mbulon kapacitete të plota për këtë lagje duke mos deformuar asgje nga hapësira e territorit të shkollës. Djali i axhes i dyti, Qemal Vuci, vëllai i Zijasë jetoi 73 vjet, duke lënë kujtime shumë të mira në gjithë fisin e Vucajve, por ajo që ja vlen të theksohet është fakti që si Zijaja dhe Qemali më kanë trajtuar si vëlla të vogël duke mbuluar boshlekun që unë u rrita jetim që në moshën 9 vjeç.

Në fillimet e demokracisë përsëri u njoh kontributi në këtë lagje. U ndërtua xhaamia e parë postkomuniste më 1994 me mbështetje të plotë nga ana jonë. Por ajo që bëri më jehonë ishte fakti që me intelektualë të Kirasit u formua Shoqata e Miqësisë Shqipëri – Libi, korrik 1992, shoqatë e cila kontribuoi fuqimisht për bashkëpunimin dhe mbështetjen që do të japë shteti I Libisë në periudhën e tranzicionit. Kështu vlerat intelektuale filluan të zgjatohen me kontributin e Hafiz Myrteza Vucit, juristit Zija Vucit dhe Haxhi Muamer Vucit. Për këtë lagje u bënë shumë shkrime dhe u organizuan shumë aktivitete, por ajo që bjen në sy është fakti që fisi Vuci, duke qenë gjithnjë në këtë lagje ka influencuar pozitivisht për një rrezatim të plotë edhe të tolerancës fetare. Kjo mund të shprehet edhe me një simbolikë të vogël që në vitin 1955 axha im Hasan Vuci blen shtëpinë në GjuaDol të Dom Ernestos ose siç njihet ndryshe shtëpia e Kolë Idromenos. Kjo është monumentale, për faktin se 65 vite më parë ai u fut në një lagje që aso kohe nuk e kishin të gjithë guximin dhe botëkuptimin e tolerancën fetare që kishte axha im. Duke shprehur në konsideratë faktin që edhe vajzat, nipërit, mbesat e fisit Vuci I kanë dhënë jehonë të madhe dhe mbështetje morale vlerës së këtij fisi. Është kënaqësi për ne që shumë nipa e mbesa prezantohen duke iu referuar njerëzve me vlerë të fisit tonë. Unë personalisht vazhdoj aktivitetin tim në shoqatën e miqësisë Shqipëri – Vendet Arabe, duke shpresuar për një kontribut më konkret në lagjen Kiras. Por për fisin Vuci, Zija Hasan Vuci mbetet një simbol i madh i krenarisë morale patriotike dhe humane të fisit tone. Le të jetë ky historik i shkurtër një nxitje reale për ngritje të mëtejshme për vlerat morale dhe humane të fisit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat