Vetëvendosje synon fitore pa balotazh në Prishtinë - Bota Sot
Vetëvendosje synon fitore pa balotazh në Prishtinë

Intervista

E diel, 17 dhjetor 2017

Vetëvendosje synon fitore pa balotazh në Prishtinë

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 22 shtator 2017 Në ora: 15:00
Yll Rugova

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Asambleist në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova, e konsideron si të suksesshme punën e kryetarit të deritashëm Shpend Ahmerit. Gjatë një interviste për gazetën “Bota sot”, Rugova ka treguar se përse ka vendosur ti futet garës për asamble Komunale. Ka theksuar se plani i angazhimit të tij për Prishtinën përfshin zhvillimin dhe ndërtimin e shtigjeve për këmbësorë, shtigjeve për çiklistë, shtigjeve të veçanta për autobusë etj.

“Bota sot”: Z. Rugova përse vendosët që t`i hyni garës për asamble komunale?

Yll Rugova: Ka një kohë që kam vendosur të përkushtohem aktivisht në Prishtinë. Me idenë që në 10 vjetët e ardhshme, angazhimi im dhe i shokëve e shoqeve përreth të jetë në këtë drejtim. Duke mbajtur në mendje këtë ide, në këto zgjedhje lokale i kam pasur dy rrugë. Të formoj së bashku me organizatën Për Prishtinën (ku jam bashkëthemelues) një listë politike shoqërore veç për Prishtinë (diçka që kemi provuar edhe në vitin 2013 me Partinë e Fortë), apo të bashkëngjitem me ndonjë grup që tashmë është duke bërë punë të mirë në Prishtinë. Mes këtyre dy mundësive, unë zgjodha atë që është më e logjikshme. Pra ti bashkëngjitem Vetëvendosjes. Dhe ekipi i organizatës Për Prishtinën më kanë mbështetur në këtë ide.

Shpendi ka bërë punë të mirë në Prishtinë, por gjithsesi me një bashkim më të madh të njerëzve kjo punë mund të shumëfishohet në mandatin tjetër.

Në fillim të këtij viti kam qenë tashmë i involvuar në projektin e Planit të Mobilitetit për Prishtinën (SUMP), projekt i cili trajton qarkullimin e qytetarëve dhe zhvillon rrugët për këmbësorë, për çiklistë, për autobusë dhe për makinat tjera. Kjo është një fushë që ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme. Me mburrje mund të them që ky plan i përpiluar nga ekspertët ndërkombëtar të Mot MacDonald është mbase zhvillimi më i rëndësishëm i kryeqytetit jo vetëm sa i përket mobilitetit. Është i pari i tillë në ndonjë qytet shqiptar. Ky plan vendosë konturat e Prishtinës si kryeqytet modern evropian.

Me Shpend Ahmetin dhe me Dardan Sejdiun kemi pasur diskutimi edhe për fushat tjera të kontributit edhe jemi pajtuar që kultura të jetë ndër to. Këtu do të fokusohem dhe të shtyjë përpara veçanërisht projektin e revitalizimit të zonës historike të qytetit dhe krijimin e një zyre për turizëm. Prishtina i ka rreth 50 mijë turistë në vit, të cilët përveç 1 muzeu dhe disa kafiterive s'kanë çka të vizitojnë në Prishtinë. Ka shumë punë në këtë fushë, por është e rëndësishme sepse e përmirëson eksperienca e qytetit, e gjithashtu sjellë të holla për komunën dhe për qytetarët.

Mos të harrojmë që një qytet i revitalizuar kthen edhe optimizmin e qytetarëve. 

“Bota sot”: Cilat janë problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Prishtinës?

Yll Rugova: Prishtina kurrë nuk është paramenduar si një kryeqytet me 500,000 banorë. Gjithashtu Prishtina kurrë nuk është projektuar të jetë kryeqytet i një shteti. S'ka infrastrukturë të mjaftueshme për të akomoduar gjithë këto institucione publike, organizata të huaja dhe influksin e madh ditor nga qytetet tjera.

Prishtina ka shumë punë për të bërë, duke filluar nga ndërtimi i shkollave të reja, parqeve dhe hapësirave rekreative, spitaleve. Tash pas vendosjes së rregullit në ndërtim, duhen rishikuar planet rregullative të miratuara në kohën e Ismet Beqirit dhe Isa Mustafës dhe të kalohen plane të reja moderne për lagjet e Prishtinës. Veçanërisht, për lagjet e reja.

Si model i mrekullueshëm për planifikim mund të merret lagjja Kodrina, e cila është bërë me konkurs ndërkombëtar dhe ku kompania e mirënjohur Libeskind Studio e One Toëer to Neë Yorkut e ka fituar konkursin. Pra, kjo lagje është një model si duhet të planifikohet në Prishtinë. Megjithëse, edhe kjo lagje ka mbetur peng i asamblesë komunale e cila ka tentuar ta pengojë miratimin e këtij projekti.

“Bota sot”: Kemi parë kohëve të fundit një numër të madh kandidatësh për asamble komunale, që thonë se do të jenë zëri i qytetarëve, po ju a mendoni se janë përfaqësuar mjaftueshëm interesat e qytetarëve gjatë këtij mandati?

Yll Rugova: Kam përshtypjen që një prej formave më të shpeshta të përfaqësimit në Kosovë është kjo e "zërit të qytetarëve". Pra, disa qytetarë e votojnë një përfaqësues me të cilin pastaj e mbajnë lidhjen e tyre me institucionet. Personalisht, nuk jam futur në listë me këtë qëllim. Në asamble komunale dhe në çfarëdo angazhimi tjetër në komunë do të shtyjë përpara projekte konkrete, të cilat janë të domosdoshme për kryeqytetin. 

Ndërkohë që absolutisht nuk besoj që mbrohen interesat e qytetarëve me përfaqësues pasiv në asamble. Për jetë cilësore në Prishtinë, por edhe në Kosovë në përgjithësi, na duhen ide të reja, na duhet vizion për të ardhmen. Duhet të guxojmë ta paramendojmë si do të duket Prishtina në vitin 2030 dhe pastaj të punojmë për atë vizion.

“Bota sot”: Si e vlerësoni qeverisjen e deritashme të kryetarit Ahmeti?

Yll Rugova: Shpendi e ka sjellë një mendësi të re në politikën e Kosovës. Me Shpendin kemi parë me sytë tanë se si është të punohet ndershëm. Qeverisja e tij ka sjellë ndryshimet më pozitive të zhvillimit të kryeqytetit, e ka sjellë normalizimin e qytetit. Me ndalimin e ndërtimeve pa leje, janë krijuar kushtet për zhvillim modern dhe sipas standardeve. Me investim në shkolla dhe çerdhe është rritur mirëqenia dhe siguria në fushën më të rëndësishme të çdo familjeje. Me ndërtimin e qendrave të mjekësisë familjare dhe me renovimin e tyre edhe për shëndetësi është kthyer shpresa te qytetarët.

Me planin që tashmë edhe e kam parë, Prishtinë në mandatin tjetër do të kalojë nga normalizimi që Shpendi e ka sjellur, në zhvillim të mirëfilltë drejt një kryeqyteti normal evropian.

“Bota sot”: A është përmbushur krejtësisht programi i prezantuar në vitin 2013?

Yll Rugova: Në programin e vitit të kaluar janë prezantuar 12 pika si premtime të Shpend Ahmetit, dhe nga to janë realizuar 11. Pika e fundit që ka mbetur e bllokuar nga asambleja komunale ka të bëjë me konceptin që Shpendi e ka quajtur Banim i Përballueshëm dhe ka të bëjë me ndërtimin e banesave nga komuna me çmime të përballueshme për qytetarët. Ky koncept do të mundësonte edhe pjesët më të cenuara të shoqërisë të kenë mundësi të bëhen pronarë.

Ndërkohë pikat tjera të premtimin janë realizuar ose në tërësi ose janë në përfundim e sipër. Çështjet si uji, çerdhet, reformimi i shkollave, autobusët, mjekësia dhe ndërtimi i parqeve.

“Bota sot”: Në cilën fushë synoni të angazhoheni nëse zgjidheni nga vota e qytetarëve të Prishtinës?

Yll Rugova: Ideja është të përqendrohem në dy sfera, planin e mobilitetit dhe kulturë. Plani i mobilitetit përfshin zhvillimin dhe ndërtimin e shtigjeve për këmbësorë, shtigjeve për çiklista, shtigjeve të veçanta për autobusë. Po ashtu ndërtimin e hapësirave të përbashkëta, parqeve dhe ambienteve të ngjashme të gjelbërta për qytetarin. 

Do të shtyjë përpara idenë që e gjithë zona e qendrës moderne të qytetit, që shtrihet përgjatë sheshit Nëna Terezë, mes bulevardit Agim Ramadani dhe Luan Haradinaj të kthehet në zonë për këmbësorët. Kurse zona e vjetër e qytetit (e cila ende nuk është definuar qartë) të revitalizohet dhe të kthehet në një hapësirë cilësore për qytetarët por edhe për turistët. 

“Bota sot”: Si do të zgjidhet çështja e Xhamisë së madhe, a është dakord kryetari Shpend Ahmeti me iniciativën tuaj për pamjen ndryshe të kësaj xhamie?

Yll Rugova: Xhamia e Madhe është një çështje shumë komplekse që tashmë ka marrë përmasa politike dhe fetare. Në fakt, kjo çështje do të duhej shikuar prej perspektivës së planifikimit urban, në mënyrë që të kemi gjykim më të drejtë. Jam i bindur se do të gjendet një zgjidhje për xhaminë ku komuniteti ta ketë një qendër dinjitoze për ta, e që nuk do të jetë në dëm të zhvillimit urban të qytetit.

“Bota sot”: Cilat janë gjasat e z. Shpend Ahmeti përballë kandidatit nga LDK z. Arban Abrashi?

Yll Rugova: Po besoj që LDK, por edhe vetë z. Abrashi janë të vetëdijshëm se është tepër e vështirë të ketë ndonjë ndryshim pushteti në Prishtinë. Madje nuk jam i sigurt nëse ka qenë lëvizje e mirë në karrierën politike të z. Abrashi, si një përfaqësues i asaj që njihet si një brez i ri në LDK. Unë kam pasur raporte profesionale me Arbanin. E kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me një projekt që lidhet me punësimin e të rinjve. 

Por, jam i befasuar me vendimin e tij ta pranojë sfidimin e Shpendit në Prishtinë, veçanërisht kur e dimë që Arbani asnjëherë s'ka shprehur interesim për Prishtinën. Sfidat dhe zgjidhjet e kryeqytetit nuk janë diçka që identifikohen për 2 muaj fushatë. E aq më pak zgjidhjet.

Sidoqoftë, po besoj se Shpendi duhet ta pranojë Arbanin si një kundërshtar të denjë dhe gjithsesi duhet mobilizim i gjithë strukturave të Vetëvendosjes dhe qytetarëve që e mbështesin politikën dhe drejtimin e Shpendit për të fituar pa balotazh mandatin e dytë.

“Bota sot”: A do të mund të fitohet kryeqyteti pa balotazh?

Yll Rugova: Synimi është të fitohet pa balotazh. Por, kjo nuk është e lehtë, sepse nuk duhet nënvlerësuar kandidatët tjerë. LDK ka struktura shumë të forta në Prishtinë dhe megjithëse Vetëvendosja ka pasur rekord votuesish nga Prishtina në zgjedhjet e 11 qershorit, sturkturat aktuale të LDK-së nuk duhet nënvlerësuar.

Për momentin është duke ndodhur në mobilizim i madh brenda VV-së që do të siguronte fitore pa balotazh për Shpendin, por gjithsesi do të siguronte edhe një numër më të madh të asambleistëve të Vetëvendosjes në Prishtinë. Kjo pika e dytë është gati sa po aq e rëndësishme sa e para.

“Bota sot”: Jeni një zë mjaft aktiv sa i përket mbrojtjes së interesit të qytetarëve, sa merren parasysh kërkesat tuaja qoftë në nivelin lokal apo edhe atë qendror?

Yll Rugova: Angazhimi politik, përveç reagimeve publike ka qenë i kanalizuar përmes protestave dhe Partisë së Fortë si parti zyrtare e regjistruar në KQZ. Me rrethin e njerëzve që ndaj vlera të përafërta kemi pasur aktivitete të shumta në çështjet që i kemi parë si të domosdoshme për shoqërinë tonë, dhe shpesh kemi përdorur metoda jokonvencionale (si humori dhe sarkazma) për ta përçuar mesazhin tonë politik. Në këtë sens, besoj që pjesëmarrja jonë në zgjedhjet e 2013 ka ndikuar pozitivisht në krijimin e një frymeje të fitores për Shpendin dhe Vetëvendosjen në Prishtinë.

Unë vazhdoj të jem zyrtarisht i regjistruar si sekretar i Partisë së Fortë, pra nuk kam dhënë dorëheqje nga ky post. Ndërkohë edhe PF-ja vazhdon që zyrtarisht të qëndrojë funksionale. Visari është ende asambleist i joni në komunë.

Kemi pasur ofertë nga Vetëvendosja që të bashkëngjitemi seriozisht në një listë të këtij subjekti edhe në zgjedhjet qendrore, por jemi pajtuar që njëherë për njëherë fokusin ta kemi në Prishtinë, e jo në nivelin qendror. Andaj, vendosëm që si subjekt të mos garojmë këtë herë në asnjë formë. Arsye për këtë janë edhe disa arsye personale të disa "nënkryetarëve" dhe kryetarit të PF-së. Kjo është edhe arsyeja pse kam vendosur të angazhohem si individ për nivelin lokal dhe për këtë e kam mbështetjen edhe nga shokët dhe shoqet e PF-së.

Përndryshe, si individ dhe si grupim vazhdimisht kemi qenë të zëshëm dhe jam i bindur që këtë rol do ta luaj edhe në asamblenë komunale.

“Bota sot”: Sa besoni se do të jetë e qëndrueshme qeveria prej 61 numrave e formuar së fundi?

Yll Rugova: Kjo është qeveria më e brishtë e Kosovës që nga paslufta, apo ndoshta edhe në tërë historinë e Kosovës me institucione të udhëhequra nga shqiptarët. E vetmja arsye pse qeveria e Ramush Haradinajt do të mbijetonte më gjatë se 6 muaj, është nëse LDK nuk bashkëpunon në opozitarizëm me Vetëvendosjen.

Duke parë raportin e tyre gjatë procesit të stërzgjatur të formimit të institucioneve, duket se LDK do ta zgjedhë rrugën e luftimit të të gjithëve, qofshin ata nga PAN apo nga VV. Personalisht, besoj që kjo çasje nuk është në dobi të qytetarëve të Kosovës. 

“Bota sot”: A besoni se Haradinaj nga presioni ndërkombëtar, mund të ndryshoj qëndrim sa i përket çështjes së Demarkacionit?

Yll Rugova: Z. Haradinaj e ka të domosdoshme të ketë një sukses të madh për të shpëtuar nga humbja e plotë e mbështetës nga qytetarët. Bashkimi i tij në një koalicion me 40 parti për të formuar një qeverisje të brishtë me 60 deputetë, nuk i jep hapësirë të kundërshtojë asgjë. Besoj fuqishëm që z. Haradinaj do të provojë ta kalojë demarkacionin për të siguruar liberalizimin e vizave. Dhe këtë do ta bëjë pa ndonjë ndryshim përmbajtësor në marrëveshje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test