Ramiz Kelmendi tregon pse u largua nga AAK-ja e PDK-ja, e kaloi në LDK

Intervista

Ramiz Kelmendi tregon pse u largua nga AAK-ja e PDK-ja, e kaloi në LDK

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 31 janar 2017 Në ora: 14:08
Zëvendëskryeministri, Ramiz Kelmendi

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, numri dy i Qeverisë, Ramiz Kelmendi, ka treguar se çfarë do të ndodhë më tej me procesin e Demarkacionin dhe Asociacionit. Gjithashtu ai ka komentuar edhe tensionet Kosovë –Serbi, ndërsa ka hedhur poshtë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Bota sot: Z. Kelmendi, si e komentoni situatën e krijuar rreth provokimit serb përmes trenit, që ndër të tjera kishte edhe simbole kombëtare kundër Kosovës?

Ramiz Kelmendi: Prej Serbisë nuk pritet tjetër gjë, sigurisht është dashur të shkruante fjalët për kërkim falje për gjenocidin që ia ka bërë jo vetëm Kosovës, por edhe pjesëve tjera të Jugosllavisë. Mendoj se është një provokim i radhës nga shteti serb, sigurisht që pritet gjithnjë të ketë këso lloj provokimesh, për arsye se janë në një pozitë gjeografike që mundet të na provokojë rregullisht. Por, përgjigjja e organeve kompetente të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ishte në nivelin e duhur dhe mbështetja ndërkombëtare ishte edhe ajo në nivelin e duhur dhe me këtë rast u ndal ky agresivitet dhe ky provokim dhe treni nuk arriti të hyjë.

Bota sot:  Si e shihni nga këndi juaj këtë provokim nga Serbia, çfarë dëshiron të arrijë Serbia, sipas jush me provokimet e fundit, fillimisht, muri, më pas fletarrestimi i Haradinajt, tani dërgimi i trenit në drejtim kah Kosova?

Ramiz Kelmendi: Serbia më shumë ka luajtur në një letër të ndryshimeve politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa po luan edhe ne letër ndoshta edhe të fuqizimit të Rusisë. Pra, është duke dashur ta ngacmojë situatën për të parë sa është niveli i përgjigjes ndaj këtyre aktiviteteve, nga kjo ata nxjerrën një mësim që qëndrimet e miqve ndërkombëtarë po vazhdojnë të mbesin të njëjta, ndërsa edhe mbështetja si duket edhe nga Rusia nuk i erdhi ashtu siç mendonte. Prandaj, është parë që ishte një tentim për të cilin pësoi një disfatë edhe vetë fakti që kërkoi apo angazhuan të nxisin bashkëbisedime me shtetin e Kosovës, kjo tregoi se ata disfatën e kuptuan shumë seriozisht.

Bota sot:  Si i vlerësoni deklaratat e krerëve qeveritarë serb, me pretekstin se do të mund të kishte incidente, nëse ata nuk do të vendosnin për ta rikthyer trenin. Kishte zëra në opinionin serb se mund të ketë konflikt lufte?

Ramiz Kelmendi: E gjitha kjo është pjesë e provokimeve, unë mendoj se me këtë provokim më shumë kanë nxitur frikën, edhe tek banorët e pakicës serbe dhe ata sigurisht janë ndjerë jashtëzakonisht keq, sepse për çdo mospajtim apo konflikt i mundshëm i saj rrezikon që ata të lëvizin, apo të ndjehen të pasigurtë. Kjo ka ndikuar edhe tek banorët shqiptarë për arsye se çdo provokim i Serbisë është një far lloj pasigurie investive te qytetarët.Qeveria për këtë rast gjithmonë ka pasur tendencë që këto provokimet serbe t’i izolojë, që të jenë vetëm përgjegjësi të organeve qeveritare  e mos të jetë pjesë e dëmtimit të gjendjes shoqërore, domethënë qytetarëve, që ata të mos brengosen dhe të merren me këtë rast.

Bota sot: Një temë tjetër e pazgjidhur është Asociacioni. Lista Serbe është deklaruar se do ta themelojnë të vetëm, sa do të ishte legjitim një asociacion i themeluar në këtë formë?

Ramiz Kelmendi: Gjykata Kushtetuese ia ka dhënë të drejtë që një marrëveshje e ndërtuar në Bruksel, të ketë një Asociacion, por atë marrëveshje e ka ridizanjuar dhe e ka përshtatur në kuadër të ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës dhe tani është fituar një e drejtë që ky asociacion të formohet, faktikisht edhe bashkësia ndërkombëtare nxit presione që krijimi i asociacionit të bëhet. Është një e keqe që krijimi i Asociacionit nga pala serbe nxit edhe kjo një lloj konflikti apo një shtytje që ose e formojnë organet legjitime të Kosovës ose e formojnë organet paralele të Kosovës. Prandaj Qeveria e Republikës së Kosovës është në një gjendje që i nevojitet kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës dhe formimi i këtij asociacionit me pjesëmarrjen e të gjitha strukturave politike, në mënyrë që të jetë asociacion i unitetit kombëtar, e të mos jetë asociacion i koalicionit qeverisës. Duhet pasur shumë konsideratë, sepse një çështje e ndjeshme dhe formimet të tilla pastaj kërkohen anulime të ndryshme dhe shpesh herë më mirë është të mos lejohet të bëhet të formë të njëanshme, sesa pastaj të kërkohet edhe anulimi i kësaj forme.

Bota sot:  Ministri Enver  Hoxhaj në fund të 2016-ës, pati deklarua a se nëse Demarkacioni nuk kalon gjatë muajit janar, liberalizimi i vizave nuk do të ndodh as gjatë vitit 2017. Në çfarë pike ka arritur çështja e demarkacionit, a është duke u diskutuar brenda kryeministrisë rreth kësaj dileme?

Ramiz Kelmendi: Qeveria ka sjellë edhe një vendim për formimin e komisionit i cili, do ta bëjë matje e Republikës së Kosovës. Unë shpresoj, se formimi i këtij komisioni është një hap para, që të matet sipërfaqja dhe të dalë në dritë se a është e vërtetë që ne kemi humbur territor nga ajo sipërfaqe që ne masim në bazë të kushteve që i kemi.  Në një kohë të caktuar i ka marrë edhe Maqedonia 2 mijë e 500 hektarë dhe Parlamenti i Kosovës ka vendosur për kthimin e 2 mijë e 500 hektarëve që kanë qenë pjesë e Maqedonisë, por që praktikisht e ka përdorur Republika e Kosovës, edhe aty kemi pasur shumë protesta, por një pjesë e madhe e deputetëve edhe të zonave të ndryshme kanë vendosur. Nga kjo kuptohet që ne duhet të dimë, ku jemi tash me sipërfaqe realisht. Sipas ekspertëve është e ditur që ne nuk po humbim, mirëpo pse mos të provojmë edhe një herë, sepse matja nuk e dëmton askënd, matja është vetëm një akt shumë ligjor, juridik që na bën të gjithëve të jemi të bindur mbi një gjendje faktike të sipërfaqes së Republikës së Kosovës. Opozita shpesh herë thotë se kufijtë nuk janë përcaktuar edhe kur e kemi dhënë Debellden nuk i kemi pasur kufijtë e përcaktuar, por të gjitha këto janë bërë në matje të ndryshme të kufjinve që kanë ekzistuar në harta e caktuara.

Bota sot:  Sa do të merrte kohë një gjë e tillë dhe nëse nuk do të kishte rezultate që Kosova humb tokë ose jo, cilët do të ishin hapat alternativ të mëtutjeshëm rreth demarkimit kufitarë me Malin e Zi?

Ramiz Kelmendi: Unë mendoj, se koha që kjo matje merr është shumë më e vogël, se sa koha që jemi duke e humbur për qytetarët tanë rreth liberalizimit të vizave. Kjo e gjitha që siç është planifikuar nevojitet një kohë prej 4 orëve. 4 orë punë është, për shkak të matjes së sipërfaqes në prezencën e njerëzve që nuk janë profesionalistë dhe që ta shohin saktësisht si po matet dhe ta bindin çdo njeri që matja ka të bëjë me formën transparente dhe nuk ka asnjë cenim të asnjë të drejte.  Prandaj, janë 4 orë matje edhe pse praktikisht ajo matje në mënyrë profesionale nuk zgjatë më shumë se 10 minuta, sepse janë masat kompjuterike që e masin shumë shpejt, por në këtë rast zgjat kaq.  Besoj, se kjo do të ndikojë pak në ndryshime, por kjo matje sigurisht që nëse nuk është prezenca e opozitës do të jetë e mangët, për shkak se ata nuk janë të interesuar të kuptojnë matjen praktike, sepse e humbin edhe një adut të kundërshtimit dhe të kërkesës për shkuarje në zgjedhje dhe të paraqitjes së liderëve politik që nuk janë të nivelit të shtetit të Kosovës dhe kombëtarizmit. Prandaj, këtu më shumë ka të bëjë me konspiracion politik për rrënimin e autoritetit të partive pozitë dhe liderëvë të caktuar sesa të mbrojnë shtetin.

Bota sot:  Përse vetëm Kosova duhet ta plotësojë një kusht si Demarkacioni për liberalizimun e vizave, apo e ka kërkuar Qeveria, nga BE-ja kushtin e demarkacionit, për vizat në mënyrë që ta largoj barrën nga supet e saj?

Ramiz Kelmendi: Unë mendoj që kjo nuk ishte dashur të jetë temë e brengosjes së qytetarëve. Ne sa më shpejt i përcaktojmë kufijtë aq më shpejt jemi shtet. Me kohë të përmbyllet demarkacioni me Malin e Zi dhe të hapet demarkacioni me Serbinë, ky është një territor më i madh, një kufi shumë më i ndjeshëm, por një kufi që është përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kemi një problem më pak. Kjo nuk ka të bëjë me atë a jemi ne në këtë formë, apo në atë formë. Zakonisht çështjet e kufirit janë shumë të ndjeshme dhe bashkësia ndërkombëtare,  shpesh herë kanë pasur të arsyeshme ndoshta edhe kushtëzimin që ta përshpejtojnë procesin, sepse nëse ne nuk do t’i kishim kushtet e liberalizimit të vizave përmbyllja e këtij kufirit do të kishte zgjatur me vite, ndoshta do të kishim shkuar edhe në gjykata të ndryshme. Prandaj, sa më shumë që zgjatet mendoj që nuk është në interes të shtetit tonë të mos përcaktohet trajtimi i vijave kufitare për arsye se gjendja politike në botë po ndryshon, gjendja e miqve tanë mundet të shkojë drejt të mirës, por edhe mund të shkojë drejt të keqes, prandaj ne pak punojmë në këtë drejtim, ta shtojmë miqësinë me vendet mike.

Bota sot:  Kryeministri Mustafa ka paralajmëruar se do të ndodh riformatimi i Qeverisë, mirëpo pas demarkacionit, a do të ndodh ky riformatim patjetër edhe nëse demarkacioni nuk kalon?

Ramiz Kelmendi: Kryeministri nuk e ka lidhur riformatimin me demarkacionin, më shumë e ka lidhur me punën që e bëjnë ministrat. Vlerësimi i ministrave bëhet nga Qeveria, por bëhet edhe nga liderët e koalicionit dhe të drejtën ekskluzive të ndryshimit e kanë të dy liderët e koalicionit. Nëse ministrat nuk janë duke e kryer punën në bazë të parimeve dhe marrëveshjes e ligjeve në fuqi, atëherë liderët veprojnë dhe i ndryshojnë. Por, sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë një riformatim, po të ketë sigurisht plotësim të ministrive që mungojnë, por edhe nëse vendoset për një reformatim atëherë do të jetë në duart e liderëve politik.

Bota sot:  Nëse do të ndodh atëherë kur do të bëhet?

Ramiz Kelmendi: Nuk kam informacione, nuk është në temat e diskutuara.

Bota sot: Është përfolur se mund të ketë zgjedhje të reja, sa është i gatshëm vendi për zgjedhje parlamentare me shumë çështje të pazgjidhura para vetes, ndërsa në anën tjetër në shtator mbahen edhe zgjedhjet komunale?

Ramiz Kelmendi: Unë jam në politik prej vitit 2010 dhe në atë kohë kam qenë në opozitë, prej se kam qenë aty janë përmendur se zgjedhjet do të ketë në çdo tre muaj, kjo qeveri nuk shkon, kjo qeveri nuk i ka numrat, kjo qeveri nuk punon asgjë, kjo s’do do ta arrijë pranverën, verën, vjeshtën e kështu në vijim për arsye se kërkesa për zgjedhje është ushqim që të mbahet në nivel të ngritur liderët opozitarë anëtarësinë e tyre. Prandaj nëse ata nuk do të kishin propaganduar një pjesë e madhe e anëtarësisë së tyre do të kishin bërë lëvizje dhe kalime në parti tjera dhe do të zvogëloheshin në atë masë, sa mos te kenë perspektivë, pra vetëm në këtë formë. Unë kam dëgjuar edhe njerëzit e bashkësisë ndërkombëtare që vijnë nga EU, duke na thënë qartë e mirë se zgjedhjet do të jenë vetëm në vitin 2018 dhe është mirë që qytetarët e juaj të mos i induktrinoni për arsye se nuk do të keni zgjedhje. Ndërsa sa i përket zgjedhje lokale është mundësi e mirë që viti 2017 të jetë shumë i rëndësishëm për zgjedhje lokale dhe ka mundësi që të gjithë liderët politik ta shohin vetën në një duel politik zgjedhor, tash e kanë mundësinë.

Bota sot:  Cilat janë angazhimet e fundit te kryeministrit, duke marrë parasysh qe mungoi edhe ne akademinë përkujtimore në 11 vjetorin e të ndjerit, ish-presidentit, Ibrahim Rugova?

Ramiz Kelmendi: Unë mendoj që angazhimet e Kryeministrit dhe mungesa e tij në akademinë përkujtimore të Presidentit Rugova ka qenë çështje familjare. Lidhja Demokratike e Kosovës ka pasur në kuadër të kësaj akademie të gjithë nënkryetarët qeveritarë, ministrat, unë, ka qenë familja, deputetë, kryetarët e komunave. Akademisë ndoshta i ka munguar Kryeministri fizikisht, por ai ka dërguar një letër që është lexuar drejtpërdrejt aty.

Bota sot: Si është duke shkuar puna si zëvendëskryeministër, sa jeni ambientuar përgjatë kësaj kohe me këtë pozitë?

Ramiz Kelmendi: Mirë. Unë kam filluar me disa ide, idetë po shkojnë duke u realizuar gradualisht, proceset në qeveri nuk shkojnë me një shkop magjik që kishim pasur mundësi të gjithë t’i ndryshojmë, por besoj që disa lëvizje që bëhen si në pakon fiskale dhe disa lëvizje tjera që do të bëhen sa i përket zhvillimit ekonomik do të japin rezultate të veta. Por, edhe premtimet e Kryeministrit për zvogëlimin  e papunësisë do të japin rezultate. Kjo është arritur sepse papunësia është zvogëluar 10%. Ndryshimet janë duke shkuar në drejtimin e duhur.

Bota sot: Muaj më parë ka qarkulluar në media,  se në biznesi tuaj janë gjetur mbi 5 mije kilogram mish me afat të skaduar, çfarë komenti keni për këtë?

Ramiz Kelmendi: E gjitha varet nga mediat, në një emison televiziv thonë i keni pasur 5 mijë kilogramë, kur e lexon procesin del që nuk ka qenë ashtu. Por, mediat e kanë bërë të vetën, tash është kot të merremi me demantime, atë e kanë demantuar njerëzit e kompanisë dhe dihet saktësisht se çka është mall me afat të skaduar, krejt është definuar. Por, për fat të keq dezinformata shpesh herë është më e shpejtë se sa informata e mëvonshme.

Bota sot:  Sa po arrini që të merreni edhe me aktivitetet biznesore po ashtu edhe me pozitën e zëvendëskryeministri­­t?

Ramiz Kelmendi: Unë atje nuk kam ndonjë aktivitet të madh, këto i kam deleguar me kohë. Në momentin që unë kam paraqitur interesim që të jem pjesë e Qeverisë e kam ditur që nuk do të kem mundësi dhe kohë të merrem me dy biznese, prandaj me kohë i kam deleguar të gjitha përveç ato, që më takojnë sipas ligjit në pronësi dhe ndoshta edhe interesimi im për disa çështje inovative e investive që bëhen e me të tjerat nuk merrem fare. Mund të them se jam i kënaqur që trendet pozitive po vazhdojnë edhe në mungesën time,  sepse nëse nuk do të ishin pozitive, ndoshta kisha marrë aktin e dorëheqjes,  për arsye se shteti sigurisht që është i rëndësishëm, por shteti është i mirë nëse edhe ekonomitë janë të mira.

Bota sot:  E keni kundërshtuar ligjin për investimet strategjike sa ishit pjesë e PDK-së, cilat janë mangësitë e këtij ligji sipas jush?

Ramiz Kelmendi: Kur është formuar ai ligji, unë nuk kam qenë i pjesëmarrës në formulimin e tij, kam qenë diskutues, por jo pjesëmarrës. Unë nuk mund të them se ai ligj, do të jetë ligj i duhur dhe i duhuri që t’i plotësojë kërkesat e investitorëve të jashtëm dhe të brendshëm. Ne kërkojmë investitorë që na i shtijnë njerëzit, në punë por që nuk fitojmë asgjë. Ne e kemi humbur sensin që investitori që vjen në Kosovë do të vijë vetëm nëse ka interes fitimi, ata nuk kanë interes të na shtijnë njerëzit në punë, nuk është detyra e tyre punësimi i njerëzve, detyra e tyre është fitimi i tyre me ndihmën e fuqisë tonë punëtore. Dhe, kur i formojmë ligjet ne nuk e kemi parasysh këtë. Pastaj   me këtë ligj duhet të ketë pak ndryshime. Kur të dalë nga Gjykata Kushtetuese, të lëshohet të punohet, të shihen dobësitë, të shihet ekonomia, të merren pak edhe përvojat e mia, unë kam shumë  investime strategjike jashtë Kosovës dhe brenda Kosovës dhe të fillohet të kuptohet se investitorët e jashtëm nuk janë  në rend duke pritur.  Ne nuk kemi parë asnjë investitorë të jashtëm që është duke pritur për të hyrë, të investojë në Kosovë. Ata duhet t’i afrojmë, t’i lusim, por duhet t’i ofrojmë kushte të tilla,  që në kuadër të ligjeve të Kosovë, ata të gjejnë veten dhe ta shtojnë numrin e punësuarve dhe investimeve.  Deri sa ne e kemi trenin, e kemi gazin, zgjedhjet e përditshme, janë elemente që krijojnë një jostabilitet qeveritar dhe si të tilla, investitorët janë të ndjeshëm dhe fare pak interesohen të vijnë në vend ku ka klimë jo të mirë.   Unë kam parë pas kontaktit me shtetin maqedonas me investitorët të ndryshëm ku prej se ka filluar koha e zgjedhjeve ka rënë investimi shumë në Maqedoni edhe pse kanë ofruar shumë më tepër kushte se sa Kosova. Kjo sepse investitori frikohet të investojë në vende të paqëndrueshme dhe jo të favorshme. Duhet të kuptojnë të gjithë liderët politikë se të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zhvillohen brenda liderëve politike e jo ato të transferohen në ndryshim ligjesh që i dëmtojnë investitorët që dikush i kontraktuar. Propagandimet politike e frikësojnë investitorin.

Bota sot:  Cila është arsyeja e largimit nga PDK-ja dhe përse zgjodhët apo çfarë ju shtyri që aktivitetin politik ta vazhdoni në LDK?

Ramiz Kelmendi: Arsyeja e largimit nga PDK-ja, ka qenë se nuk  u realizua premtimi i zëvendëskryeministrit. E dyta  është që asnjë parti tjetër nuk ka qenë në Qeveri dhe unë e kam gjetur vetën më afër në koncept dhe mundësi më të mirë LDK-në, sepse LDK-ja ishte në pushtet. Kalimi në partitë  tjera për të pritur zgjedhjet e ardhshme për mendimin tim ishin pritje të gjata dhe nuk ishin me interes. Unë kisha dëshirë që sa më shpejt të isha pjesë e kontributit të shtetit tim, sepse shteti ka nevojë për të kontribuuar, sepse sa më shpejt që kontribuon aq më mirë është edhe për qytetarët edhe për shtetin.

Bota sot: Si e vlerësoni koalicionin LDK-PDK? A ka gjasa që  edhe nëse mbahen zgjedhjet prapë të ketë  një  koalicion të tillë?

Ramiz Kelmendi: Unë mund të them se kur jam fut brenda në Qeveri, kam menduar që ka diferenca në mes të qëndrimeve politike. Mund të them se në  të gjitha mbledhjet qeveritare, që mbahen uniteti qeverisës i Kosovës është aq i madh, saqë nuk vërehet që janë dy parti. Kjo është falë bashkëpunimit politik dhe respektimit të  këtyre marrëveshjeve nga ana e ministrave. Çështja e zgjedhjeve dhe çështja e koalicioneve është çështje që e vendosin kryesia dhe liderët e partisë. Unë nuk jam në kryesi dhe nëse gjendja momentale është më e favorshme miqësore në mes të PDK-së dhe LDK-së, se sa në mes të pjesës tjetër të opozitës, sepse LDK-ja ka dalë nga ajo, në kushtet ku kemi qenë në VLAN dhe është një lloj hakmarrje e vazhdueshme e pjesëtarëve të VLAN-it në veçanti ndaj Kryeministrit, Mustafa dhe kjo është e papërmbajtur për shkak të humbjes.

Bota sot: Çfarë ju ka munguar në AAK, cilat ishin qëllimet tuaja që nuk u realizuan në AAK?

Ramiz Kelmendi: AAK-ja ka vendosur vetë që të jetë për një kohë të gjatë në opozitë. Realisht gjithnjë duke e luajtur rolin e kundërshtimin e rolit të pozitës dhe gjithnjë duke u larguar nga mundësia për të marrë pjesë aktive nga qeverisja. Prandaj, qëndrimet e liderëve shpesh herë i largojnë dhe i dëmtojnë angazhimin  e madh që kanë anëtarësia për të qenë pjesë e kontributit dhe ndërtimit. Nganjëherë aq shumë amortizohen e lëndohen për pamundësinë e kontributit, sepse AAK-ja ka qenë pjesë e qeverisë me LDK-në, menjëherë në kohën e zgjedhjeve të para dhe ka qëndruar shumë mirë në atë kohë, por pastaj prej atij momentit e ka humbur si duket rrugën e bashkëpunimit të kualitetshëm me liderët politikë.

Bota sot: Ju jeni një biznesmen i suksesshëm, pse e keni parë të nevojshme hyrjen tuaj në politikë?

Ramiz Kelmendi: Kjo nuk është e ndaluar juridikisht. Tash është bërë edhe zoti Trump atje në Amerikë, ai  e ka pasur më pak të nevojshme se unë, bile unë jam milioner e ai është miliarder, prandaj kur e shikoj shpresoj të ketë sukses edhe ai sepse suksesi i tij më tërheq edhe mua të kem sukes, në të kundërtën suksesi im më dëmton edhe mua. Nuk është e dëmshme, qeveria e Kosovës nuk duhet të kuptohet si qeveri e të ndershmëve në aspektin e ndershëm vetëm të njerëzve që kanë pasuri, shembull mund të jetë gjeograf, jurist, por duhet të ketë edhe njerëz që kanë të arritura të mira sepse e begatojnë punën e qeverisë. Qeveria ka nevojë për njerëz vetë ekspertë, ajo prej atij që ka dhe dinë ka nevojë dhe nuk ka nevojë për atë që e keqpërdorin. Njerëzit që kanë dhe që dinë ia shtojnë edhe shtetit këtë masë, ndërsa ata që nuk kanë dhe nuk dijnë ata mund t’ia shtojnë vetëm dëmet. Pasuria është çështje tjetër, politika tjetër.

Bota sot: Në bizneset  tuaja tregtare shkëmbeni  edhe produkte serbe, mirëpo ekzistojnë thirrje për bojkotimin e produkteve serbe, cili është komenti juaj?

Ramiz Kelmendi: Thirrjet e asociacioneve të ndryshme dhe qytetarëve për konsumin e produkteve vendore do të ishte  thirrje më pozitive, sepse është e njëjta gjë, por që thuhet më mirë, sepse nuk e dëmton edhe pjesën tjetër të popullsisë që e kemi pranë, ne kemi këtu edhe pakicën serbe, kemi pakicën boshnjake të cilët kanë të drejtë të konsumojnë produktet që i përgjigjen shijeve të tyre gjatë jetës. Unë i mbështes të gjitha ftesa që kanë të bëjnë për konsumin e prodhimeve vendore, them se ka shumë prodhime vendore, mirëpo një pjesë e madhe edhe ata që ftojnë të mos i përdorin i përdorin. Kjo është shumë për keqardhje, kur dikush flet çdo ditë për t’i konsumuar prodhimet vendore, kurse në trupin e tij apo në tryezë, apo menynë ditore, , nuk ka asnjë produkt vendor. Prandaj ftesa duhet të jetë nga vetja, ftesë e tillë nuk është e dëmshme, por vetëm e ndihmon ekonominë. Bojkotimet e ndryshme nuk janë të nevojshme sepse një pjesë e prodhimeve që prodhohen në Serbi janë të bashkësisë ndërkombëtare, p.sh. Coca-Cola. Ne duhet të punojmë ta sjellim Coca-colën ta prodhojmë në Kosovë, ta sjellim një fabrikë  që shumica e fabrikave janë të faktorëve ndërkombëtar, sesa të merremi me çështje tjera. Pastaj duhet të punojmë në ngritjen e kapaciteteve vetanake, motivimin e njerëzve, mediat të jenë në funksion të promovimit të produkteve vendore. I mbështes thirrjet për konsumin e produkteve vendore.

Bota sot: A do të thotë kjo që Kosova nuk ka kapacitet për të prodhuar këto produkte?

Ramiz Kelmendi: Ne nuk i besojmë vendit tonë shumë dhe nuk e njohim vendin tonë shumë, dhe shpesh mosnjohuria sjellë një gjendje emocionale. Ne ndoshta kemi kapacitet të prodhojmë grurë, por duhet t’i blejmë produkte tjera që janë më të shtrenjta. Armiqësia jonë me Serbinë do të jetë në vazhdimësi sepse jemi fqinjë, ky është një fqinj i padëshiruar, por është faktit dhe si i tillë neve nuk na pëlqen. Por, ekziston dhe bashkëpunimi ekonomik në kuadër të BE-së që ne po synojmë është formë që tregon që ekonomia nuk njeh kufijtë, interesi ekonomik është parim themelor i zhvillimit të shtetit dhe i politikës sociale, të gjithë ato që shkojnë në parimet themelore do të jenë të dëmtuar.

Bota sot:  Duke parë provokimet si muri, treni dhe fletarrestet, Serbia e ka dëshmuar që nuk mund të jetë një fqinje e mirë, sa mund t’i shfrytëzojë produktet e saj për t’i bërë dëm qytetarëve të Kosovës?

Ramiz Kelmendi: Nuk kam mendime emocionale dhe Qeveria nuk duhet të jetë preh e mendimeve emocionale. Ne e shikojmë gjeografikisht, ne e shikojmë interesin kombëtar mbi interesin e momentit. Interesi shtetëror është shumë më i madh se interesi dhe gjendja e momentit. Ata që nuk e njohin ekonominë flasin në formë emocionale, ata që e njohin flasin në formë shtetërore. Të gjitha hyrjet që vijnë nga Evropa kalojnë nga shteti serb, nëse e bëjnë një varg të tillë ai mund të sjellë një vendim që të mos kemi fare tranzit, siç kishim bërë edhe ne. Të gjitha transportet tjera do të duhej të vijnë nga shtetet tjera që praktikisht e shtrenjtojnë. Me fqinjin e keq duhet te kemi politikë, sepse politika e mund.

Bota sot:  Çfarë elementi të veçantë i jepni politikës në Kosovë?

Ramiz Kelmendi: Jam njeri që rezonoj, praktikisht numëroj deri në dhjetë para se të ndërmarr diçka, sepse lëvizjet, fjalët e rënda nuk përmirësohen lehtë, fjalët e buta janë shumë më të mira dhe shumë më fitmprurëse. Ju e keni parë liderin tonë historik z.Ibrahim Rugova me qetësinë e tij, me qëndrueshmërinë e tij, me punën e tij ka arritur të krijojë miq dhe ato miqësi jemi duke i përdor edhe sot. Pra, nëse do të ishim emocional në forma të ndryshme nuk do të arrijmë asgjë, ata njerëz që janë të nxehtë të shpejtë që marrin vendime emocionale që nuk i takojnë liderëve ata sjellin rrezik gjithmonë. Unë tentoj të jem i butë, i përafërt me të gjithë në mënyrë që t’i shtyjmë proceset pozitive përpara.

Bota sot: Çfarë hapa duhet ndërmarrë që të bëhesh një "biznesmen" në skenën politike?

Ramiz Kelmendi: Kur njeri hynë në politikë apo në biznes duhet ta respektojë punën e njerëzve. Nuk janë të gjithë njerëzit e njëjtë, por lider politik duhet ta ketë mozaikun e kërkesave ta mbulojë me njerëz të ndryshëm që të dalë në mënyrë të duhur.

Bota sot: Pasi jemi në fillim të vitit 2017, çfarë e pret Kosovën ky vit?

Ramiz Kelmedi: Jemi në rrugë të mirë. Rritja ekonomike ka qenë në nivel, nuk ka qenë në nivel të duhur pajtohem, por është një lëvizje e mirë, tash kemi filluar me pakon fiskale 2, kjo pako do të jetë një prej të arriturave më të mëdha pas pavarësisë së Kosovës apo pas pavarësimit të Kosovës. Dhe, niveli i zhvillimit ekonomik do të ndryshojë jashtëzakonisht shumë në raport me të kaluarën, mund të them se ndoshta në vitin 2017, 2018, 2019 niveli i ekonomisë ndoshta do të rritet diku rreth 30-40% dhe kjo do të bëjë që një pjesë e madhe e produkteve jo vetëm që do të zëvendësohen numerikisht, por edhe sasi dhe kualitet sepse zëvendësimet e produkteve për Kosovën gjithmonë janë prioritet pavarësisht vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat