Hoti flet për zgjedhjet brenda LDK-së, tregon kujt i konvenon shfuqizimi i Speciales - Bota Sot
Hoti flet për zgjedhjet brenda LDK-së, tregon kujt i konvenon shfuqizimi i Speciales

Intervista

E enjte, 20 shtator 2018

Hoti flet për zgjedhjet brenda LDK-së, tregon kujt i konvenon shfuqizimi i Speciales

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 30 janar 2018 Në ora: 10:11
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti

Në një intervistë ekskluzive për gazetën kombëtare ”Bota sot”, shefi i grupi parlamentar të LDK, Avdullah Avdullah Hoti  thotë se Qeveria Haradinaj nuk ka as njohuri e as guxim ta përpiloj një strategji për të përcaktuar afatin kohore të bisedimeve në Bruksel dhe temat që duhet të bisedohen për shkak të varësisë së saj nga ana e Listës Serbe përkatësisht Beogradit.

Për këtë, ai kërkon që në këtë proces të përfshihet më shumë institucioni i Kuvendit të Kosovës. Sa i përket tentimit të shfuqizimit të Gjykatës Speciale, ai thotë se nga koha e pasluftës e deri më tani Kosova asnjëherë nuk ka pas një klimë kaq të rënduar politike në raport me miqtë ndërkombëtarë. Në këtë intervistë, Avdullah Hoti  shprehet edhe kundër iniciativës për amnistimin e deputetëve që hodhën gaz lotsjellës në seancë në mandatin e kaluar qeverisë.

“Bota sot”: Zotëri Avdullah Hoti , si e komentoni klimën politike në Kosovë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe tentimit të shfuqizimit të Gjykatës Speciale?

Avdullah Hoti : Vrasja e Oliver Ivanoviqit është akt kriminal. Pres që autoritetet përkatëse do ta zbardhin sa më parë këtë vrasje dhe do të vënë autorët përpara drejtësisë. Deri më tani ky akt po vlerësohet me maturi dhe qetësi. Ajo pjesë e territorit të Kosovës ka nevojë për vëmendje më të madhe të institucioneve për të fuqizuar rendin dhe ligjin dhe për të liruar serbët lokal nga frika dhe tmerri i bandave. Qytetarët në atë pjesë të Kosovës jetojnë në frikë dhe mendimi i lirë është shtypur. Kontrolli i Beogradit në jetën politike në atë pjesë të Kosovës është i plotë.

Ndërkaq, sa i përket shfuqizimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara mund të them se që nga koha e pasluftës e deri më tani Kosova asnjëherë nuk ka pas një klimë kaq të rënduar politike në raport me miqtë ndërkombëtarë. E kam thënë edhe më herët, shfuqizimi i këtij ligji më së miri i shkon përshtati armiqve të shtetit të Kosovës. Pres që koalicioni i brishtë qeverisës ta ketë parasysh këtë dhe të ndaloj këtë iniciativë të dëmshme sa më parë. Ne nuk guxojmë të ikim nga drejtësia ndërkombëtare. Duhet të përballemi me të.

Përveç iniciativës për shfuqizimin e këtij ligji, javën që shkoi disa deputetë të koalicionit, të ndihmuar edhe nga disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë filluar nismën ligjore për nxjerrjen e ligjit për amnisti. Ky ligj ka për qëllim amnistinë e deputetëve që kanë kryer vepra penale brenda Kuvendit të Kosovës nga gushti 2015 deri në maj 2017. Kjo logjikë nuk është parë ndonjë herë që vetë ligjvënësit të nxjerrin ligjin për të amnistuar veten. Me këtë sjellje të këtyre deputetëve Kosova ka dëmtuar rëndë perspektivën e saj evropiane.

"Bota sot" : A e shihni si rrezik që Serbia të përdor këtë vrasje për ndarjen e veriut të vendit?

Avdullah Hoti : Veriu i vendit tashmë është nën juridiksionin e shtetit të Kosovës. Qeveria paraprake ka punuar shumë për këtë, për të shtrirë organet e rendit, të doganës, të drejtësisë, të pushtetit lokal etj. Sigurisht, ka shumë punë për të bërë për të vendosur plotësisht shtetin ligjor në atë pjesë të vendit. Shteti i Kosovës duhet të jetë i vendosur që të garantojë rendin dhe sigurinë për qytetarët në atë pjesë të vendit. Serbët lokal kanë nevojë për këtë, sepse janë duke jetuar nën diktat dhe dhunë të bandave. Atje është mbytur mendimi i lirë dhe liria e shprehjes dhe e veprimit politik. Rrjedhimisht, kjo nuk garanton se në të ardhmen do të kemi përfaqësues të serbëve që mbrojnë interesat e qytetarëve të asaj pjese, por përfaqësues politik që përfaqësojnë politikën e Beogradit. Kjo në fakt po ndodh çdo ditë në veprimet politike të përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës. Varësia e qeverisë aktuale nga votat e përfaqësueseve të komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës bënë që këta përfaqësues të shpërfaqin haptas qëndrimin e tyre të koordinuar me Beogradin dhe të kenë ndikim në vendimmarrjen e Qeverisë Haradinaj.

Unë pres që kjo vrasje mos të ndikoj dhe mos të përdoret si pretekst për të stopuar dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, proces ky mjaft i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të vendit si dhe të ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajon.

“Bota sot”: A mendoni se këmbëngulja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale po i dëmton marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtarë, posaçërisht me SHBA-të?

Avdullah Hoti : Tani në dhjetëvjetorin e pavarësisë së Kosovës kujtoj se do të duhej të ishim më të përgjegjshëm karshi obligimeve ndërkombëtare që kemi marrë me vullnetin e lirë. Në asnjë mënyrë nuk do të duhej të lejojmë cenimin e miqësisë me shtetet që na kanë bërë të mundur realizimin e ëndrrave tona për liri e pavarësi. Tre bartësit e institucioneve të vendit duhet të tregojnë maturi politike shumë më të madhe. Në fund të fundit, duhet të tregojmë para shteteve mike se nuk i druhemi drejtësisë ndërkombëtare dhe në fakt duhet të kërkojmë me ngulm që kjo gjykatë të jetë shumë më efikase që Kosova të lirohet sa më parë nga çfarëdo akuze e pretenduar. Departamenti Amerikan i Shtetit në deklaratën e fundit ka qenë shumë i qartë në kërkesën që ka ndaj institucioneve të Kosovës dhe spektrit politik kosovar. Pres që të gjitha forcat politike të reflektojnë në këtë drejtim dhe t’i bashkohen LDK-së në ruajtjen e miqësisë me SHBA-të. Për LDK-në, ruajtja e miqësisë së përhershme me SHBA-të është jetike për rrugëtimin e sigurt të shtetit të Kosovës drejt strukturave euro-atlantike. Rrugë tjetër për Kosovën, përveç integrimeve euro-atlantike, nuk ka.

“Bota sot”: Si e vlerësoni Qeverisjen Haradinaj deri më tani?

Avdullah Hoti : Listës së dështimeve të Qeverisë Haradinaj, për një periudhë kaq të shkurtër kohore nuk i dihet fundi. Këto dështime e dëmtuan Kosovën si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm. Në planin e brendshëm, Qeveria Haradinaj po instalon kulturë të rrezikshme të menaxhimit të parasë publike dhe në marrjen e vendimeve të kundërligjshme. Falja e mbi 58 milion eurove për ambalazhuesit e ujit në kundërshtim me ligjet dhe mandatin kushtetues të kryeministrit, rritja e pagave të kabinetit qeveritar mbi 100% pa u bazë në ligjin për buxhetin, shpërndarja e parasë publike me vendime të qeverisë  pa justifikime bazike dhe pa analiza buxhetore, kanë dëshmuar që në Kosovë po instalohet qeverisje e papërgjegjshme dhe e rrezikshme. Në planin  e jashtëm, qeveria Haradinaj po rrezikon raportin e qenësishëm me partnerët strategjikë të Kosovës SHBA-të dhe BE-në.

“Bota sot”: A mendoni se Haradinaj do të arrijë të qeverisë deri në fund të mandatit?

Avdullah Hoti : Kjo qeveri e krijuar mbi interesa të ngushta të liderëve të partive në koalicion nuk mund të arrij të qeverisë deri në fund të mandatit, dhe kjo pikërisht sepse terreni për apetitet e tyre do të ngushtohet. Për më tepër edhe mënyra e qeverisjes së këtij koalicioni pa vizion për zhvillimin ekonomik e mirëqenien e qytetarëve tani më veç sa i ka shtuar pakënaqësitë te qytetarët por edhe te shoqëria civile. Rrjedhimisht, gjatë këtij viti Kosova do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

“Bota sot”: Si e vlerësoni rifillimin e bisedimeve në Bruksel dhe përbërjen e ekipit të ri për negociata me Serbinë që udhëhiqet nga Avni Arifi?

Avdullah Hoti : Dialogu me Serbinë është kusht për ecjen tutje të vendit drejt Bashkimit Evropian dhe si i tillë kuptohet se duhet të vazhdoj. Sa i për ketë ekipit negociator, kam rezerva se sa ata janë kompetent lidhur me këtë proces. Ne edhe më herët kemi deklaruar se ky proces duhet të involvoj edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe për çdo gjë që bisedohet në Bruksel të njoftohet edhe Kuvendi.

“Bota sot”: A mendoni se në këtë ekip do duhej të përfshiheshin edhe deputetë nga partitë opozitare dhe shoqëria civile?

Avdullah Hoti : Siç e dini, marrëveshjet e arritura në Bruksel nuk po zbatohen në plotni dhe atë për mungesë të vullnetit nga pala serbe. Për të evituar të tilla gjëra si dhe për ta bërë dialogun më konstruktiv mendoj se Kuvendi duhet të përfshihet shumë më shumë në këtë proces. Domosdo ky proces do të përmbyllet me njohjen reciproke të të dy shteteve.

“Bota sot”: Pse sipas jush edhe këtë herë Qeveria Haradinaj nuk ka proceduar në kuvend për miratim një strategji për të përcaktuar afatin kohor për bisedime me Serbinë, temat që duhet të bisedohet, etj?

Avdullah Hoti: E thash edhe më herët kjo qeveri nuk ka vizion as për zhvillim ekonomik, as për mirëqenien e qytetarëve të vendit e as për procesin e integrimit të vendit në familjen evropiane. Të gjitha veprimet e kësaj qeverie që nga marrja e mandatit e dëshmojnë këtë. Veprimet e fundit lidhur me Gjykatën Speciale edhe më shumë tregojnë orientimin e kësaj qeverie kah e vetmja arsye për çka edhe janë bashkuar në koalicion:  përmbushja e interesave personale. Si pasoj e krejt kësaj kjo qeveri nuk ka as njohuri e as guxim ta përpiloj një strategji të tillë, aq më pak kur kemi parasysh varësinë e saj nga ana e Listës Serbe përkatësisht Beogradi.

“Bota sot”: Kur do të mbahen zgjedhjet brenda partiake në LDK dhe a do ti hyni garës për të parin e subjektit?

Avdullah Hoti : Lidhja Demokratike e Kosovës njihet si një parti me traditë të gjatë institucionale. Themelet e saj janë të ngritura mbi parimin e demokracisë dhe respektimit të ndërsjellë brenda partiak dhe karshi partnerëve. Andaj edhe zgjedhjet e brendshme të saj çdo herë kanë qenë në frymë të këtyre parimeve. Lidhja Demokratike e Kosovës zgjedhjet e saj do t`i mbaj në maj të vitit 2019.

"Bota sot": A mendoni se pas zgjedhjeve lokale ku subjekti i juaj ka fituar në së shumti vota dhe pas përçarjes së Vetëvendosjes, LDK-ja do të dal fituese e zgjedhjeve qendrore?

Avdullah Hoti: Gjatë vitit 2018, Kosova domosdoshmërish do të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, sepse duket qartë se kjo qeveri nuk ka mundësi të vazhdojë më gjatë. Jam i bindur se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, sikur në zgjedhjet lokale ku u dëshmua se Lidhja Demokratike e Kosovës është e vetmja shpresë dhe rrugë për ta quar Kosovën përpara, do të marrim mbështetjen e qytetarëve për të realizuar vizionin e Presidentit Rugova për integrim në BE dhe NATO dhe për të thelluar miqësinë me SHBA.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test