Deputeti i VV-së parashikon rrëzimin e Qeverisë brenda një viti: Ja ku do të ngecë Haradinaj - Bota Sot
Deputeti i VV-së parashikon rrëzimin e Qeverisë brenda një viti: Ja ku do të ngecë Haradinaj

Intervista

E diel, 19 nëntor 2017

Deputeti i VV-së parashikon rrëzimin e Qeverisë brenda një viti: Ja ku do të ngecë Haradinaj

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 nëntor 2017 Në ora: 11:05
Mytaher Haskuka

Është deputet në Kuvendin e Kosovës, mirëpo tani ka vendosur të kandidojë si kryetar për komunën e Prizrenit. Mytaher Haskuka nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje është kandidati për kryetar të Prizrenit, i cili në balotazhin e 19 nëntorit do të përballet me Shaqir Totajn nga Partia Demokratike e Kosovës.

Haskuka në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” është shprehur se diferenca me kundër kandidatin e tij Shaqir Totaj, nuk është e pa përmbysur dhe kështu në balotazh do të arrijë t’i marrë votat e nevojshme për t’u bërë kryetar i Prizrenit.

“Bota sot”: Keni një përqindje diferenciale më të ultë se kundër kandidati juaj, si do të arrini që në 19 nëntor ta ktheni rezultatin në favor tuaj?

Mytaher Haskuka: Është një diferencë votash, por mendoj se kjo diferencë e vogël është për shkak se Shaqir Totaj, pra PDK-ja kanë garuar në koalicion bashkë me Vakatin dhe nëse i mbledhim votat e tyre diferenca është ashtu siç është. Mirëpo, unë mendoj se në Prizren janë më shumë se 34 mijë votues që nuk kanë votuar as PDK-në, domethënë që janë në mes dhe këta 34 mijë që nuk më kanë votuar mua e as Totajn janë për ndryshim, shumica e tyre janë për ndryshim, ngase ata që kanë qenë për vazhdim të qeverisë kanë votuar PDK-në.

Nga këta 33 mijë votues, besoj që një pjesë bukur e madhe do të më votojnë me 19 nëntor dhe diferenca që ka qenë nuk është ndonjë diferencë e madhe, një diferencë e cila nuk mund të përmbyset. Ne do të punojmë me votuesit e partive tjera, që të dalin në zgjedhje dhe të votojnë ndryshimin, ngase në tre mandate PDK-ja ka bërë shumë dëme në Prizren dhe kjo duhet të ndryshohet.

“Bota sot”: Keni zhvilluar disa takime me subjektet politike që nuk janë në balotazh në Prizren, a pret mbështetjen e tyre dhe prej cilës parti më konkretisht keni mbështetje?

Mytaher Haskuka: Kemi pasur takime me të gjitha partitë politike, faktikisht me ato që janë në garë në Prizren dhe mendoj se disa do të  konkretizohen me një bashkëqeverisje pas 19 nëntorit. Vetëvendosja nuk ka numrin e duhur të asamblistëve komunalë, por kjo na bënë që të kemi një bashkëqeverisje.

Unë iu ofroj mundësi që bashkarisht të përpilojmë pikat programore për qeverisje 4 vjeçare dhe pastaj të kemi punë lidhur me këto qëllime.  Konkretisht të flas për partitë një nga një, nuk besoj që është korrekte sepse jemi në takime të vazhdueshme me ta dhe kemi disa ditë deri në proces elektoral dhe mendoj që para fillimit të procesit elektoral do të kemi edhe marrëveshje të hapura . Besoj që elektorati i partive të caktuara në Prizren do të preferojnë ndryshimin, e në këtë rast nuk është z.Totaj dhe PDK-ja, por jam unë.

“Bota sot”: Domethënë para balotazhit nuk do të formoni koalicion, por pas balotazhit nëse arrini të merrni mandatin?

Mytaher Haskuka: Mund të kemi me disa parti politike. Por, mendoj se çështja kyçe këtu është numri i votuesve që p.sh. kanë votuar LDK-në dhe kandidatin e saj, kanë votuar NISMA-n dhe kandidatin e saj, apo AKR-në dhe këta shumica kanë votuar për ndryshim.

Në momentin që vjen balotazhi, pavarësisht se si do të jenë njoftimet publike, unë mendoj se një pjesë e madhe e qytetarëve do të votojnë për ndryshim dhe do të vijnë në anën tonë.

Normalisht do të punojmë shumë  që çdo banor i komunës së Prizrenit të dalë në votim, por varet edhe nga disponimi i strukturave të partive politike. Unë siç e ceka, i kam kontaktuar edhe përfaqësuesit e partive politike edhe të subjekteve për shkak të çështjeve të ndryshme mund të mos i konkretizojmë, por mund edhe të dalim me koalicion konkret. Por, pasi jemi ende në diskutime me ta, nuk mund të them diçka konkrete.

“Bota sot”: Partia Demokratike e Kosovës ka qeverisur për 3 mandate në Prizren, çfarë do të ndyshojë Prizreni me qeverisjen tuaj?

Mytaher Haskuka: Fillimisht dua të them se terminologjia që ka qeverisur PDK-ja në Prizren, nuk i përket një qeverisje të mirë. P.sh. ata  kanë thënë se Prizreni është Jerusalemi, Prizrenin nuk  e lëshojmë e deklarata të tilla, pra është një mentalitet sundues, i cili ka qenë në qeverisje të Prizrenit, vetë metafora e Jerusalemit, nënkupton  një mentalitet të sundimit, të pushtimit dhe kjo do të ndryshojë fillimisht në komunën e Prizrenit.

Do të kemi një komunë që nuk e sheh qeverisjen si pushtet, por si shërbim të qytetarëve, shërbim të banorëve të komunës së Prizrenit dhe njëra prej pikave kyçe do të jetë transparenca komunale. Të gjitha vendimet që i merr komuna do të jenë të hapura për publikun, do të diskutohen me publikun dhe projektet  të mesme dhe madhore biznesore do të diskutohen mirëfilltë me qytetarët e Prizrenit, me banorët e lagjeve dhe fshatrave.

Unë personalisht kam thënë që do të mbajë minimumi një takim me qytetarë në muaj, domethënë çdo muaj do të mbaj një takim, apo edhe më shumë varet prej punëve të komunës. Në total do të kemi vendimmarrje e cila është me pjesëmarrjen e qytetarëve, një komunë e cila i ka dyert e hapura, që punësimi dhe tenderimi është transparentë dhe publik, gjë që nuk ka qenë vlerë në të kaluarën e Prizrenit. Ne kemi kuptuar se çfarë bëhet me qytetin vetëm kur kanë filluar punimet p.sh. në shesh, apo tani në ashensorin për kala, por askush nuk e di se si duket projekti, a është teliferik, a është ashensor, a është kondoll se janë mënyra të ndryshme të transportit aty. Domethënë është shifër 3 milionë e 600 mijë euro dhe nëse i pyet ndoshta 99%, ose edhe 100% i njerëzve nuk dinë për çfarë bëhet fjalë, kjo nuk është në rregull.

“Bota sot”: Janë 43 zotime që i keni prezantuar gjatë fushatës tuaj, a janë të realizueshme gjatë mandatit 4 vjeçar, apo do të kërkonit edhe një mandat për t’i bërë?

Mytaher Haskuka: Premtimet që i kam bërë janë të realizueshme. Kuptohet që mund të dalë gjatë punës në terren ndonjë gjë që nuk mund të bëhet apo të implementohet, por nga 43 zotimet unë mendoj që një pjesë shumë e madhe do të realizohen deri në fund të mandatit 4 vjeçar. Nuk mund të them nëse do të kërkoja edhe një mandat tjetër, apo jo, mirëpo nuk besoj se do të vazhdoja edhe një mandat. Mendoj se këto 43 zotimet do të realizohen gjatë mandatit dhe kur ta ndryshojmë këtë qeverisje do të jem më se i lumtur. Vetëvendosja ka shumë njerëz tjerë që do të kandidonin për mandatin tjetër, unë shumë projekte jetësore i kam hyrë duke i realizuar atë që kam thënë dhe kam vazhduar me projekte tjera.

“Bota sot”: Cilat janë problemet më të mëdha që po përballen qytetarët e Prizrenit dhe si do t’i zgjidhni?

Mytaher Haskuka: Prizreni 18 apo 19 vite pas luftës e pas çlirimit ende ka probleme me ujë, në shumë lagje dhe shumë fshatra të Prizrenit nuk kanë ujë, disa fshatra nuk kanë fare ujë dhe duhet të furnizohen nga puset që mund të jenë të kontaminuara. Po ashtu, shumë fshatra kanë problem me kanalizim, kanalizimi është problem edhe brenda qytetit, por në fshatrat është problem evident, ku kanalizimet, ujërat e zeza derdhen nëpër livadhe e këto janë probleme të shëndetit. Këto janë probleme që duhet  të rregullohen.

 Në aspektin e qytetit, trashëgimia kulturore e Prizrenit që dallon nga qytetet tjera, është trashëgimi artiktektonike. Në vitin 2006 kanë qenë të mbrojtura rreth 360 shtëpi civile të njerëzve, t’i largojmë ato kishat, xhamit, urat e kështu me radhë dhe nga 360 që nga viti 2006 janë shkatërruar 220 shtëpitë e vjetra të Prizrenit. Kjo, është degradim shumë i madh, sepse këto janë vlera për të cilat njerëzit vizitojnë Prizrenin. Normalisht, kemi Lidhjen e Prizrenit, kemi monumentet e rëndësishme fetare dhe kulturore, por edhe shtëpitë të vjetra të Prizrenit, janë ato që e bëjnë Prizrenin qytet historik.

Një pjesë e madhe e shkatërrimit të shtëpive ose ndërtesave të vjetra kanë qenë për shkak të përfitimit ekonomik, domethënë njerëzit  i kanë shkatërruar që t’i hapin bizneset, parkingjet për vetura. Këtu shteti është dashur t’i mbrojë, inspektorati nuk e ka bërë punën, urbanizmi nuk e ka bërë punën e tyre dhe këto gjëra duhet të mbrohen, ato që kanë mbetur duhet të mbrohen, disa monumente mund të rikthehen ngase i kemi fotografitë, i kemi planet.

Një problem kyç që e ka Prizreni, është zhvillimi ekonomik, Prizreni është një qytet në stagnim, kemi papunësi shumë të madhe, varfëri shumë të madhe dhe këtu duhet t’i shikojmë mundësitë që të sjellim investimet nga jashtë dhe prodhimtari, sepse vetëm me prodhimtari mund të kemi zhvillim të vazhdueshëm ekonomik dhe punësim.

 Në program timin, njëra nga pikat është programi për zhvillim dhe kështu parësore është t’i identifikojmë idetë e të rinjve, idetë e bizneseve të reja të njerëzve e ndërmarrësve të rinj që nuk kanë kapital të investojnë dhe këto ide t’ia prezantojmë diasporës, njerëzve në mërgatë që kanë kapital dhe dëshirojnë të investojnë në Kosovë. Momentalisht kemi bërë një analizë që thotë se janë rreth 32 mijë biznese shqiptare vetëm në Gjermani, pa Zvicrën,  pa Turqinë dhe shtetet tjera. Ka shumë shqiptarë që janë të interesuar të investojnë në Kosovë, do t’i bëjmë  konferencat që do t’i prezantojmë projektet e të rinjve dhe kështu do të bëjmë partneritet në mes këtyre dy grupeve të njerëzve, ku komuna do t’iu lëshojë vendin për ndërtim të biznesit. Kemi pakon e biznesit që nuk është funksionalizuar për 8 vite, nuk ka kanalizim, ujë e rrymë dhe këto duhet t’i rregullojmë sa më shpejt dhe njerëzit të vijnë të investojnë.

“Bota sot”: Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi ka dhënë propozim që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të bartet një pjesë e stafit politik, administrativ dhe profesional në qytetin e Prizrenit, cili është komenti juaj për këtë?

Mytaher Haskuka:  Unë personalisht kam qenë njëri prej personave që kam sugjeruar një ide të tillë, ngase Prizreni si qytet historik, kulturor dhe shpirtëror i trevave shqiptare duhet të ketë një përkrahje më të madhe nga qeveria qendrore dhe një ministri  është një hap i mirë, pozitiv.

Kjo është më shumë proces elektoral, që është bërë gjatë fushatës elektorale e pastaj nuk implementohet e nuk mirëmbahet. Kosova si një shtet i vogël në aspekt gjeografik mund të ketë një luks të tillë të ndajë disa ministri në qytete tjera, p.sh. Ministria e Energjetikës dhe Minierave mund të jetë në Mitrovicë. Këto gjëra i kam paraqitur edhe gjatë fushatës, edhe gjatë debateve në kuvend për kulturë. Kjo është një hap i mirë, shpresoj që nuk është vetëm për aspekt elektoral.

“Bota sot”: Pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve është publikuar një fotografi në të cilën shiheni ju në aktivitetet  me PDK-në, a mund të jenë këto propaganda të bëra nga militantët e PDK-së dhe sa ka ndikuar kjo në rezultatin tuaj zgjedhor?

Mytaher Haskuka:  Ajo ka qenë një fotografi nga viti 2003 apo 2004 dhe unë nuk kam qenë kurrë anëtar i PDK-së, para Vetëvendosjes kam qenë anëtar i Ballit Kombëtar. Ajo fotografi ka qenë në një konferencë për arsimin në Kosovë dhe kësisoj kam qenë i ftuar të flas për çështjen e arsimit në Kosovë. Unë e mbaj mend që aty pata diskutuar për dhunën në shkolla, implementimin e ligjit në shkollë dhe arsim të lartë. Si ekspert kam qenë i ftuar edhe tek partitë tjera, si në LDK e AKR,  kam prezantuar sepse ka qenë konferencë e hapur për të gjithë. Është përdorur si propaganduese, ka mundur të ndikojë në rezultat, por kam qenë i befasuar nga lajmet negative janë paraqitur, e pjesa më e madhe e tyre kanë qenë thashetheme të cilat nuk kanë qenë të verifikuar. Kjo ka qenë njëra prej propagandës negative që më pak më ka dëmtuar, ka pasur edhe tjera negative lidhur me familjen time që me të vërtetë më kanë shqetësuar dhe kam bërë padi , por në Kosovë shteti i së drejtës nuk funksionon e pak problem.

“Bota sot”: Në krahasim me zgjedhjet parlamentare Lëvizja Vetëvendosje ka pësuar rënie në zgjedhjet lokale, përse ky rezultat dhe si e keni pritur?

Mytaher Haskuka: Fillimisht kur e shikon me të vërtetë ka një rënie dhe personalisht kam pritur një rezultat më të mirë, sepse nuk kam parë dallimin në mes të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare. Por, nëse shikojmë në aspektin e dinamikave në zgjedhjet lokale, në krahasim me zgjedhjet paraprake kemi një rritje të pamohueshme. P.sh. në Prizren kemi pasur 3 asambleistë, tani kemi 7 apo 8 asambelistë dhe kjo është rritje në këtë çështje. Dinamika e zgjedhjeve lokale është ndryshe, ka më shumë klientelizëm, nepotizëm.  Nëse i referohemi PDK-së në Prizren, ajo ka pasur biznesmenët më të mëdhenj të Prizrenit dhe sasia e të hollave në procesin elektoral nga ana e PDK-së ka tejkaluar të gjitha aspektet logjike për një aspekt elektoral. Pavarësisht që mendojmë se aspekti elektoral nuk luan rol në zgjedhjet lokale, përsëri luan rol. Në Prizren ka pasur edhe shitblerje të votave, disa vende që thonin raportim të trenit bullgar, por kjo nuk duhet të na ndalë t’i lejojmë parregullsit, edhe pse në shumë raste ato janë parandaluar.

“Bota sot”: Keni bërë një “parashikim” për qeverinë Haradinaj, e cila sipas jush, mund të zgjatë vetëm 1 vit qeverisje,  në cilin proces mendoni se do të pësojë “ngecje” kjo qeveri?

Mytaher Haskuka: Unë kur e kam thënë këtë ka qenë çështja e kërkesave të Listës serbe, problemet me ministrin Rikallo dhe punët që na presin si Kosovë. Një qeveri që i ka 61 vota në momentin që një deputet nuk vjen nga partitë në pushtet nuk mund të kalojë asnjë ligj në Kuvendin e Kosovës. Kjo qeveri hendikep më të madh ka Listën Serbe që e kushtëzon atë, ngase ka fuqi më të fortë brenda partisë, po ashtu ndarja e ministrave dhe tani të zv. ministrave. Kjo qeveri mundohet që në mënyrë artificiale të forcohet me numrin e zv. ministrave, kemi  51 zv.ministrat që e kemi rekord në Kosovë, ndoshta edhe në Ballkan e në Evropë, nuk besoj që ka numër aq të madh të ministrave e të zv.ministrave.

Dje lexuar që ishin punësuar rreth 200 konsulentë si këshilltarë për ministra, kjo i bie që çdo ministër t’i ketë 10 këshilltarë, unë nuk e di kur do t’i këshillojnë këta këshilltarë, sepse këshilltari duhet të së paku që njëherë brenda ditës ta këshillojë ministrin, e kur i ke 10 këshilltarë është problem cilin ta dëgjojë e kohën kur ta dëgjojë. Kjo është një problem që kjo qeveri është shumë e brishtë dhe po mundohet që në mënyrë artificiale ta forcojë bazën e saj që të stabilizohet dhe nuk e mohon faktin që për çdo vendim të rëndësishëm të votojë opozita, pa opozitën në kuvend qeveria nuk mund të vazhdojë, por edhe në rast se 1 apo 2 deputetë të pozitës largohen, atëherë kjo qeveri nuk ka fuqi të tejkalojë asgjë.

Vazhdoj të mendoj që është qeveri e brishtë, dhe do të vazhdoj të mendoj se do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kosovës nuk i duhen qeveri të dobëta të tilla që nuk mund të bëjë asgjë për çështje madhore dhe qeveri pa Listën serbe.

“Bota sot”: Ditë më parë është raportuar nga LDK-ja se do të bëjnë një mocion kundrejt kësaj qeveria, a do ta përkrahni këtë mocion, apo cilat janë forma që do t’i përdorni për ta ndërprerë këtë qeverisje?

Mytaher Haskuka: Që nga dita e parë kjo qeveri nuk është e rregullt, nuk ka plane, nuk ka programe se çfarë do të bëjë kjo qeveri. Shpresoj se nuk do t’i kthehet projekteve të dëmshme që ka pasur qeverisja e kaluar. Në aspekt të së ardhmes, në çfarëdo iniciative që do t’ia zvogëlonte jetën kësaj qeverie unë do ta përkrahja personalisht, por edhe Vetëvendosja. Ne nuk mendojmë që Kosovës i duhen qeveri  artificiale të cilat mbahen në këmbë me mundësi të parregullta, në këtë aspekt nuk ka nevojë që të vazhdojë kjo gjendje e palakmueshme për Kosovën, në të cilën në secilin vendim i duhet përkrahja nga Beogradi.

“Bota sot”: Dy marrëveshje të cilat kanë bërë që të rrëzohet qeveria Mustafa, janë demarkacioni dhe asociacioni. Si do t’i zgjidhë këto marrëveshje kjo qeveri?

Mytaher Haskuka: Hapi i formimit të Komisionit i cili po verifikon që janë bërë gabime gjatë demarkacionit, është një hap i mirë. Por, shpresoj që Ramush Haradinaj do ta mbajë fjalën e dhënë që nëse del që Kosova ka humbur territor të mos mundohet ta ratifikojë këtë marrëveshje. Në aspektin legal ndërkombëtar po shoh një problem se Haradinaj thotë se duhet të dërgohet në arbitrazh, e të dërgohet në arbitrazh Kosova duhet që mos ta pranojë marrëveshjen, domethënë, duhet të vijë në Kuvend ne ta votojmë atë kundër dhe në momentin që nuk votojnë 81 deputetë për këtë marrëveshje, kjo marrëveshje ndërkombëtare bie dhe pastaj shkohet në arbitrazh dhe të vazhdojë procesi i arbitrazhit. Kjo do ta forconte shtetësinë e Kosovës, sepse Kosova për herë të parë do ta mohonte një marrëveshje të dëmshme në kurrizë të saj. Lidhur me marrëveshjen e asociacionit Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendim pas protestave dhe ajo rrëzon totalisht marrëveshjen e Brukselit ngase në 26 pika është jokushtetuese,  prandaj nuk besoj që mund të rikthehet kjo marrëveshje dhe nuk duhet të rikthehet pasi gjykata e ka dhënë vendimin.

Mendoj prapë se nëse marrëveshjet e dëmshme rrezikojnë shtetësinë e Kosovës, sovranitetin e brendshëm dhe territorin e saj, ne përsëri do ta kundërshtojmë pavarësisht aspektit të përgjithshëm nëse na dëmton, qoftë në funksion apo në imazh.  Marrëveshjet e dëmshme në Bruksel kanë bërë që Kosova të varet nga Beogradi dhe nëse do të bëhet asociacioni atëherë Kosova do të bosnjëzohej.

“Bota sot”: Ditë më parë Ministrja për Integrime, Dhurata Hoxha, ka kërkuar ratifikimin e demarkacionit brenda dy muajve, si dhe ndërkombëtarët vazhdimisht shprehen se ky është kusht për liberalizim, a duhet të mbesin qytetarët e izoluar deri sa të zgjidhet kjo çështje?

Mytaher Haskuka:  Dhurata Hoxha nuk mund ta kushtëzojë Parlamentin e Kosovës, ajo është ministre dhe vendimi për demarkacion merret në Kuvend, pra kush është për apo kundër dhe nevojiten 2/3 për të votuar. Është padrejtësi e madhe që Kosovës t’i kërkohet demarkacioni për liberalizim të vizave, kur kemi shumë shtete tjera që kanë ende probleme me kufij. Prej Mondollës, Ukrainës, por edhe Mali i Zi, nëse ne kemi probleme me demarkacion edhe Mali i Zi ka liberalizim e vizave dhe ne nuk e kemi kjo është padrejtësi. Këto padrejtësi janë bërë për shkak të paaftësisë së Hashim Thaçit kur ka qenë në bisedime në Bruksel dhe kur i ka bërë këto kritere. Njëra prej pikave kyçe të dëmve që ai i ka bërë, ka qenë demarkacioni  që Kosova humbë tokë, por edhe kriteret e liberalizimit të vizave. Në momentin që nuk kalon demarkacioni nga deputetët e Kosovës edhe Bashkimi Evropian do ta kuptojë realitetin e ri dhe do të përballet me atë realitet. Edhe brenda BE-së, kemi shtete që janë në arbitrazh, Sllovenia me Kroacinë ende janë në arbitrazh dhe janë anëtare të BE-së, këto janë debate mediatike por fund vendimi i mbetet deputetëve dhe nëse BE do ta liberalizojë Kosovën është nëse kemi qeverisje të pa korruptuar, një vend ku dokumentet kanë kredibilitet nuk vidhen nëpër stacionet e policisë në dhomat e dëshmive, një vend ku funksionon drejtësia dhe në momentin që këto përmbushen nuk besoj që do të ketë problem.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test