Spartak Ngjela zbërthen prapaskenat rreth asociacionit: Diçka antishqiptare ka brenda tij, qëndrimi i Kurtit është dinjitoz

Intervista

Spartak Ngjela zbërthen prapaskenat rreth asociacionit: Diçka antishqiptare ka brenda tij, qëndrimi i Kurtit është dinjitoz

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 20 nëntor 2023 Në ora: 11:57
Avokati Spartak Ngjela, foto ilustrim nga "Bota sot"

Avokati nga Shqipëria, Spartak Ngjela në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur në lidhje me ngjarjet e fundit si dhe temat e tjera politike.

Ai fillimisht theksoi qëndrimin e qartë që kryeministri Kurti e ka bërë në lidhje me kërkesat e Serbisë, duke i vënë theks qëllimit që Serbia ka në raport me Kosovën.

“Beogradi kërkon të ‘vërtetojë’ në marrëveshje me Prishtinën autonominë e katër komunave serbe në Veriun e Kosovës”, u shpreh avokati.

Ndërsa, sa i përket dialogut Kosovë – Serbi, ai thotë që është vetëm fitim kohe për Serbinë dhe asgjë tjetër.

I pyetur për draft-statutin e Asociacionit që ndërkombëtarët po mbajnë sekret, avokati thotë që fakti që mbahet sekret diçka antishqiptare ka brenda tij; ose janë duke bindur Beogradin për të njohur realitetin historik.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si i komentoni zhvillimet e fundit politike në Kosovë?

Spartak Ngjela: Zhvillimet e fundit kanë sjellë mendimin që serbët e Kosovës duhet të lejohen të votojnë në zgjedhjet që po priten në Sebi.

Albin Kurti u tregua i qartë kur tha duhet të njihet shteti i Kosovës nga Serbia, që të funksionojë edhe kjo marrëveshje.

Kjo është arsye juridike dhe kushtetuese e shtetit të Kosovës.

Kërkesa e Serbisë pa njohur pavarësinë e shtetit të formuar të Kosovës, është ligësia e vjetër serbe në vijim, që asnjëherë nuk ka ditur të shprehë një ide për të vërtetën.

Gënjeshtër e madhe është vetë Serbia që nga formimi i saj si shtet i pavarur.

Por, tani Serbia është një shtet i mundur në luftë dhe ka gjithmonë shpresë te krijimi i situatave antishqiptare.

Ç'do të thotë votimi i serbëve të Kosovës në zgjidhjet e Serbisë, kur Serbia e konsideron juridikisht dhe konstitucionalisht shtetin e pavarur të Kosovës si territorin e saj?

Po si nuk hoqën dorë këta agresorë banalë nga veprime subversive kundër shqiptarëve! Edhe ky rast, një i tillë është. Beogradi kërkon të "vërtetojë" në marrëveshje me Prishtinën autonominë e katër komunave serbe në Veriun e Kosovës.

Manovër kjo sa e ligë, edhe e trashë si konceptim politik.

Por kryeministri i Kosovës u tha në mënyrë të prerë: këto marrëveshje bëhen vetëm midis dy shteteve të pavarur që njohin pavarësinë kushtetuese të njëri-tjetrit.

Dhe kjo mjafton për të lartësuar dinjitetin e shtetit shqiptar të Kosovës.

“Bota sot”: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po vazhdon tash e disa vite. Sa larg sipas jush jemi për një marrëveshje finale?

Spartak Ngjela: Deri tani ky dialog ka qenë një veprim absurd. Dialogu strukturohet dhe vijon për të arritur një marrëveshje juridike të drejtash në bashkëjetesë ndërkombëtare midis dy shteteve që kanë qenë në luftë: Njëri si pushtues dhe tjetri si i pushtuar nga pushtuesi.

Kurse dialogu Serbi-Kosovë realisht është një sorollatje serbe për të fituar kohë. Asgjë më shumë. Një absurditet i kotë që nuk jep asgjë, por fyen shqiptarizmin në Gadishullin Ilirik.

Çfarë dialogu mund të bëjë një ish koloni që ka fituar lirinë dhe pavarësinë e vet në një luftë  çlirimtare, me kolonizatorin pushtues që ka bërë vetëm krime historike kundër shqiptarëve të Kosovës?

Përse dialogojnë?

Çështja është shumë e thjeshtë, prandaj përmbajtja e këtij dialogu duhej të ishte që: Kosova që ka fituar pavarësinë me luftë kundër Serbisë kërkon që i munduri në luftë të pranojë Kushtetutën aktuale të Kosovës. Gjithë të tjerat janë absurditet historik.

Ke qenë pushtuesi im, të kam mundur në luftë dhe me këtë luftë kam fituar pavarësinë e 2 milionë shqiptarëve etnikë në trojet e tyre mijëravjeçare. Më njeh apo jo?

Nesë nuk më njeh, aq më bën. Unë jam një shtet i pavarur.  Historia vijon. Kjo është arsyeja.

Gjithë të tjerat janë lodhje e kotë në favor të Serbisë, e cila po kërkon të fitojë kohë.

Por, në fakt, po pret petulla nga qielli, se botën shqiptare në Gadishullin Ilirik nuk ka më forcë që ta cenojë as në një qime floku.

Kjo është koha e Dardanisë dhe e dardanëve. Serbët le të bredhin nëpër hapësirat e ligësisë së tyre shekullore.

“Bota sot”: Sipas jush takimet e fundit në Bruksel ndërmjet udhëheqësve të shteteve evropiane (Gjermanisë, Italisë, Francës) me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq  a kanë sjellë kthesë tjetër dialogu?

Spartak Ngjela: Jo, deri tani asgjë. Sepse secili mbajti qëndrimin e vet. Unë ju thashë: Ligësia serbe kërkon kohë. Por, serbët po lodhen kot. Asgjë nuk mund t'u bëjnë më shqiptarëve. Dhe qëndrimi i Albin Kurtit është qëndrimi dinjitoz i kryeministrit të një shteti që është fitues në luftë kundër Serbisë në fitimin e pavarësisë së vet.

“Bota sot”: Temë e diskutuar këto ditë ka qenë draft-statuti i Asociacionit, për të cilën është kërkuar të mos jepen detaje. A mund të ketë elemente në kundështim me kushtetutën e Kosovës?

Spartak Ngjela: Fakti që mbahet sekret diçka antishqiptare ka brenda tij; ose janë duke bindur Beogradin për të njohur realitetin historik.

Megjithatë duhet parë kur të botohet normalisht.

Por na duhet të theksojmë se...

Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës kanë filozofinë e tyre të rrënjosur te Pavarësia e Kosovës, pavarësi kjo e fituar në një Luftë Botërore, ku forca ushtarake e NATO-s me vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, bombardoi Beogradin dhe çliroi shtetin e Kosovës.

Ky është gjykimi absolut i kësaj kohe. Të tjerat janë fjalë pa asnjë vlerë historike.

“Bota sot”: Raportet e ngushta janë parë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me Vuçiqin. Si e komentoni këtë raport? A do të duhej të ishte Shqipëria krah Kosovës?

Spartak Ngjela: Nuk di çfarë të them, sepse duhet të shohim qëndrimet e kryeministri të Shqipërisë.

Dyshim mund të ketë. Por kryeministri i Shqipërisë nuk ka asnjë gjë në dorë në lidhje me shtetin e Kosovës.

Kryesorët në këtë kohë janë: Kuvendi i Kosovës dhe qeveria e Kosovës.

Por, gjithsesi, akti politik i kryeministrit të Shqipërisë në lidhje ne shtetin shqiptar të Kosovës, duhet parë në çdo çast të marrëdhënieve mes dy shteteve shqiptare, sepse ka rëndësi të veçantë.

Unë deri tani po e shoh me vëmendje marrëdhëniet Rama - Vuçiç, por pavarësisht nga ndonjë rast jo shumë i qartë, nuk mund ta dimë saktë: jemi në politikë apo në një shkelje të interesit kombëtar nga kryeministri Rama.

Të shohim më tej...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat