Historia e Shqipërisë (1912-2012)

Historia

Historia e Shqipërisë (1912-2012)

Më: 5 mars 2018 Në ora: 09:53
Arkiv

Kur mbërriti viti 1912, Ballkani kishte tashmë shumë dekada që ishte kthyer në një “fuçi baruti”. Fuqitë e Mëdha e shihnin rajonin si një vijë kufitare mes Rusisë dhe fuqive perëndimore, mes Turqisë dhe Austro-Hungarisë, ndërsa Italia e shihte si një çështje thelbësore për sigurinë e vet. Shtetet e vogla ballkanike si Greqia, Serbia e Bullgaria po përplaseshin me njëra-tjetrën për të kapur sa më shumë territore të ishte e mundur. Kapja e territoreve nuk mund të realizohej pa një luftë të hapur me Perandorinë Osmane apo kundër Fuqive të Mëdha që qenë shpesh aleate e shpesh armike të perandorisë. Serbia e tentoi një sulm ndaj Bullgarisë (shtet autonom otoman në atë kohë) më 1885 dhe e humbi. Greqia e tentoi një luftë të tillë më 1897 dhe e humbi. Ndërkohë, ndërsa lufta e hapur ishte një punë e rrezikshme, lufta e fshehtë përmes financimit të grupeve famëkeqe guerile ishte një sport i zakonshëm për të gjitha palët. Ky lloj konflikti ishte veçanërisht i famshëm mes viteve 1904 dhe 1908 në Maqedoni, ku bandat greke luftonin ato bullgare, trupat qeveritare turke apo terroristët maqedonas.

Shqiptarët ishin kapur në ngërç. Historia e krijimit të shteteve kombe në Ballkan gjatë shekullit të 19 ishte përplot me masakra, si dhe ato që sot i quajmë “spastrime etnike”, por që në atë kohë njiheshin më së shumti si plaçkë e zakonshme lufte. Perandoria Osmane u dobësua nga revolucionet e brendshme dhe u shkërmoq nga Luftërat Ballkanike. Në këtë pikë, Shqipëria u shpall e pavarur, një shtet i vogël dhe në mbrojtjen e Fuqive të Mëdha. Kufijtë e vendosur në atë mënyrë krijuan menjëherë kushte shumë të papërshtatshme ekonomike. Qytetet më të mëdha me popullatë në shumicë shqiptare si Prizreni, Gjakova, Peja, Dibra, Konica, Shkupi, Struga, Ohri etj., pa përmendur këtu popullatat urbane shqiptare të Shkupit apo Janinës, mbetën jashtë kufijve. Popullata brenda Shqipërisë kishte shumë pak qytete të mëdha dhe normë urbanizimi prej 15.9 përqindësh. Tokat tradicionale të drithërave të bukës u lanë jashtë, duke krijuar një presion të konsiderueshëm për popullatën që mbeti brenda Shqipërisë. Si të mos mjaftonte kjo, fqinjët vijuan të sabotojnë mbijetesën e kombit të ri pas shpalljes së pavarësisë përmes mbajtjes së pushtuar të një pjese të territorit.

Pas Luftës së Parë Botërore, kur më në fund stabiliteti i jashtëm u zgjidh relativisht, u pa edhe që kufijtë e rinj binin ndesh me rrugët tradicionale tregtare, të cilat, në shumicë, ishin në drejtimin lindje-perëndim, ndërsa territori shqiptar u krijua me drejtimin veri-jug.

Shqipëria ishte një vend i depopulluar më 1912. Kishte rreth 27 banorë për kilometër katrorë. Strukturat e vjetra administrative të Perandorisë Osmane nuk qenë të trashëgueshme nga shteti i ri. Rrjeti i rrugëve qëlloi në pozicionin e gabuar. Aksesi i qeverisë qendrore në zonat e largëta të vendit ishte shumë i vështirë për shkak se në strukturën e vjetër të vilajeteve, qendrat administrative mbetën jashtë vendit.

Por Lufta e Parë Botërore, gjatë së cilës ushtritë e shtatë vendeve të huaja kaluan apo qëndruan për një kohë të gjatë në Shqipëri, krijuan një treg të gatshëm për mallrat shqiptare, të cilat u shitën me shumicë në këmbim të metaleve të çmuara, flori dhe argjend. Një vëzhgues i huaj i dërguar nga Lidhja e Kombeve e vuri re praninë e madhe të floririt në xhepat e shqiptarëve më 1921, së bashku me papërshtatshmërinë e rrugëve tregtare dhe mungesën pothuajse tërësore të rrugëve në aksin veri-jug të vendit. Por nga Perandoria Osmane Shqipëria trashëgoi diçka. Bëhet fjalë për një korpus administratorësh ushtarakë e civilë, pra për kapital njerëzor. Nga korpusi i ushtarakëve, një numër i konsiderueshëm patën luftuar me ushtrinë osmane gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Ky korpus ushtarakësh, organizoi më 1920 Luftën e Vlorës. Ishte një luftë e suksesshme, e organizuar më së miri dhe që përfundoi me një marrëveshje paqeje. Ishte lufta e vetme që shqiptarët luftuan dhe realisht fituan në shekullin e njëzetë. Roli i saj në ndërgjegjen kombëtare është zvogëluar tashmë dhe përgjatë njëzet viteve të fundit, përkujtimoret kanë qenë minimale. Por Lufta e Vlorës ishte një ushtrim i aftësisë së shqiptarëve për t’u organizuar në një strukturë shtetërore funksionale dhe të suksesshme.

Kaosi demokratik

Periudha mes Kongresit të Lushnjës më 1920 dhe vendosjes së sundimit të Zogut në janar 1925, përbëjnë një kohë kaosi demokratik. Shqipëria në këtë kohë zhvilloi zgjedhje, pati grupime politike dhe zhvilloi një debat mbi formën e qeverisjes. Shumë besonin se Shqipëria duhej të bëhej një shtet federativ, me krahina autonome dhe me qeveri qendrore të kufizuar te fuqitë e diplomacisë dhe luftës. Gjatë këtyre pesë viteve, Shqipëria ndërroi shumë qeveri dhe hasi shumë kryengritje, disa prej të cilave serioze, e disa të tjera më pak të rëndësishme. Vrasjet e kundërshtarëve politikë qenë të shpeshta.

Në këtë kohë, vendi filloi të mbajë statistika të rregullta për tregtinë e jashtme, si dhe u organizua regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë. Tregtia e jashtme e regjistruar paraqiste rritje të konsiderueshme. Jeta ekonomike e administrative duket se funksiononte. Ndryshe nga sot, shteti shqiptar i kohës siguronte një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave buxhetore përmes dhënies me qira të pronave shtetërore.

Diktatura

Kaosi u ndërpre më qershor 1924. Gjatë vitit që i parapriu këtyre ngjarjeve, dy palët politike kishin debatuar për sistemin zgjedhor që do të zbatohej në Shqipëri. Sistemi zgjedhor, njësoj si edhe sot, kishte më shumë mundësi të përcaktonte fituesin se sa vetë zgjedhjet. Ngjarjet e kësaj periudhe janë studiuar në tërësi vetëm nga historia komuniste dhe rrjedhimisht, është shumë e vështirë të analizohen në mënyrë të pavarur. Historia komuniste thotë se Ahmet Zogu, në atë kohë ministër i Brendshëm, u përpoq të organizonte një grusht shteti që dështoi. Zogu u akuzua për një seri vrasjesh politike të kujtdo që konsiderohej si armik gjatë kësaj periudhe. Libraria e Kongresit, në serinë e vet të artikujve për Shqipërinë, e paraqet këtë periudhë si një luftë politike të bazuar më së shumti te grupet klanore ku aleancat ndryshonin vazhdimisht.

“Edhe më shumë se sa në vende të tjera të Ballkanit, partitë politike qenë grupime të përqendruara rreth një personi që krijonte aleanca të përkohshme për të arritur synimet e veta personale. Partia kryesore Konservatore, Partia e Progresit, tërhoqi disa nga kryetarët e klaneve të Veriut dhe pronarët myslimanë të tokave në Shqipërinë e Jugut. Platforma e tyre kryesore qe kundërshtimi e çdo reforme bujqësore. Pronari më i madh i tokave në vend, Shefqet Bej Vërlaci, udhëhoqi Partinë Progresive.

Radhët e Partisë Popullore përfshinin kryepeshkopin reformator Fan S. Noli, i cili ishte i brumuar me idetë perëndimore në Universitetin e Harvardit dhe pati përkthyer Shekspirin dhe Ibsen në shqip. Kjo parti përfshinte në fillim edhe Ahmet Zogun, në atë kohë 24 vjeç. Mbreti i ardhshëm kishte mbështetje nga disa nga klanet e veriut dhe mbante gangsterë të armatosur në shërbim të vet, por shumë udhëheqës klanorë të veriut nuk mbështetën asnjë prej partive.

Konflikti mes dy partive u kthye në luftë civile në qershor 1924, kur Partia Popullore sulmoi me armë nga Vlora dhe mposhti qeverinë e Tiranës, e cila iku në Jugosllavi. Qeveria e re dënoi me vdekje në mungesë Zogun, Vërlacin e të tjerë, si dhe i arrestoi kundërshtarët politikë që qëndruan në Shqipëri. Noli ishte i izoluar nga të huajtë, të cilët e panë si një udhëheqës i dalë nga kryengritja dhe jo nga zgjedhjet. Zogu u kthye në pushtet pas gjashtë muajsh pasi qeveria jugosllave e armatosi dhe i dha trupa të rregullta për mbështetje.

Qeveria që krijoi Zogu qe diktatoriale. Ai kishte fuqinë e presidentit dhe kryeministrit dhe të drejtën për të emëruar e shkarkuar ministra, të vendoste veton ndaj ligjeve të Parlamentit dhe të emëronte krerët e të gjithë administratës shtetërore. Kundërshtarët e regjimit, të armatosur apo jo, u vranë. Shtypi u vu nën censurë. Zogu e qeverisi Shqipërinë me katër guvernatorë ushtarakë që i jepnin llogari vetëm atij. Gjysmën e buxhetit të shtetit e shpenzoi për mbrojtjen, duke paguar forcat mbështetëse të tij si ushtri të rregullt.

Politika e aleancave fluide afatshkurtra ishte karakteristikë e Zogut, i cili braktisi shpejt Jugosllavinë për të rënë në krahët e Italisë. Italia duket se përdori investimet e veta të vjetra mes klaneve të Mirditës për të organizuar një kryengritje si një masë kërcënuese ndaj sundimit të Zogut dhe ky i fundit, pranoi traktatin e mbrojtjes së përbashkët me Italinë, në 1927, gjë që i dha fund efektivisht funksionimit të Shqipërisë si një vend i pavarur.

Në nënshtrimin ndaj Italisë filloi një rrugë e gjatë dhe e mundimshme që solli njëkohësisht stabilitet politik dhe ngërç ekonomik. Italia kishte në dorë ekonominë e vendit dhe e sabotoi atë vazhdimisht për të mbajtur Zogun nën varësinë e ndihmave të saj ekonomike. Politika e Italisë ishte ngopja e Shqipërisë me borxhe, të cilat përfundonin për investime pa fitim, si ndërtimi i kompleksit të ministrive në Tiranë dhe që Shqipëria nuk kishte gjasa t’i shlyente. Zogu luajti mes Italisë dhe Britanisë së Madhe, duke lejuar ndikimin britanik si baraspeshë ndaj ndikimit italian. Në vitin 1932 Shqipëria falimentoi financiarisht dhe nuk ishte në gjendje të paguante interesat e kredive italiane. Buxheti i shtetit u reduktua me 30 për qind, banka hasi një panik dhe leku pësoi tronditje. Zogu i luftoi italianët duke shtetëzuar shkollat katolike të financuara nga Italia dhe duke përzënë këshilltarët ushtarakë italianë. Më 1934, nënshkroi dy marrëveshje tregtie me Jugosllavinë dhe Greqinë. Italia tentoi fillimisht ta kërcënonte ushtarakisht, pastaj i ofroi mbretit një bakshish me vlerë 3 milionë franga ari. (Rreth 860 kilogramë ar).

Shqipëria u përball me krizën e bukës më 1936.

Italia e pushtoi ushtarakisht Shqipërinë më 1939, kur dërgoi trupa në planin e vet për të pushtuar Ballkanin, duke e përdorur vendin tonë si një urë kalimi. Lufta i solli Shqipërisë përfitime të jashtëzakonshme. Vendi në atë kohë kishte më pak se 1.2 milionë banorë, ndërsa ushtria italiane dërgoi qindra mijëra ushtarë, investoi në ndërtim rrugësh e hekurudhash. Të qindra mijëra ushtarët që e rritën popullatën e Shqipërisë praktikisht me 50 për qind, kishin paga shumë të larta për nivelin ekonomik të Shqipërisë, duke krijuar rritje të shpejtë të mirëqenies. Numri i të punësuarve me rrogë u rrit me shpejtësi, pagat u dyfishuan në krahasim me kohën e Zogut. Shqipëria u pajis me afro 1500 kilometra rrugë të ndërtuara brenda pak vitesh, rrugë që vijuan t’i shërbenin vendit deri pas viteve ‘90. Pas mposhtjes së Greqisë dhe Jugosllavisë nga Gjermania në vitin 1941, qeveria shqiptare u lejua të shtrijë aktivitetin e saj në Kosovë e troje të tjera të banuara nga shqiptarët, ku shpërndau gjuhën shqipe dhe identitetin shqiptar. Tokat e Kosovës siguruan prodhimin e nevojshëm të drithit për të ushqyer të gjithë popullatën.

Lufta e Dytë Botërore është gjithashtu e studiuar deri më sot vetëm nga historia zyrtare komuniste dhe mbetet e pazbardhur për shqiptarët. Por fakti është që dy vitet e para të pushtimit italian qenë të qeta dhe pa aktivitete guerilase. Këto aktivitete u shfaqën nga viti 1942. Komunistët refuzuan disa oferta nga grupimet e tjera për të vendosur paqe. Udhëheqësit komunistë e kalitën veten me vrasje dhe morën pushtetin në vitin 1945.

Dy lëvizjet kryesore të kohës, Balli Kombëtar dhe Partia Komuniste, nuk u bashkuan për shkak të këndvështrimeve të ndryshme që kishin në lidhje me Kosovën, thotë Libraria e Kongresit. Komunistët refuzuan bashkëpunimin me Ballin Kombëtar pas Konferencës së Mukjes nën presionin e jugosllavëve. Një muaj më vonë, Italia shpalli kapitullimin dhe Gjermania pushtoi Shqipërinë, por deklaroi se njihte shtetin e pavarur shqiptar. Në dhjetor ‘43, në veri u krijua Lëvizja e Legalitetit, një forcë antikomuniste dhe antigjermane. Këtu filloi edhe lufta civile, ku Balli Kombëtar dhe Legaliteti refuzuan të luftojnë me armë ose qenë të pafuqishëm përballë komunistëve, të cilët morën pushtetin pas largimit të gjermanëve.

Vitet e para të pasluftës Shqipëria përfitoi ndihmat e UNRRA, një zyrë e OKB-së për zgjidhjen e problemeve emergjente të pas luftës. Ndihmat ushqimore të UNRRA kompensuan përkohësisht humbjen e drithit të Kosovës. Por Shqipëria e shtyu disa vite me fitimet e stërmëdha të realizuara nga tregtia me okupatorin italian.

Hoxha ndoqi rrugën e Zogut në krijimin e kultit të individit. Vrasjet politike morën përmasa të stërmëdha. Me qindra vetë u ekzekutuan që në ditët e para të sundimit komunist. Në planin e jashtëm, Shqipëria u bë menjëherë një shtet vasal i Jugosllavisë. U pranua me shpejtësi bashkimi doganor, një kurs këmbimi i pafavorshëm mes frangut shqiptar dhe dinarit jugosllav dhe serbokroatishtja filloi të mësohet në shkolla. Në vitin 1948, Shqipëria u shkëput me shpejtësi nga Jugosllavia dhe u lidh me Bashkimin Sovjetik.

Marrëveshja për Miqësi dhe Bashkëpunim e vitit 1946 ishte e ngjashme me atë që Zogu pati nënshkruar me Italinë më 1926-n. Si në kohën e Zogut, ku aleancat ndërkombëtare shoqëroheshin me shuma parash në formën e ryshfetit, edhe në këtë rast ndodhi kështu. Beogradi i ofroi Shqipërisë 40 milionë dollarë, një shumë e barabartë me gjysmën e buxhetit të shtetit shqiptar të asaj kohe. Jugosllavia pranoi gjithashtu të blinte kromin shqiptar me çmim më të lartë se sa tregu ndërkombëtar, si një shenjë e vullnetit të mirë.

Shqipëria kaloi një krizë të rëndë buke, në vitet 1948-1950. Por gjatë viteve ‘50 deri në ndarjen me Bashkimin Sovjetik, duket se punët filluan të përmirësohen. Moska i dha Shqipërisë disa qindra milionë dollarë, të cilat shërbyen për të ndërtuar industri të lehtë dhe të rëndë. Vendi filloi të realizojë për herë të parë më shumë se gjysmën e prodhimit vjetor nga industria dhe shërbimet, urbanizimi u rrit me shpejtësi. Më 1957, Moska ia fali Shqipërisë 105 milionë dollarë.

Zhvillim dhe dhunë

Periudha e regjimit komunist ishte një kombinim i zhvillimit ekonomik me dhunën policore dhe punën e detyruar. Që nga viti 1946, të burgosurit u përdorën për të hapur kënetat dhe minierat. Shqipëria pësoi një zhvillim shumë më të ngadaltë se sa vendet e tjera të Ballkanit gjatë periudhës 45-vjeçare komuniste dhe në raport me Jugosllavinë, Bullgarinë apo Rumaninë, doli më e varfër në vitin 1990 nga sa kishte qenë në vitin 1945. Shqipëria humbi gjatë kësaj kohe tranzicionin demografik, kalimin nga ekonomia e manifakturës tek ekonomia e shërbimeve, si dhe mbeti një vend në mazhorancë rurale, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit u bënë vende urbane.

Njëzet vitet e post-komunizmit mund të klasifikohen si vite të kaosit të dytë demokratik, ku vrasjet politike nuk kanë munguar, megjithëse kanë qenë shumë më të pakta se sa më parë. Oportunizmi mbetet vlera më e rëndësishme dhe më shpërblyese në politikë.

Oportunizmi

Oportunizmi politik ka qenë çelësi i suksesit të disa politikanëve shqiptarë. Zogu u largua nga partia e Nolit dhe luftoi kundër tij më 1924, ndërsa Hoxha mbështeti Jugosllavinë para se të vriste Koçi Xoxen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat