Haziri tregon se kush e sabotoi Demarkacionin, ka një premtim për elektoratin e LDK-së - Bota Sot
Haziri tregon se kush e sabotoi Demarkacionin, ka një premtim për elektoratin e LDK-së

Intervista

E enjte, 14 dhjetor 2017

Haziri tregon se kush e sabotoi Demarkacionin, ka një premtim për elektoratin e LDK-së

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 29 shtator 2017 Në ora: 11:56
Lutfi Haziri

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, kryetari i Gjilanit dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka shpjeguar se roli i Listës Serbe në këtë qeveri është kritik sepse nga 61 vota sa i ka kjo qeveri në Kuvend, ata i kanë nëntë. Haziri ka theksuar se qeveria aktuale do të jep llogari mbi baza ditore. Në anën tjetër, ai konsideron si “blerje kohe”, formimin e Komisionit të ri për Demarkacionin. Ai ka folur edhe për formimin e Gjykatës Speciale, duke thënë se janë të paarsyeshme vonesat e funksionalizimit të saj. Po ashtu, ai ka potencuar se në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, LDK është duke konkurruar për fitore të madhe në gjithë Kosovën.

“Bota sot” Si e vlerësoni Qeverinë e sapo formuar në krye më Ramush Haradinaj?

Lutfi Haziri: Qeveria e madhe me numra dhe e shkallëzuar me pozita sepse përvec kryeministrit i kemi pesë zëvendëskryeministra, që është qeveri e vogël brenda qeverisë së madhe, duke i akomoduar 22 parti në 61 vota të Kuvendit. Kjo qeveri është jashtëzakonisht e vështirë të menaxhohet, por po presim se si të vazhdoj këto ditë e këto javë në realizimin e  objektivave që ka. Ende nuk ka paraqitur program dhe vizion para Kuvendit dhe para qytetarëve. Akoma nuk ka paraqitur një platformë me të cilën do t’i bazonim vlerësimet tona.

“Bota sot” Si e shini përfshirjen e Listës Serbe në qeveri dhe roli që iu jep asaj në formimin e qeverisë?

Lutfi Haziri: Komunitetet etnike dhe serbët janë në qeveri me të drejtë Kushtetuese, nuk ka të bëjë me të drejta politike. Por, roli i Listës Serbe në këtë qeveri është kritik sepse brenda 61 vota sa i ka kjo qeveri në Kuvend, ata i kanë nëntë. Natyrisht, duke qenë grup politik i ndikuar drejtpërdrejt nga Beogradi zyrtar dhe Serbia zyrtare si politikë dhe me kërkesat që i parashtrojnë, janë grup politik i cili do të kushtëzoj shumë vendime në Kosovë, shumë vendimmarrje të kësaj qeverie dhe do t’i vështirësoj shumë procese politike në Kosovë. 

“Bota sot” LDK zyrtarisht ka thënë që nga këtu fillon puna për t’u rrezuar ketë qeveri? Jeni te bindur se mund ta rrezoni qeverinë Haradinaj?

Lutfi Haziri: Ne jemi grupi politik opozitar I madh dhe roli ynë është kritik në të bërit opozitë dhe në jetëgjatësinë e kësaj qeverie. Nuk do të rrimë rehat. Kjo qeveri do të jep llogari mbi baza ditore dhe LDK do të jetë gardian I të gjitha proceseve politik që do të kaloj vendi.

“Bota sot” Po çështja e demarkacionit si mendoni se mund te zgjidhet?

Lutfi Haziri: Ne në qeverinë e LDK-së e kemi pasur këtë proces dhe zaten ky proces ishte njëri prej shkaktarëve që u rrëzua qeveria dhe kauza në këtë proces është ndërtuar nga AAK dhe nga disa parti që janë në qeverisje. Me vetë faktin që PDK është në këtë qeveri, nënkupton që është program dhe proces i sabotuar nga ta. Nuk ka alternativë tjetër, pos të sillet ligji në Kuvend dhe ky institucion ta jap fjalën e tij. Kjo qeveri e ka të pamundshme apo të paimagjinueshme arritjen e 80 votave për ratifikiin e një ligji për demakracionin.

“Bota sot” Si e vlerësoni iniciativën e Ramush Haradinaj për formimin e një komisioni për rishikimin e marrveshjes për demarkacionin?

Lutfi Haziri: Është blerje kohe dhe shitje e mjegulles.

“Bota sot” A do të kërkoj LDK-ja përfshirje në bisedimet më Serbinë të të gjitha partive dhe bisedimet të jenë gjithëpërfshirëse?

Lutfi Haziri: LDK mbetet prapa Rezolutës së Kuvendit të Kosovës mbi procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe ajo Rezolutë, jo pse ka qenë LDK sponsor në vitin 2011, por ne kemi qenë si opozitë në frymën e normalizimit të marrëdhënieve me të gjithë fqinjët, duke përfshirë edhe Serbinë. Kështu që, qeveria duhet t’i nënshtrohet Rezolutës së Kuvendit, përderisa nuk kemi një vendim tjetër.

“Bota sot” A do ta diskutoj LDK-ja çështjen e vrasjeve politike në Kuvend, dhe a do të kërkoj zbardhjen e këtyre rasteve?

Lutfi Haziri: Ne gjithmonë kemi kërkuar zbardhjen dhe gjithmonë kërkojmë që drejtësia të vie në vend. Në rastin e Kosovës drejtësia po  vonohet ende. Shpresojmë shumë që  do të vije dita që të zbardhen të gjitha rastet e dhunës politike dhe eliminimeve politike në Kosovë.

“Bota sot”: Pse mendoni se po zvarritet fillimi i punës se Gjykatës speciale, dhe a mendoni se ka lidhje me gjendjen politike në Kosovë?

Lutfi Haziri: Ajo Gjykatë është e Kosovës e mbushur me autoritete ndërkombëtare sepse është vendosur me ligje të Kosovës. Besoj shumë shpejt që funksionaliteti nuk do të vihet në shprehje, me vonesa të pajustifikueshme edhe më tutje. Kurdo që është funksionale, shpresoj shumë që do të veprojë. Ne nuk dëshirojmë dhe nuk e shohim asnjë qytetarë të fajshëm në atë Gjykatë, por ata që janë fajtorë dhe ata që i kanë duartë me gjak, duhet të dalin para saj.

“Bota sot” Kush duhet të jep përgjegjësi në LDK për rezultatin e zgjedhjeve të 11 qershorit?

Lutfi Haziri: Kanë qenë zgjedhje të jashtëzakonshme, u bënë tinzëzisht nga PDK në koalicion em opozitën e atëhershme. Ky rezultat është frymë kundërshtuese ndaj zhvillimeve politike dhe ndaj sjelljes politike në Kosovë. Shpresoj shumë që zgjedhjet lokale do ta përmirësojnë këtë raport dhe këtë gjendje. Unë besoj shumë në LDK dhe në Lidhjen tonë që do arrijmë të përballemi në çdo sfidë politike sepse të gjithë po bëhen kundër LDK-së kur është koha e rrëzimit të qeverive, kur është koha e rrëzimit të institucioneve dhe kur është koha e zgjedhjeve. Baza e tyre politike është e njëjtë dhe nuk ka asnjë lloj pengese që i bashkon të gjitha partitë politike në Kosovë, edhe Listën Serbe, kundër LDK-së. Ne do të mobilizojmë të gjithë potencialin tonë politik dhe do të përballemi me të gjithë, në të gjitha komunat dhe në të gjithë fshatrat e Kosovës.

“Bota sot”: Po zgjedhjet komunale si i prisni, mendoni se LDK do ta fitoj Gjilanin?

Lutfi Haziri: Definitivisht, jo veç Gjilanin e Anamoravën, por në krejt Kosovën ne jemi duke konkurruar për fitore të madhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test