“Naltësimi i Iskanderit” i Benjamin Disraelit

Historia

“Naltësimi i Iskanderit” i Benjamin Disraelit

Më: 2 mars 2018 Në ora: 20:47
Skenderbeu dhe Benjamin Disraeli

Studim i Mal Berishës mbi veprën e Benjamin Disraeli kushtuar Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në kuadër të përvjetorit të Besëlidhjes së Lezhës 1444 – 2018

185 vjet më pare nga viti që jetojmë dhe 389 vjet pas Besëlidhjes së Lezhës, në vitin 1833, Benjamin Disraeli shkrimtari dhe politikani i shquar britanik do të botonte librin e tij, “Naltësimi i Iskanderit.” Libri është një vepër letrare që i kushtohet heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Vlerësimi për veprën “Naltësimi i Iskanderit” nuk do të ishte i plotë pa njohjen e autorit të saj, pasi këtu qëndron edhe rëndësia me e madhe e saj. Benjamin Disraeli, Earli i Beaconsfield-it, (1804 -1881) ka qenë një shkrimtar i njohur anglez, autor i më shumë librave dhe shumë traktateve e letrave politike, si dhe një politikan konservator britanik. Ai ka qenë dy herë kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe (shkurt – dhjetor 1868 dhe 1874–1880), i vetmi pasardhës i një familje hebraike, ndonëse i konvertuar në të krishterë, i ngjitur deri në atë post të lartë, në tërë historinë e atij vendi.

Është e vështirë për një studiues të jetës së një njeriu të tillë të veçojë Benjaminin shkrimtar nga Disraeli politikan dhe burrështetas. E vërteta është se ai i hyri jetës publike si një njeri me prirje prej shkrimtari. Në këtë mënyrë ai u ballafaqua me lexuesin e gjuhës angleze si një shkrimtar i kohës së tij me tëra tiparet që letërsia e kohës shfaqte. Ai është një prej shkrimtarëve të mëdhenj të kohës së tij. Emri i tij nuk mbetet i madh thjesht dhe vetëm për veprën e tij letrare, por ndërthuret, plotësohet, pasurohet, shquhet edhe me veprën e tij si eseist, politikan, polemist, drejtues shteti. Në shumë raste duket se vepra e tij letrare e ka ndihmuar atë si politikan por edhe politika e ka ndihmuar atë si shkrimtar dhe veçanërisht si eseist dhe polemist. Pra kemi të bëjmë me një dyzim të harmonizuar të figurës së tij.

Përveç veprës për të cilën neve jemi më së shumti të interesuar, pra “Naltësimi i Iskanderit”, botuar në vitin 1833, ai ka shkruar edhe më shumë se njëzet libra të tjera. Talenti i tij është shprehur në këtë mënyrë po prej atij vetë: “…kur dua të lexoj një roman më mirë e shkruaj vetë një tjetër” çka zbulon vetë natyrën e tij krijuese dhe kërkuese.”

historinë e botës, Disraeli nuk është i vetmi politikan, i cili e filloi jetën si shkrimtar dhe arriti të bëhej politikan i suksesshëm. Ai e përdori famën e tij si shkrimtar në të mirë të emrit të tij si politikan. Të tillë, të shquar, të cilët e kanë filluar jetën publike njësoj si ai janë disa. Ata në fakt e kanë pasuruar nga ana humane jetën politike. Edhe në vetë Britaninë e Disraelit, disa dekada pas vdekjes së tij, vjen një politikan tjetër nga fusha e letrave, i njohur në tërë botën. Ky është Uinston Çurçill i cili jo vetëm që shquhet si shkrimtar por në vitin 1953 arrin të marrë çmimin Nobel në letërsi. Po ashtu, Bülent Exhevit kryeministri Nobelist i Turqisë, Xhimi Karter i ShBA – së, Vaslav Havel i Çekosllavakisë, Michael D. Higgins i Irlandës, për të përmendur vetëm disa, vihen në krye të shteteve të tyre pasi kanë bërë emër si shkrimtar. Benjamin Disraeli pra është një shkrimtar dhe politikan i rrallë i cili përveç karrjerës së tij politike renditet midis njerëzve më të shquar edhe për faktin se nga një njeri i elitës intelektuale kthehet në një lider që len pas një trashëgimi e cila i ka vlejtur vendit të tij. Midis veprave që e cilësojnë atë si një njeri elitar është edhe novela “Naltësimi i Iskanderit.”

Hebre apo i krishterë anglikan?

Për njohjen e figurës së Benjamin Disraelit është me rëndësi të nënvizohet fakti se ai u lind në një familje hebraike të ardhur në Angli nga Italia. Babai i tij Isaku ishte përfshirë në një grindje me drejtuesit e sinagogës së Bevis Marks në Londër. Prandaj në vitin 1817 ai vendosi t’i pagëzonte fëmijët e tij si të krishterë. Ndoshta ky ishte një moment spontan por që vetëm zoti mund ta sajonte në atë mënyrë sa djalit t’i hapej rruga në karrjerën e tij. Ky veprim i babait të tij, Isakut, i shërbeu të ardhmes politike të Benjaminit, i cili ndoshta si hebre do të kishte arritur në postin e deputetit, Earlit dhe Kryeministrit të Anglisë tepër vonë në mos hiç fare? Historia e Parlamentit anglez na mëson se deri në vitin 1858 hebrejve nuk iu lejohej të konkuronin për tu zgjedhur në atë tempull të demokracisë. Fakti që ai vetëm trembëdhjetë vjetët e para të jetës ishte edukuar si hebre, ndërsa pjesa tjetër si frekontues i kishës anglikane, i dha atij shansin të ngjiste shkallët më të larta të politikës britanike. Në fakt kjo ngjitje e tij është e spieguar në një ndër thënjet e tij shumë kuptimplote:

“Sekreti i suksesit në jetën e njeriut qëndron tek aftësia e tij për të mos e lëshuar rastin kur i vjen në dorë.”

Lidhur me ndikimin e hebraizmit dhe të kishës në jetën e Disraelit, një ndër biografët e tij të shumtë, Adam Kirsch thotë se ai ishte shkrimtar dhe politikan, por për ta njohur atë duhet të mos harrojmë se ai kishte lindur hebre. Në librin e tij “Hebraizmi në vetë Disraelin” Kirsch shkruan: “E vërteta më e madhe rreth karrjerës së tij është se të qenurit me origjinë hebraike, edhe pse duhej të ishte pengesa kryesore për plotësimin e ambicjeve të tij, u bë forca më e madhe shtytëse për realizmin e tyre.”

Disraeli ka luajtur një rol kyç në kthimin e Partisë Konservatore angleze në një parti moderne duke i dhënë ato përcaktime politike të cilat respektohen edhe sot e kësaj dite. Ai mbahet mend si politikani britanik me influencën më të madhe në çështjet botërore në kohën e tij, për betejat politike më spektakolare me kundërshtarin e tij laburist, Gladstone dhe për konservatorizmin e tij unitarist “të një-kombi” ose asaj që njihet me emrin “Demokracia Tory”.

Konteksti letrar dhe historik i “Naltësimit të Iskanderit”

Novela “Naltësimi i Iskanderit” është pikësëpari një vepër letrare. Natyra e saj është thellësisht romantike dhe nuk kishte sesi të ishte ndryshe pasi në kohën e botimit, Europa ishte në kulmin e lulëzimit të romantizmit si rrymë letrare si edhe në muzikë, pikturë dhe në jetën intelektuale, ndjenjat e njeriut, imagjinatën dhe mjeshtrinë artistike të autorëve. Nëse gjejmë disa elementë helenë në vepër, mendoj se kjo nuk vjen nga ndonjë prirje e autorit për t’ju shmagur të vërtetës por më shumë për arësye se periudha e romantizmit është ajo gjatë së cilës interesi dhe simpatia për kulturën e lashtë greke dhe atë romake rritet shumë. Kjo ishte edhe një pararendje ndaj neoklasiçizmit të frymëzuara veçanërisht nga arkeologu, helenisti dhe historiani gjerman, Joakim Uinkckelman.

Në këtë kontekst, ishte pikërisht Anglia ku lindi një rrymë e veçantë letrare dhe kulturore që njihet si Helenizimi Viktorian (pasi koincidon me mbretërimin e Mbretëreshës Viktoria). Në atë kohë studimi, njohja dhe zotërimi i kulturës klasike greke shihej si e vetmja mënyrë për tu afirmuar në botën intelektuale dhe elitare angleze.

Një arësye tjetër që ka ndikuar tek Disraeli në shkrimin e kësaj vepre është edhe fakti që në kulturën viktoriane, helenizmi ose klasicizmi grek ka të bëjë me mitizimin e një fenomeni apo të një figure historike, apo edhe vetë shndërrimin e tyre nga plani i të vërtetës historike në një plan të përjetësisë universale mitologjike. Ky është pra naltësimi, naltësimi nga realiteti, nga historia deri në mit. Naltësimi që vjen nga helenizimi viktorian i kulturës angleze prej nga del edhe Heroi ynë Kombëtar, Skënderbeu, i kthyer në një personazh të cilin autori, e quan Iskander.

Disraeli mund të ketë rënë në emrin e Skënderbeut dhe të jetë njohur me veprën e tij që kur ishte i ri pasi bëri një tur të gjatë në Mesdhe, nga qershori i vitit 1830 deri në tetorin e vitit 1831, që nga Spanja, Malta, Shqipëria, Greqia dhe Lindja e Mesme. Ky tur la kujtime të pashlyera në tërë jetën e tij të mëvonëshme. Nga Korfuzi ai udhëtoi në Artë dhe në Janinë. Që nga Janina ai i shkroi letra familjes dhe të jatit të cilat janë studiuar dhe botuar me vemëndje të posaçme nga dr. Robert Elsie. Ndër tjera Disraeli i shkruan të jatit:

“I shtrenjti im baba! I shkrova Ralfit nga Malta ndërsa juve nga Korfuzi…Të përmënda në letër se kishte një mundësi që t’i bëja vizitë Vezirit të Madh në vend-ndodhjen e tij në Janinë, kryeqyteti i Shqipërisë.

Pastaj vazhdon:

“Mëngjesin tjetër bëmë një vizitë tek guvernatori Kalo Bej, i cili njëherë e një kohë kishte qenë më i pasuri i vendit ndërsa tani njër prej fisnikëve më të fuqishëm shqipëtar.” “Kostumet shqiptare, janë pambarimisht të larmishme në kombinacionet e tyre.”

Kështu shkruante për shqiptarët në Janinë gjatë udhëtimit të tij në vitin 1830-1831. Siç thamë, i ndikuar nga efektet e kulturës së lashtë helene, por ndoshta më shumë për ta nxjerrë librin e tij nga një suazë përshkrimi historik në një platformë artistike, ai e ka ndërthurur veprën me një tis të hollë helen. Përkundër kësaj, vepra është shumë e rëndësishme për shumë arësye.

Së pari dhe mbi të gjitha atë e ka shkruar një njeri shumë i madh: Benjamin Disraeli, trashëgimia e të cilit është e gdhendur në veprën letrare dhe në jetën politike të një vendi që i ka dhënë botës aq shume: Britania e Madhe.

Së dyti libri është shkruar në një kontekst historik kur shqiptarët sapo fillonin ri-zgjimin e tyre kombëtar, ku figura e Skënderbeut ishte pishtari që do t’ju ndriçonte rrugën dhe do t’i frymëzonte drejt iluminizmit dhe lirisë.

Figurat Historike: Në këtë novelë lëvizin si personazhe historike figurat e tre njerëzve më të shquar të kohës së vet, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu i Shqipërisë, Janosh Huniadi i Hungarisë dhe Princi Mahomet i II – të, Sulltani i ardhshëm Fatih, pushtuesi i Kostandinopojës, më vonë në vitin 1453. Ekzistenca historike e këtyre figurave e bën librin intersant dhe i shton vlerat njohëse të ndërthurura me krijimin artistik.

Personazhet Artistike: Iduna, vajza e Janosh Huniadit, Nikeas, një emër anonim grek, Princ i Athinës të cilët gjënden thuajse në çdo faqe të librit. Në sfond historik përmendet Sulltan Murati II, pengmarrësi i djemëve të Gjon Kastriotit dhe adaptuesi i më të voglit të tyre, Gjergjit apo Skënderbeut, si dhe personazhe të tjera plotësuese. Në skenë janë komandanti turk Karam Bey, sekretari i tij Musa, Krye-eunuku i Princit Mahomet, Kaflis, Eremiti, Prifti Kozma, etj.

Titulli librit: Titullimi i librit me emrin Iskander, thuajse i njejtë me atë të Skënderbeut, por me një ndryshim, të kujton menjëherë se ai është heroi ynë kombëtar.

Emërtimi shqiptar i vendeve në libër: Fusha e veprimeve është e tëra në Ballkan dhe përkon me emra të vërtetë gjeografikë. Për ta bërë veprën më shqiptare aty gjënden emra vendesh në Shqipëri si vetë Shqipëria, Epiri, Kruja, Petrela, Kalishta. Këto tregojnë plotësisht se veprimet kryhen në territorin i cili ka qenë përjetësisht shqiptar nga një hero po ashtu shqiptar – edhe pse I quajtur Iskander.

Rekuizita: Rekuizita e veprës është kostumi kombëtar shqipëtar i heroit të librit, Iskenderit, pra Skënderbeut tonë që në paraqitjen e tij të parë në libër pranë Tempullit të Minervës në Athinë.

Fakte historike: Në libër del qartë marrja peng e të katër të bijëve të Princit Gjon Kastrioti, i cili nuk përmendet me emër në vepër por thuhet Princi i Epirit, helmimi i tre prej tyre nga Sulltan Murati II dhe adaptimi i më të voglit nga ana e këtij të fundit për shkak të dhuntive të tij të jashtëzakonëshme dhe më pas emërtimi i tij Skënderbeg, në respekt të Aleksandrit të Madh. Tëra këto dalin qartë në libër.

Skënderbeu i dërguar në ndihmë të ushtrisë turke në luftë kundër Vladislavit të Polonisë dhe Vojvodës Huniadi të Transilvanisë; takimi i tij me Huniadin dhe marrëveshja që ata bëjnë për të mbrojtur krishtërimin;

Kthimi i Skënderbeut në Krujë, çlirimi i qytetit, triumfi mbi turqit, mposhtja e forcave të Sulltan Muratit II të dhe të birit të Sulltan Mahmodit – Fatih po ashtu janë të evidentuara nga historia e mesjetës dhe janë tëra fakte të njohura.

Këto element e bëjnë veprën e Benjamin Disraelit shumë të dashur për lexuesin shqiptar pasi edhe pse ai tenton ta kthejë një histori kaq legjendare në një romancë me elemente artistikë, prapëseprapë jep shumë të dhëna dhe njohje historike të veprës së tij.

Ajo që meriton të vlerësohet tek ky libër i Benjamin Disraelit, është se ai në atë kohë, pra në vitin 1833 dinte aq shumë për historinë e heroit tonë kombëtar

Vetë trajtimi i Skënderbeut i cili luan edhe sot një rol të madh në formimin e ndjenjës patriotike dhe atdhetare tek ne shqiptarët, ka një vlerë shumë të madhe dhe duhet parë si një element shumë pozitiv i veprës. Po ashtu fakti që kjo vepër është botuar me dhjetra here, që nga dalja në dritë për herë të pare, tregon për vlerën e saj të padiskutueshme. Për më tepër ajo sot gjëndet thuajse në çdo bibliotekë britanike madje edhe në ato digitale. Ndër to edhe në Universitetin Adelajde të Australisë, prej nga është marrë teksti në anglisht i këtij studimi.

Është i rëndësishëm fakti që të gjitha edicionet botuese të librit janë shoqëruar me shkrime plot simpati për heroin tonë kombëtar dhe e kanë cilësuar atë si shqiptar edhe pse në librin e Disraelit ai del herë si shqiptar, herë si epirot dhe herë në pasazhe të caktuara të librit lufton sa për çlirmin e “vendit të tij”, sa për Epirin sa për Greqinë.

Çdo kritik i kësaj vepre e ka lidhur heroin me vendin e tij të lindjes, Shqipërinë dhe dramën e tij të tmerrshme të humbjes nga sulltan Murati të tre vëllezërve. Po ashtu, meqë libri është botuar disa vjet pasi Bajroni kishte botuar poemën Child Haroldit, i cili i bëri të njohur shqiptarët në botën e asaj kohe dhe veçanërisht në atë anglisht-folëse, kritikët e lidhin edhe këtë vepër si dhe autorin me popullin tonë.

Pra, parë nga një kënd vështrimi pozitiv i veprës, duhet thënë se ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në evidentimin e shumë fakteve historike të kohës kur Shqipëria u vu nën rrezikun e zhdukjes nga harta e Europës për shkak të pushtimeve osmane. Po ashtu, aty evidentohet qartë mbrojtja që asaj i bëri Skënderbeu, i cili nuk e harroi atdheun e vet. Libri ka një natyrë shumë edukative patriotike pasi në vazhdimësi përmend ndjenjat atdhetare, thirrjen e brendshme që Skënderbeu/Iskander kishte për atdheun, detyra më fisnike që ai kishte vënë vetes në jetë, përplasja me fatin e vet pë të mbrojtur dheun e të parëve.

Që në fillim ai thotë se ka ardhur koha të ndeshem me fatin tim, fatin, i cili do t’i jepte fund lumturisë së garantuar me privilegjet e pafundme që i kishte ofruar sulltani dhe zgjedhja prej tij, në vend të tyre, sakrificën për atdheun. Në libër dominon ajo devizë e cila do të formësohej shekuj më vonë nga poeti hungarez Shandor Përtef: “Për dashurinë jap jetën por për lirinë e jap dashurinë.”

Autori e ka përmendur shumë herë Greqinë, duke e futur Princin grek Nikeas si personazh dytësor, dhe duke e filluar vetë librin në ambjentet e Athinës ndërsa Kështjellën e Kalistës në një zotërim të një greku siç ishte ky princ. Një nga arësyet mund të jetë dëshira për të krijuar një vepër artistike e cila ka brenda saj figura të vërteta historike (Skënderbeu, Huniadi, Mahometi) të kombinuara me figura fiktive si Princi Nikeas, Iduna, Kaflisi, Karam bey, Musa etj. Kështu Disraeli duhej të krijonte një vepër me një galeri të kombinuar figurash dhe një ndërthurje të fakteve historike me shpikjet e tij letrare.

Intriga e dashurisë së Nikeas ndaj Idunës, pengmarrja e saj nga turqit dhe mbajtja në burg në Adrianopoje, lirimi i saj nga Iskanderi i maskuar si një doktor armen, mbrojtja që ky i fundit i bën çiftit pas lirimit nga banda e ndjekësve turq, pengmarrja e dytë e Idunës nga vetë Princi grek, takimi i Huniadit, Skënderbeut, Mahomedit, Idunës dhe Princit në Kalista janë të gjitha sajime letrare. Pra duhet të mos harrojmë se subjekti në libër në disa pika nuk ka asgjë të përbashkët më të vërtetën dhe mbetet thjeshtë një imagjinatë artistike edhe pse shumë interesante dhe tërheqëse.

Po aq pak lidhje me të vërtetën ka edhe fakti që libri deri në një farë mase është ç’vendosur në një terren që autori e quan epirot, dhe ngënjehrë grek. Ky element natyrisht që nuk ka aspak efekt tek lexuesi shqiptar, ose edhe të huajve të cilët e dinë Historinë e Shqipërisë, atë të Perandorisë Osmane, atë të Hungarisë dhe Polonisë, të Greqisë dhe Ballkanit të asaj kohe. Por për ata të cilëve iu mungojnë këto njohuri edhe mund të kenë efektin e përzjerjes së fakteve, vendeve, figurave dhe ngjarjeve që ka sjellë autori dhe mund të ndikojë tek ta. Aq më tepër që, edhe sot e kesaj dite ka autorë të ndryshëm jashtë dhe brenda Shqipërisë të cilët e venë në dyshim plotësisht ose pjesërisht, identitetin shqiptar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Studimi rreth këtij libri është një përpjekje për ta “pastruar” atë nga këto pasaktësira, duke ruajtur natyrisht, vlerat e tij të padiskutueshme të librit.

Fryma e përzierjes së vendeve, personazheve dhe fakteve historike të sjellura në një formë letrare në këtë libër është vënë re edhe nga autorë të huaj, kritikë të veprës. Ata duke lavdëruar vlerat artistike të librit kanë dhënë mendimin e tyre në lidhje me këtë “shmangje” nga e vërteta historike. Një gjë të tillë ka bërë edhe studjuesi polak dr. Andrzej Diniejko i Universitetit të Varshavës. Ai në studimin e tij për këtë vepër thotë:

“Është lehtësisht e kuptueshme se subjekti i këtij libri është bazuar në jetën e prijësit të krishterë shqipëtar Skënderbeg (Iskanderi) i cili drejtoi me sukses rezistencën kundër zgjedhës otomane nga vitin 1440 e më pas. Shqipëria dhe ikona e saj kombëtare Skënderbeg u popullarizuan në fillim në letërsinë angleze prej Lord Bajronit në poemën e tij të famshme “Peligrinazhi i Child Haroldit” (1812-1818). Bajroni vajti në Shqipëri në vitin 1809 dhe iku me një përshtypje të jashtëzakonëshme të cilën e përjetësoi në vargjet: “O Shqipëri, ku lindi Iskanderi – Këngë e rinis’, fanar i t’urtëvet! –Dhe Iskanderi tjetër, që i dërrmoi – Përherë armiqt’ me Kordhn’ e tij kreshnike.” (Përkthim i Skënder Luarasit)

“Disraeli,” vazhdon dr. Diniejko “i cili e nderonte pafundësisht Bajronin madje edhe u përpoq ta prezantonte vetveten si një “trashëgimtar i tij moral, politik dhe letrar” ndoqi rrugën e tij drejt Lindjes në vitet 1830-1833. Shqipëria ishte në atë kohë pjesë e Perandorisë Osmane që nga fundi i shekullit të pesëmbëdhjetë” dhe vazhdon: “Ndërkohë që ishte në turin e madh Lindor, Disraeli vizitoi Janinën, në atë kohë kryeqytet i Shqipërisë Jugore nën sundimin Otoman.”

Autori polak thotë se Skënderbeu, në librin e Disraelit, si figurë historike shqiptare, kryengritës dhe hero i këtij populli, rastësisht na del me një emër musliman të quajtur Iskander kur emri i tij i vertetë ishte Gjergj Kastrioti – Skënderbeg. Ai na del në libër si një grek etnik pasi kjo ishte një temë frymëzuese për shumë shkrimtarë të asaj kohe. Disraeli njësoj si Bajroni e mësoi historinë e Skënderbeut ndoshta më mirë se nga kushdo tjetër, nga libri i Eduard Gibonit, “Rënja dhe Rrënimi i Perandorsë Romake” (1776 – 1789) dhe rishkruar në formën e një romance nga Valter Skoti. Në librin e Disraelit, Iskanderi është një trim i cili ndërmerr një rezistencë të suksesshme të krishterë kundër muslimanëve otomanë duke i kthyer kombit të vet, Epirit, lavdinë e mëparshme.” Dr. Diniejko vazhdon me një letër të Disraelit shkruar me datën 18 nëntor 1830 që ia dërgon mikut të tij Benjamin Austen,” në të cilën ai e përshkruan Janinën si më poshtë:

“Për një javë isha dëshmitar i një skene që përmbante gjithçka që ka një Natë Arabe – Procesione, veshje, kortezhe kalorësish me karvane me deve, shiheshin çdo ditë. Çdo mëngjes ne bënim vizita, merrnim pjesë në aktivitete, shijonim ëmbëlsira, çdo natë kërcimtaret dhe këngëtarët dërgoheshin tek vend-qëndrimi ynë si dhe i disa pashallarëve.”

Siç u tha më lart, novela fillon në Akropolin midis rrënojave të Tempullit të Minervës ku Skëndebeu i ri i veshur në kostum kombëtar shqiptar (të cilin e gjen tek çdo shqiptar, thotë Disraeli) takon Nikean shokun e tij më të ri që është Princi i Athinës. Ai ka ardhur aty për t’i lënë lamtumirën mikut të tij rinosh pasi ka vendosur që të largohet nga ushtria turke dhe t’i bashkohet forcave të krishtera nën komandën e Mbretit të Hungarisë, Huniadit. Skënderbeu ka vendosur të luftojë për pavarësinë e Epirit të rënë nën sundimin turk të asaj kohe. Në kapitullin e dytë Disraeli tregon historinë personale të Skënderbeut.

“Iskanderi ishte djali më i vogël i Princit të Epirit, i cili bashkë me Princat tjerë epirotë në fillimet e pushtimeve turke më kot i kishin bërë rezistencë përparimit të ushtrive të Sulltan Muratit II, drejt Europës. Princi i Epirit e kishte arritur paqen me koston më të lartë të mundshme, duke i dhënë katër djemtë peng sundimtarit turk për të cilët sulltani premtoi se do t’i edukonte deri sa të arrinin tëra rrangjet, madje tu respektonte edhe besimin fetar. Megjithatë, me vdekjen e Princit të Epirit, Murati nuk mund ta lëshonte rastin për t’i shtuar perandorisë së tij Principatën e pasur të cilën kaq shumë e kishte lakmuar.” Thotë Disraeli në librin e tij dhe nuk harron të nënvizoje helmimin e tre vëllezërve të Skënderbeut nga sulltani.

“Rrëfimi i Disraelit i shkon tangent, por është konsistent me historinë. Ai i referohet fazës së parë të fushatës së gjatë të Janosh Huniadit (1406 – 1456) një vojvodë hungarez i Transilvanisë. Ai me mbështetjen e Mbretit Polak Vladislav, hyjnë brenda kufijve të Ballkanit dhe i mposhtin ushtritë turke. Kjo i inkurajoi edhe popujt tjerë të Ballkanit të ngriheshin kundër turqve. Është kjo periudha kur Skënderbeu i përzuri otomanët nga Shqipëria dhe e mbajti shpirtin e revoltës për rreth njëzet e pesë vjet luftëra të pandërprera,” thotë studjuesi polak.

Vepra e Disraelit është shumë e qëlluar, e bukur në formë dhe e mbushur me fakte historike edhe pse në të është futur një linjë tjetër nëpërmjet të personazhit të Nikeas. Nganjëherë autori e përzien subjektin duke e paraqitur Skënderbeun, i cili vepron në një terren tërësisht, historikisht të njohur si shqiptar, por e disorienton lexuesin e paditur drejt një përzierje etnike të heroit dhe shtrirje gjeografike të vendit për të cilin ai lufton (Epirin) në territore greke, gjë që nuk ka ekzistuar kurrë në asnjë histori, asnjë rekord dhe asnjë të dhënë. Madje edhe vetë grekët kurrë nuk kanë guxuar ta quajnë Krujën – Kryqytet të Epirit, një qytet grek. E njejta gjë mund të thuhet për Petrelën apo Kalistën. Le ta ilustrojmë me pasazhin e mëposhtëm:

“Despotët e Bosnjës, Serbisë, Bullgarisë dhe princat grekë të Etolisë, banorët e Maqedonisë, Epirit, Athinës, Foçias, Boetias dhe në të vërtetë tërë rajonet e ngushticës së Korinthit ishin kthyer në haraçpagues të Muratit. Pjesa tjetër e Europës mbrohej pa u marrë në zotërim prej tij vetëm falë përpjekjeve të hungarezëve dhe polakëve, të cilët në një aleancë fatlume ishin bashkuar nën sundimin e Vladislavit.”

Më pas libri tregon aventurën “romantike” të Iskanderit i cili pasi ikën nga ushtria otomane, iu bashkohet forcave të krishtera. Dhe këtu shfaqet talenti i Disraelit si shkrimtar dhe jo si historian. Lady Iduna e bija e Huniadit kapet peng nga Turqit dhe mbahet në Sarajet e Adrianopojës. Ajo sëmurët keqas dhe mëtonjësi i saj, Princi i kurorës otomane, Mahomet, i biri i sulltan Muratit vendos një shpërblim prej njëqint qesesh floriri për atë që e shëron nga ajo sëmundje e çuditshme.

Iskanderi sapo e ka çliruar vendin e tij. Ai gjëndet në Krujë pasi ka kapur tërë territoret e Epirit thuajse në një muaj. Ka marrë pa luftë Petrelën dhe ka përzënë tëra forcat otomane që mos t’i gjëndeshin nëpër këmbë në betejat të cilat e dinte mirë se do t’i kishte me turqit. Pas një muaji kthehet në Krujë dhe hap postën me letra të cilat i kishin ardhur deri në atë kohë. Ai mezi priste lajme nga Huniadi. Pranë tij është edhe miku i tij më i ri grek Nikeas, i cili ka ardhur të gëzojë fitoren e arritur mbi turqit osmanë.

Iskander në një moment stepet kur lexon lajmin se vajza e Huniadit, Lady Iduna është zënë rob nga turqit dhe gjëndej në Adrianopojë. Kjo e bën atë të ndryshojë planet e momentit bazuar në respektin që ushqente ndaj prijësit hungarez dhe një aleance të krishterë që ata kishin bërë. Por në të njejtën kohë ai habitet kur miku i tij grek Nikeas i lutet që të bëjë çfarë të mundet që të shpëtohet ajo vajzë për të cilin ai na paskërkish pasë ushqyer një dashuri të pafundme, por kurrë të shprehur tek Iskanderi.

Nga ana e vet, Iskanderi në takimin e parë me Idunën kishte shkëmbyer dialogun e mëposhtëm dhe kjo nuk kishte ikur pa lënë një shënje emocionale të cilën ai nuk ia ushqente vetes duke ditur detyrat që kishte përpara për çlirimin e vendit të tij:

“Ky është një betim solemn,” tha Iskanderi, edhe më i shenjtë sesa po të ishte shkruar në kodikët e Krishtërimit. Lady Iduna, lutjet tuaja!”

“Ato shkrime janë përherë për atletët e Krishtit,” u përgjigj vajza e Huniadit. Pastaj u ngrit dhe pelerina e gjatë në të cilën ajo ishte mbështjellur mori një formë të shtrirë dhe madhështore.”

“Iskander fisnik, kjo tespihe vjen nga Sepulchra e Shenjte,” i tha atij Iduna, ‘mbaje për hatrin dhe kujtimin e mbrojtësit tonë të bekuar i cili e dha jetën për të larë mëkatet tona.”

“Iskanderi e mori tespihen, preku si pa dashje dorën delikate të vajzës, puthi me buzë të gjitha rruazat dhe i vari rreth qafës.”

Disraeli, në vijim të filozofisë së tij naltësuese të figurave sipas principeve të neoklasicizmit, zbulon këtu disa prej cilësive më të larta të heroit tonë. Me të marrë këtë lajm ai vihet përpara mëdyshjes:

Ose të mbronte vajzën dhe nderin e mikut, një virtyt shqiptar që mbizotëron, por edhe përgjegjësise, patriotizmit dhe ndjenjës së dashurisë për vendin e tij. Pra në një situatë të tillë ai duhet të marrë vendimin që të nxjerrë Idunën nga burgimi por të mos vejë në pikëpyetje lirinë e vendit të tij të sapo çliruar nga turqit.

Ai merr masa të menjëherëshme, therrët ushtrinë e tij dhe prijësit shqiptarë më besnikë, (në libër epirotë) dhe iu ndan detyrat sesi ta administrojnë vendin deri në kthimin e tij. Ai e kishte çliruar Epirin dhe ky çlirim kishte ardhur si një triumf. Por ky largim, për të çliruar vajzën e Hunidait, Idunën, mund të shkaktonte rrënimin e tërë arritjes së tij madhështore.

“Princ i guximshëm! Po të lëshoj në dorë besnikërinë time,” i kishte thënë Huniadi Iskanderit, duke lëvizur përpara drejt tij dhe duke i marrë dorën dhe më pas: “Derisa Iskanderi dhe Huniadi të kenë jetë, ata kurrë nuk do të pushojnë së luftuari bashkë deri sa të arrijnë qëllimet e tyre të larta dhe të shenjta.”

Disraeli nuk perjashton faktin se Iskanderi mund të kishte patur një shkendi ndjenje simpatie për Idunën që në çastin kur e kishte parë në shatorren e të jatit: Por nga ana tjetër nuk është thjesht dashuria ose shumë më pak, një prekje sado elektrizuese të ketë qenë, ajo që e bën atë të marrë përsipër një nga rreziqet më të mëdha të jetës së tij duke hyrë në pallatin e vetë Sulltan Muratit në Adrianopojën, të cilën shumë pak kohë më parë e kishte braktisur. Disraeli e paraqet Skënderbeun si një mjeshtër të organizimit të nxjerrjes së vajzës së Huniadit nga burgimi duke prekur tre linja naltësimi për të:

E para, detyrimi për mikun e madh Huniad,

E dyta ndjesia e vet personale ose ndonjë dobësi e pa vetë-inkurajuar dhe,

E treta por ja më pa rëndësi, hatri i mikut të tij Princit Nikeas i cili shfaqet në një mënyrë thuajse delirante i shqetësuar për fatin e asaj që ai e paraqet si njeriun e tij të zemrës.

Nxjerrja e Idunës nga burgimi nga Skënderbeu është një sajesë e bukur letrare e vendosur në një plan obskur të një bote shërbëtorësh të korruptuar injorantë, qeveritarësh që notojnë në qejfe dhe ëndrra me haraçet e popujve të pushtuar dhe gjakun që ata derdhin anë e mbanë si të ishte diçka krejt e pavlerë. Aftësitë e Skënderbeut këtu janë të jashtëzakonëshme. Intelegjenca, njohja e gjuhëve, njohja e mentalitetit të oborrtarëve të korruptuar të sulltanit, eunukëve, pasardhësit të tij, Sulltan Mahometit – Fatih të ardhshëm dhe dobësinë e tij për gratë, të gjitha i shfrytëzon me mjeshtri për të nxjerrë Idunën nga burgimi dhe ia del ta bëjë këtë.

Pas tërë asaj sage të gjatë Iskanderi gjëndet në Krujë bashkë me Huniadin dhe festojnë së bashku. Si Huniadi ashtu edhe Skënderbeu ndjehen të tradhëtuar nga Princi grek Nikeas, edhe pse tanimë ai kishte rënë në betejë. Në atë kulm gëzimi për fitoren ndaj turqëve dhe shpëtimin e Idunës, Huniadi i afron dorën e saj, Skënderbeut ndërsa turma e entusiazmuar bërtet më eufori:

Zot, ruaje Iskanderin, Mbretin e Epirit!”

Dhe të gjithë njerëzit brohoritën me një zë:

“Zot, ruaje Mbretin tonë!

Zot, ruaje Iskanderin, Mbretin e Epirit!”

Në fakt nuk do të kishte mbyllje më të bukur sesa ajo e dr. Diniejkos kur thotë:

“Naltësimi i Skënderbeut është një prrallë e dashurisë, luftës dhe patriotizmit në të cilën një hero është portretizuar si Zot dhe Kryqi e mposht Gjysmëhënën, në të dya rastet.”

Kjo vepër ka një rëndësi të posaçme pasi shënon një trajtim letrar të temës së Skënderbeut në prozën angleze. Në 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, nxjerrja në dritë në gjuhën shqipe e kësaj vepre letrare plotëson dijet tona për heroin tonë, dhe tregon sesa shumë e kanë admiruar të huajt atë, përfshirë figura të tilla si kjo e Benjamin Disraelit.

(Autori, Mal Berisha, ish-ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, autor e përkthyes i disa veprave me vlerë historike, aktualisht punon në Prishtinë)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat