Flet avokati: Këto janë procedurat për ngritjen e akuzave nga Specialja

Intervista

Flet avokati: Këto janë procedurat për ngritjen e akuzave nga Specialja

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 6 gusht 2017 Në ora: 11:37
Florin Vërtopi

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, avokati Florin Vërtopi, thotë se akuzat e para të Gjykatës Speciale, do të ngritën këtë vit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, mirëpo sipas tij edhe më tutje qëndrojnë disa pengesa të natyrës procedurale. Avokati Vërtopi, tregon për gjasat që Gjykata Speciale të hetoj edhe vrasjet e pasluftës duke thënë se Dhomat e specializuara kanë juridiksion kohor  mbi veprat penale në kuadër të juridiksionit lëndor të tyre të cilat janë kryer mes periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000.

Bota Sot: A është i nevojshëm Ligji  “Antimafia” në Kosovë? A mendoni  se ky ligj do të zgjidhte shumë çështje?

Florin Vërtopi: Miratimi nga ana e Kuvendit të RK, të  Ligjit “Antimafia” pothuajse është i domosdoshëm. Për momentin, në Republikën e Kosovës janë në fuqi Ligje të cilat bien ndesh njëra me tjetrën, për pjesën e normave ligjore  të caktuara, e që kanë të bëjnë me “barrën e të provuarit”. Do të mundohem të jap sqarime konkrete. Sipas nenit 109 par.1 dhe par.2 (Prokurori i Shtetit), të Kushtetutës të RK, Prokurori i Shtetit është institucion i pavarur me autoritet dhe përgjegjësi për ndjekje penale të personave të akuzuar për ndonjë vepër penale, sikurse është rregulluar me ligj. Prokurori i Shtetit vepron në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit. Nga kjo rrjedh se, Prokurori i shtetit duhet të zbatojë me përpikëri legjislacionin në fuqi respektivisht, dispozitat e Kodit të procedurës penale(KPP), Kodit penal (KP), etj.

Dispozitat ligjore, neni 7, 9.4, 10.2, 19, 103,240,262, etj., të KPP si dhe dispozitat e nenit 96-99 të Kodit penal të RK, janë të qarta lidhur me “barrën e të provuarit”, kjo i bie që Prokurori i Shtetit para Gjykatës në tërësi e ka barrën e të provuarit lidhur me ndjekjen penale,shpalljen fajtorë dhe konfiskimin e aseteve të fituara me anë të kryerjes së veprës penale nga i pandehuri. Ndërsa, sipas nenit 7.7 dhe 7.6 të Ligjit për kompetenca të zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, “barra e të provuarit” se pasuria e tij është përfituar nga të ardhurat legjitime bie mbi të pandehurin. Me këto norma të cilat janë në kundërshtim me njëra tjetrën, nuk mundet të bëhet në mënyrë efikase ndjekja penale. Në fakt, me këto norma të këtilla në fuqi mund të shkelen liritë dhe të drejtat e njeriut sepse mund të dëmtohen qytetarët të cilët me ndjersë e kanë krijuar pasurinë e tyre. Prandaj, në Republikën e Kosovës është i domosdoshëm miratimi i Ligjit Antimafia si Ligj special  dhe ndryshimi i normave tjera  ligjore (KPP, KP) të cilat janë në kundërshtim me Ligjin Antimafia. “Barra e provës”, për të vërtetuar se pasuritë janë fituar në mënyrë të ligjshme, i përket personit, kundër pasurive të të cilit kërkohet konfiskimi”. Në këtë kuptim, vlera reale e këtij ligji qëndron në faktin se, nuk do të jetë prokurori që do të provojë kundërligjshmërinë e vënies së pasurisë, por do të jetë individi, i cili duhet të provojë të kundërtën përpara gjykatës me prova dhe fakte konkrete sesi e ka fituar pasurinë e ngrirë dhe konfiskuar .”Qëllimi i Ligjit Antimafia është që të godas krimin e organizuar dhe trafikimin, etj., nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë të cilët kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik, si rezultat i veprimtarisë së dyshuar kriminale. Për sa kohë korrupsioni vazhdon të jetë i pranishëm në Kosovë, që synon nxitjen e përfshirjes së bashkëpunëtorëve të drejtësisë në rastet e korrupsionit, Hetimi dhe ndëshkimi lind si domosdoshmëri në marrjen e masave plotësuese, ku përpos sanksioneve penale, të aplikohen masat e tjera që lidhen me konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurive që burojnë nga veprimtaria kriminale e korrupsionit. Presidentit Obama në Shtator 2012, deklaroi se : “E ardhmja nuk duhet t’u përkasë të korruptuarve që vjedhin burimet e një vendi. Ajo duhet t`i përkasë studentëve dhe sipërmarrësve, punëtorëve dhe pronarëve të bizneseve, të cilët kërkojnë një prosperitet më të gjerë për të gjithë njerëzit…”. Kurse Ish-Prokurori të Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Edëin Meese, deklaronte se: “Lufta kundër korrupsionit duhet filluar me konfiskimin e të gjitha pronave dhe pasurive të paligjshme që politikanët kanë grumbulluar, të cilat ata nuk mund t'i justifikojnë si të vëna përmes të ardhurave të rregullta”.  

Bota Sot: Cili është mendimi i juaj në lidhje me punën e Gjykatave në Kosovë. A mendoni se numri i lartë i lëndëve të pazgjidhura i ka vënë në kolaps Gjykatat e Kosovës?

Florin Vërtopi: Realisht, përmes kësaj pyetje ju edhe e keni dhënë përgjigjen. Është fakt notor se numri i lartë i lëndëve të pazgjidhura është duke e cunguar funksionimin e sistemit të drejtësisë. Ka zgjidhje edhe për këtë, duhet të ritet numri i Prokurorëve si dhe numri i Gjyqtarëve. Po ashtu, Prokurorët duhet t’i japin përparësi “marrëveshjes për pranimin e fajësisë” e përcaktuar sipas nenit 233 të KPP. Për të ndodhë kjo duhet t’iu jepet qasja në shkresat e lëndës avokatëve mbrojtës. Në praktikë, mjerisht kjo qasje është duke u penguar edhe pse Gjykata e Strazburgut me aktgjykimet e saja është e shumë qartë, dhe i obligon Prokurorët që të respektojnë parimin e “barazisë së armëve”. Avokati mbrojtës duhet të bindet përmes provave materiale se i mbrojturi i tij e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.

Bota Sot: Sipas të dhënave thuhet se Gjykata Speciale aktakuzat e para do të t’i pranojë këtë vit. Kush mendoni se do të jenë figurat e para politike ndaj të cilëve do të ngrihet aktakuzë?

Florin Vërtopi: Po besoj se akuzat e para do të ngritën këtë vit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, mirëpo edhe më tutje qëndrojnë disa pengesa të natyrës procedurale. Nuk jam në dijeni se kush mund të jenë të akuzuarit. Kamë qenë avokat mbrojtës në rastin “Medicus”, dhe kam pas mundësi ta kem raportin e “Dik Martit”. Po ashtu, oficerit hetues kryesor ndërkombëtarë në këtë rast, e të cilin e kishte takuar personalisht Dik Marti. Unë ia kam pas parashtruar pyetjen, se gjatë hetimeve tua a keni mundur të gjeni së paku një provë materiale për të cilën pretendon Dik Marti, përgjigja e këtij oficeri ishte me: “JO”.

Bota Sot: A mendoni se hyrja në fuqi e rregullores së procedurave dhe provave do ti hap rrugën ngritjes së aktakuzave të para nga ana e Gjykatës Speciale?

Florin Vërtopi: Sigurisht që me hyrjen në fuqi të kësaj Rregullore që i janë hapur dyer ngritjes së aktakuzave të para. Mirëpo, edhe më lart thash, ka edhe më tutje pengesa procedurale. Duhet ta dallojmë “fazën formale të dorëzimit të aktakuzës në këtë Dhomë të Specializuar, si dhe fazën e efikasitetit të ngritjes së aktakuzës“. Zakonisht, në praktikë gjyqësore “ngritja e aktakuzave” pason me ndalime të personit të arrestuar, kuptohet kur Prokuroria dhe Gjykata ka qasje në të pandehurin. Prandaj, ka gjasa që në Dhomën e Specializuar të ndodh mu kjo, të ngriten aktakuzat si dhe të pësojnë ndalimet e të pandehurve sipas akuzës. Për të ndodh, kjo, duhet të vihet në funksion “mbrojtësi i specializuar”. Sipas Rregullës 25 (Listat e Mbrojtësve), të Rregullores të procedurës dhe provave, duhet të nxjerrët Direktiva për mbrojtësit e specializuar. Një mbrojtës përfshihet në Listën e Mbrojtësve të Specializuar ose në Listën e Mbrojtësve të Viktimave prej Administratorit, në qoftë se i plotëson kriteret e përcaktuara në Direktivën për Mbrojtësit.

Bota Sot: Familjarët e të vrarëve të pas luftës në Kosovë apo vrasjeve politike kanë shpresë se Gjykata Speciale do ti zbulojë vrasësit e familjarëve të tyre. A mendoni se kjo është e mundur?

Florin Vërtopi: Me nenin  7 dhe nenin 8 Ligji nr. 05/l -053 për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit të specializuar  është përcaktuar jurisdiksioni kohor si dhe jurisdiksioni territorial. Dhomat e specializuara kanë juridiksion kohor  mbi veprat penale në kuadër të juridiksionit lëndor të tyre të cilat janë kryer mes periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000. Ndërsa Juridiksioni territorial, në përputhje me juridiksionin territorial të gjykatave të Kosovës sipas ligjeve penale të zbatueshme që kanë qenë në fuqi mes periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000, Dhomat e specializuara kanë juridiksion mbi veprat penale që bien nën juridiksionin lëndor të tyre të cilat janë filluar ose janë kryer në Kosovë. Varësisht nga provat të cilat janë mbledhur edhe do të veprojë zyra e Prokurorit të specializuar, pastaj në rast se arrihet të ngriten aktakuzat atëherë për të njëjtat do të vendosë Dhoma e specializuar.

Bota Sot: A mendoni se Kosova duhet të ndjek rrugën e Shqipërisë sa i përket vetingut në Gjyqësi?

Florin Vërtopi: Në të ardhmen e afërt sigurisht se do të ndodhë kjo edhe në Kosovë. Është e pritshme. SHBA si dhe Bashkimi Evropian ka investuar shumë në sistemin e drejtësisë, si te profesionistët (Gjykatës, Prokurorë, Avokatë) ashtu edhe materialisht. Mjaft është arritur. Sistemi i drejtësisë në Kosovë ka filluar të funksionojë ka mesi i vitit 1999,  pothuajse prej zeros. Jam shumë optimist se perspektiva qëndron në sistemin e drejtësisë. Miqtë tanë ndërkombëtarë janë të vetëdijshëm se funksionimi normal i shtyllave tjera varet nga pushteti gjyqësor unik dhe i pavarur.

Bota Sot: Cila është rruga me e lehte për ta paditur Serbinë për krime lufte?

Florin Vërtopi: Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë për ta mbështetur vendimin e saj do të kërkojë prova materiale. Kosova i ka siguruar provat materiale. Këto prova materiale ekzistojnë, ndoshta jo të gjitha mirëpo ka mjaft prova materiale. Republika e Kosovës duhet medoemos që urgjentisht të angazhohet, mendojë se PADIA në këtë Gjykatë të drejtësisë në Hagë duhet të dorëzohet para se të dorëzohen akuzat e para në Dhomat e specializuara. Kosovës urgjentisht në arenën ndërkombëtare i duhet një baraspeshë. Po besojë se më kuptoni ku e kam qëllimin.  Nuk mundet t’i ndodhë Kosovës sikurse Bosnjës, që Gjykata e drejtësisë  t’ia hudhë padinë për shkak të legjitimitetit sepse në rastin e Kosovës Serbia edhe vetë i ka themeluar Gjykatat speciale dhe deri me sot këto fakte janë vërtetuar me Aktgjykime të formës së prerë, respektivisht këto gjykata të Republikës së Serbisë i kanë vërtetuar faktet se forcat e saja të armatosura qofshin ato militare apo paramilitare, kanë kryer krime lufte në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat