Trungu familjar i Maliq Pashës – Pashaut të Pashallëkut të Kosovës

Historia

Trungu familjar i Maliq Pashës – Pashaut të Pashallëkut të Kosovës

Nga: Prof.Ma Merita Veseli Berisha Më: 19 mars 2018 Në ora: 19:25
Vulen personale te Maliq Pashes

Kush ishte Maliq Pasha ?

Ishte feudali i njohur nga familja Gjinolli, i cili titullin pashë e arriti të merrte gjatë kohës së luftrave Austo – Turke 1778 -1791. Në konfrontimin luftarak në Bërzaske me kryengritësit serb, zuri të gjallë udhheqësin e tyre Koçu Angjelkoviq dhe si shpërblim nga Sulltan Selimi III mori titullin Pashë.

Burimet e vetme që janë dhënë rreth të parit të vëllazërisë Gjinolli janë burimet e historianit turk Mehmet Surie që sipas tij, Gjinollët janë me prejardhje nga Haxhi Ali – pashë Gjinolli, i cili një kohë ka shërbyer në Qystendil dhe pastaj në Nikopojë. Në vitin 1123 (sipas hixhrit) ka vdekur në Greqi. Haxhi Ali – pashën e ka trashëguar djali Ibrahim – pasha. Djali i Ibrahim – pashës është feudali i njohur Maliq – pashë Gjinolli, i cili ka vdekur në Kryengritjen e parë serbe në luftë kundër ushtrisë serbe në vitin 1809 në Kamenicë afër Nishit.

Sipas disa të dhënave gojore Rauf be Gjinolli me banim në Vranjë kishte djem Baftijar be Gjinollin, Maliq pashën, Mustafa beun dhe Osman beun, këta dy të fundit nuk kishin lën trashëgimtar. Baftijar beu për trashëgimtar kishte lënë Mehmet beun, e që trashëgimtarë të tij ishin: Jashar pasha, Mahmut pasha me banim në Vushtrri, Misin beu, pronat e këtij të fundit shtriheshin në rrethinën e Komunës së Vitisë, pasardhës tjetër ishte edhe Hyrshid apo siç thirrej ndryshe Rashid beu.

Baftijar Beu i njohur si themelues i qytetit të Gjilanit si qendër administrative, ka vdekur në vitin 1800, ndërsa, Mustafa Beu ka vdekur në vitin 1811, që të dy kanë jetuar në Gjilan, para pak kohe gurët mbivarror të tyre janë gjetur në varrezat e qytetit të Gjilanit, ndërsa sot gurët e varreve gjenden në oborrin e Qendrës Rajonale për Trashegimi Kulturore

Burimet të cilat i posedojmë, gjenealogjinë e familjes Gjinolli e paraqesin më ndryshe. Maliq Pasha ishte vëllai i Mehmet beut, i cili pasi që nuk kishte lënë pasardhës djem, merr djalin e vëllaut (Mehmet beut), Jashar pashën si djalë të shpirtit për trashëgimtar.

Në mbarim të shek. XVIII dhe fillim shek. XIX siç duket gjenealogjia e familjes Gjinolli, ndahej në dy degë, në atë të Prishtinës që fillon me Maliq Pashën dhe atë të Gjilanit që fillon me Baftijar Beun. Në bazë të të dhënave që i kemi në dispozicion, trungu familjar i vijës Prishtinase padyshim që fillon me feudalin e njohur Maliq pashë Gjinollin, i cili titullin pashë e kishte fituar në luftë kundër Koqa Anxhelkoviqit në vitin 1788, ndoshta edhe kjo ishte koha kur Maliq pasha

ka qeverisur Prishtinën. Për sa i përket vitit të vdekjes së Maliq pashë Gjinollit, janë dhënë verzione të ndryshme lidhur me këtë, si viti 1809 në luftë kundër Kryengritjen së parë serbe në Kamenicë afër Nishit, pastaj viti 1812 etj. Sipas literaturës në shqyrtim, Maliq pashë Gjinollin e gjejmë të përmendet në vitin 1822, këtë e dëshmon edhe peticioni i tre kadillëqeve të Vushtrrisë, Prishtinës dhe Novobërdës, të datës 18 shkurt 1822, dërguar sulltanit për largimin e Maliq pashë Gjinollit nga posti i mir-i miranit (prefektit) të Prishtinës. Ndërsa vetëm edhe në vitin 1826 në krye të Prishtinës, si trashëgimtar të postit, e gjejmë Jashar Mehmet pashë Gjinollin. Me gjasë ky vit mund të kishte qenë edhe viti i vdekjes së Maliq pashë Gjinollit.

Maliq Pashën e trashëgoi djali i vëllaut të tij Jashar pasha, i cili kishte lidhur krushqi me Bushatlinjtë ku në mesin e gushtit 1812, Mustafa Pashë Bushati martoi me Jashar Pashën, djalin e adoptuar dhe trashëgimtarin e qeveritarit të Prishtinës, kushërirën e tij, të bijën e Ibrahim Pashës.

Jashar Pasha kishte dy djem Bahtijar Pasha dhe Aburrahman Pashën. Gjatë kohës të aplikumit të reformave të sulltan Mahmudit II, Jashar pasha mori pjesë në luftrat kundër vezirit të madh Mehmed Reshid pashës, pastaj mori pjes në luftërat në mes të Gradashqeviqit dhe ushtris nizame osmane, duke arritë që të nxjerr gradën mytesarif i Shkupit. Në Shkup i vdes djali i madh Bahtiar pasha. Për shpirt të tij Jashar pasha rindërtoi xhamin ku edhe sot ekziston mbishkrimi origjinal i vitit 1834 (1250 sipas hixhrit). Për vdekjen e Jashar Pashës janë dhënë verzione te ndryshme. Sipas H. Kaleshit meqë ishin likuiduar dhe internuar pashallarët kosovarë të cilët kishin bërë rezistencë më të madhe kundër reformave. Në Stamboll qe ftuar edhe Jashar Pasha dhe në vitin 1840 qe likuiduar. Është varrosur në Stamboll në kuartin Shehzadebashi. Ndërsa sipas M. Surie, Jashar Pasha ka vdek në vitin 1846 në Carigrad. Abdurrahman Pasha pas vetes kishte lënë katër djemtë: Zija – begun, Ibrahim – begun, Ali Danish – begun dhe Fuad pashën. Këta dy të fundit kanë luajtur rol të rëndësishëm në lëvizjet shqiptare pas revolucionit xhonturk, ndërsa Ali Danish beu ka qenë edhe ambasador i Turqisë në Moskë, ministër dhe shkrimtar.

Ali Danish begu, i biri i Abdurrahman pashës së Prishtinës, në vitin 1912 shpërngulet në Turqi, dhe zgjedhet Sekretar i Ambasadës Turke në Moskë. Ndërsa për trashëgimtar ka lënë djalin Ibrahimin. Fuad Pasha ka vdekur i pamartuar, duke mos lënë trashëgimtarë. Zija begu si anëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, internohet në Siri nga Porta e Lartë së bashku me familjen e tij e më vonë në Turqi, me këtë vija prishtinase e familjes feudale të Gjinollëve shuhet, kjo erdhi si pasojë e luftërave ballkanike dhe pavarësisë së gjysmës së trevave etnike shqiptare, ndërsa

Kosova, një pjesë të së cilës e kishte qeverisur familja feudale e Gjinollëve, mbeti nën sundimin serbo - malazez.

Trungu i familjes feudale të Gjinollëve, nuk është lehtë të rikonstruohet, ajo është e njëjtë sikurse ndërtimi i një mozaiku, dhe mungesa e një pjese të vetme shpie në vështërsi për kompletimin e figurës apo vazhdimin e plotësimit të saj.

Për një periudhë, paralelisht me vijën prishtinase, familja feudale e Gjinollëve është paraqitur edhe në pjesën e Anamoravës. Në raportet e Mazreku, kryepriftit të Janjevës në letrën e 8 të vitit 1797 dërguar Kongregatës, Bahti be Gjinollin e gjejmë të përmendet në Gjilan. Nga ky raport mësojmë se Bahti Beu kishte lënë trashëgimtarë, pasi që Mazreku mezi ka arritur të festojë krishtlindjet me thirrjen e Bahtijar beut ka shkuar në Gjilan edhe dy herë të tjera që të lutet për djalin e tij, i cili ishte i sëmurë nga epilepsia. Ky burim i lënë përgjysmë nuk na lejon të kuptojmë se a bëhet fjalë për pasardhësin e lartëcekur, por lejon të kuptojmë se Bahti Beu kishte lënë pas trashëgimtarë.

Sipas burimeve, vija gjilanase e familjes feudale të Gjinollve vazhdon më pas me Hyrshid apo ndryshe siq thirrej Rashid beu. Sipas etnologut tonë të njohur Kadri Halimi, Rashid be Gjinolli kishte për grua një serbe të quajtur Bejaz hanëm (Zonja e bardhë). Meritë e saj është që në Gjilan u ndërtua kisha ortodokse që gjendet edhe sot. Rashid – beu me këtë grua ka pasur djemtë Maliq begun dhe Hamdi begun. Për këtë të fundit nuk kemi të dhëna lidhur me trashëgimtarët e tij. Ndërsa, për Maliq beun i cili një kohë ishte kajmekam i Gjilanit, i njohur për të bëmat e tij kundër kriptokatolikëve shqiptarë të Moravës së Epërme në vitet 1846 - 1848, la pas vetes këta trashëgimtarë: “Hyrshid beun, Rifat beun, dhe Izet beun. Maliq beu ndryshe i quajtur Malik begu, kishte lënë edhe një vajzë, Afifen.

Gjenerata e fundshekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, padyshim se janë nipërit e Maliq beut të Gjilanit, të cilët luajtën rol të rëndësishëm në zhvillimin e ngjarjeve të kohës. Njësoj sikurse në Prishtinë, Fuad Pasha që kishte arritur ta merrte titullin Pasha, në Gjilan këtë e kishte arritur, Mustafa Pasha, djalë i Hyrshid Beut, ndërsa nip i Maliq Beut, ishte pasha i fundit i familjes Gjinolli në Anamoravë, njëri ndër çifligarët më të mëdhenj të kësaj treve. Vëllezër të Mustafa pashës dhe pasardhës tjerë të Hyrshid Beut ishin edhe Haxhi Hamdi Beu, Ali beu, Tefik Beu, Hysein beu, që sipas vëllazërisë Gjinolli konsiderohen si Gjenerata e tretë e tyre. Ndërsa trashëgimtarë të djalit të Maliq beut - Izet beut janë: Gjymshit beu, Melek beu, Zyrije, Esma, Badem, Ajshe dhe Xhelabije. Rifat beu, i biri i Maliq begut nuk kishte lënë trashëgimtarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat