Shqipëria e shpallur Mbretëri demokratike para 89 viteve

Historia

Shqipëria e shpallur Mbretëri demokratike para 89 viteve

Më: 1 shtator 2017 Në ora: 08:14
Në vitin 1928, Ahmet Zogu e kuptoi se koha e përshtatshme për të shpallur Mbretërinë kishte ardhur, por për këtë u ndërmorën të gjitha hapat e nevojshme kushtetuese.

Asambleja Kushtetuese më 1 shtator 1928, votoi unanimisht duke e shpallur Shqipërinë, Mbretëri demokratike, parlamentare, të trashëgueshme dhe Zogun I, Mbret të Shqiptarëve.

Mbreti Zogu I kishte katër vjet që ishte bërë i gjithëpushtetshëm si rezultat i aftësive të tij, por edhe gabimeve të rënda që bën kundërshtarët. Largimi i Princ Vidit që kishte lënë shtegun hapur, pasi nuk kishte abdikuar, forma e regjimit ndryshonte natyrshëm.

Kjo ishte një arsye më shumë për të shpallur së pari Republikën, (21 janar 1925), për të konsoliduar pushtetin, dhe pastaj për të pritur momentin e përshtatshëm, për të hipur në Fron.

Republika do ta kishte jetën të shkurtër, sepse ishte koha e Mbretërive. Kujtojmë se, i gjithë Ballkani, Italia dhe shumë shtete në Evropë ishin Monarki.

Gjithashtu, mendësia e shqiptarëve në këtë kohë anonte nga forma monarkike e regjimit. Shpallja e Mbretërisë do të ishte dhe qe një hap tjetër i rëndësishëm, në stabilitetin e shtetit shqiptar.

Në vitin 1928, Ahmet Zogu e kuptoi se koha e përshtatshme për të shpallur Mbretërinë kishte ardhur, por për këtë u ndërmorën të gjitha hapat e nevojshme kushtetuese.

Më 1 qershor 1928, kryetari i Republikës iu drejtua me një mesazh të dy dhomave legjislative.

30 gusht 1928, mblidhet Komisioni i posaçëm

Në përfundim të mbledhjes u formua një komision i posaçëm për hartimin e neneve kryesorë të Statutit të ri.

Më 1 shtator 1928, në orën 09:00, votim në këmbë për Mbretin

U zhvillua mbledhja e katërt e Asamblesë Kushtetuese. U lexua raporti i komisionit, i cili kishte përgatitur nenet kryesore të Statutit të ri. Me propozim të Mihal Kasos pas leximit të çdo neni votimi u krye në këmbë. Kështu, në orën 9:12, Asambleja Kushtetuese votoi unanimisht duke e shpallur Shqipërinë, Mbretëri demokratike, parlamentare, të trashëgueshme dhe Zogun I, Mbret të Shqiptarëve. Gjithashtu, u aprovua edhe formula e betimit të Mbretit. Duartrokitjet dhe njëqind e një të shtëna topi përshëndetën vendimin.

1 shtator 1928, në ora 17:00, ceremoniali i kurorëzimit mbret

Një komision me deputetë nga të nëntë prefekturat e vendit, i kryesuar nga Pandeli Evangjeli, u nis drejt Pallatit, që pas kësaj date u quajt Mbretëror (sot Akademia e Shkencave), për t’i komunikuar formalisht Mbretit vendimin e Asamblesë Kushtetuese. I përcjellë nga brohoritjet popullore të rastit, komisioni kaloi mes një kompanie të gardës, veshur me uniforma të kuqe, dhe hyri në Pallat.

Në orën 10:00, të datës 1 shtator 1928, Ahmet Zogu pranoi kurorën. Betimi i Mbretit në Parlament do të bëhej më 1 shtator 1928, në ora 17:00, por në fakt bë 20 minuta më përpara, siç duket për arsye sigurie. Festimet e pasdites së 1 shtatorit 1928 filluan që në orën 14:00, dhe zgjatën tre ditë. Repartet e ushtrisë ishin rreshtuar, populli kishte dalë në rrugë, ndërsa disa aeroplanë hidhnin fletushka nga ajri. Në orën 16:00, u dëgjua buçitja e trumbetave dhe më pas himni kombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat