Mësuesi i parë i Atë Gjergj Fishtës ishte poeti i njohur arbëresh…

Historia

Mësuesi i parë i Atë Gjergj Fishtës ishte poeti i njohur arbëresh…

Më: 16 mars 2018 Në ora: 23:26
Gjergj Fishta

Më 12 korrik 1923 u nda nga jeta, në Napoli, poeti e shkrimtari arbëresh Atë Leonardo de Martino. De Martino lindi në fshatin Greç të Kampanjës në krahinën e Avelinos. Që i ri u nis si misionar në Shkodër, ku luajti një rol të dorës së parë në veprimtarinë për hapjen e së parës shkollë italiane në Shqipëri. Kreu shërbimin meshtarak kryesisht në Troshan, në dioqezën e Zadrimës dhe në fshatrat e Lezhës.

Për një farë kohe shërbeu si sekretar i Prenk Pashës, princ i Mirditës dhe si kujdestar i të birit, Prenk Bibë Dodës (1858-1920). Por nxënësi i tij më i shquar qe katundari i vogël Zef Ndoci, të cilin duart e tij të mësuara e shndërruan në Atë Gjergj Fishtë, poti i cili do ta ngrinte traditën e poezisë së Shqipërisë veriore, në majat më të larta. E kjo mund të konsiderohet edhe kryevepra e fratit de Martino.

Atë Leonardi u largua nga Shqipëria në fund të shekullit XIX dhe mbylli sytë në moshën nëntëdhjetë e tre vjeçare në kuvendin e Sarnos në Itali, më 12 korrik 1923.

I la trashëgim kulturës shqiptare pasurinë që mblodhi gjatë dyzet vjetëve të shërbimit në provincën françeskane: veprat, të përkthyera e origjinale, shkruar në dialektin gegë. Ndërmjet tyre kujtojmë: ‘Vaji i hapses’, variant shqip i ‘Il lamento della prigionera’ të poetit dhe romancierit milanez, Tomaso Grosi (Tommasso Grossi, 1790-1853), të cilën ia kushtoi Dora d’Istrias më 1868; ‘Munnimi i Jezu Krishtit’ (1875), përkthim i veprës ‘Passione di Gesù Cristo’ të Pietro Metastasios (1698-1782) e, sidomos, veprën origjinale lirike ‘L’Arpa di un italo-albanese, (Harpa e një arbëreshi), Venedik 1888.

Është një përmbledhje e vëllimshme 442 faqesh e poezisë më të pjekur e më të përpunuar të De Martinos në italisht e në shqip, shkruar me finesë e pasuri metrike të pazakontë për letrat shqipe të kohës. Njihet edhe për pjesën teatrore të shkurtër ‘Nata e Këshnellavet’, Shkodër 1880, e para në llojin e vet në shqipe.

Emri i tij lidhet ngusht edhe me shpalljen e Zojës së Këshillit të Mirë ‘Pajtore e Shqiptarëve’. Pamfleti poetik, që qarkulloi me këtë rast të jashtëzakonshëm festiv, kushtuar Zojës së Bekuar, është një ndër krijimet e tij më të frymëzuara

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat