Milaim Zeka bënte thirrje për të kapur dhe asgjësuar çdo mbështetës të Ibrahim Rugovës dhe Bujar Bukoshit - Bota Sot
Milaim Zeka bënte thirrje për të kapur dhe asgjësuar çdo mbështetës të Ibrahim Rugovës dhe Bujar Bukoshit

Intervista

E mërkurë, 22 gusht 2018

Milaim Zeka bënte thirrje për të kapur dhe asgjësuar çdo mbështetës të Ibrahim Rugovës dhe Bujar Bukoshit

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 6 prill 2018 Në ora: 17:52
Mero Baze

Gazetari dhe kolumnisti i njohur, Mero Baze, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka komentuar gjendjen aktuale politike në Kosovë.

Gjatë intervistës, ai ka komentuar raportet ndërmjet ish- Presidentit Rugova dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hartimin e listës për vrasjen e përkrahësve të Rugovës, nga deputeti Zeka, tregtisë së armëve në luftë dhe për arsyet e mundshme të vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit, Enver Malokut e Azem Hajdarit.

“Bota sot” Si e vlerësoni gjendjen aktuale-politike në Kosovë?

Baze: Kosova gjendet në një moment delikat të historisë së saj, pasi është koha kur ajo duhet të hedh hapin e madh dhe të sigurt drejt një vendi, që po hynë në rrugën e pranimit të standardeve evropiane dhe procesit real të integrimit në Evropën perëndimore. Ndryshe nga vendet e tjera ajo ka problem mospranimin nga Serbia dhe miqtë e saj në botë, plus problemet e veta si shtet i ri. Të gjitha këto mund të përballohen vetëm me një vullnet të qartë dhe pa lëkundur për të ruajtur orientimin perëndimor, jo vetëm me fjalë, por me vepra dhe hapa konkrete. Piruetat me Gjykatën Speciale, humbja kohë me politika populiste rreth kufirit ndarës me Malin e Zi dhe  veprimet joserioze shtetërore me Turqinë janë simptoma të një sëmundje që mund ta dëmtojë Kosovën në të ardhmen.

Ajo që bie dukshëm në sy është se Kosova po përdoret nga liderët e saj politikë për hallet e tyre në vend që ata të ishin aty për të zgjidhur hallet e Kosovës. Dhe kjo situatë duhet të marrë fund një ditë.

“Bota sot”: Si i komentoni deklaratat e Presidentit Thaçi ku në një konference për media, nuk i kurseu akuzat e forta për analistët shqiptarë për situatën aktuale në Kosovë?

Baze: Me sa dëgjova Presidenti Thaçi ju referua disa shkrimeve kritike nga Tirana, përfshirë dhe shkrimet e mija, besoj, kundër asaj që Kosova bëri me ekstradimin e jashtëligjshëm të gjashtë shtetasve turq për llogari politike të Presidentit Erdogan. I mbetem mendimit se ajo është një histori e pistë, që vë në dyshim aftësinë e lidershipit të Kosovës për të bërë një shtet serioz, është një fyerje për historinë se si është formuar vetë shteti i Kosovës nga azilantë politikë dhe mbi të gjitha është një damkë për profilin jodemokratik dhe anti perëndimor të politikanëve shqiptarë në krye të Kosovës. Pra, është një akt që i vë zjarrin shpresave të Kosovës për një shtet të besueshëm dhe të sigurt. Pastaj se kush i ka vënë zjarrin Shqipërisë, Presidenti Thaçi le të pyes ata me të cilët ka jetuar më 1997 në Shqipëri.

“Bota sot”: Kush mendoni që qëndron pas vrasjeve politike në Kosovë?

Baze: Vrasjet politike në Kosovë janë simptoma të një trashëgimie të keqe enveriste që u mbart tek partitë e dala nga UÇK prej enverizmit të Shqipërisë dhe mënyrës se si komunistët shqiptarë eliminonin kundërshtarët politikë. Ajo është një përzierje e enverizmit me banditizmin dhe primitivizmin politik në Kosovë. Fakti që në Kosovë nuk është eliminuar fizikisht asnjë lider apo mbështesë i partive të dala nga UÇK, por kundërshtarë të tyre politike kryesisht LDK, tregon qartë se kush qëndron pas tyre.

“Bota sot”: Çfarë marrëdhënie kishin presidenti Rugova dhe Berisha?

Baze: Raportet e Ibrahim Rugovës me Sali Berishën janë të gjata, komplekse dhe plot dritëhije. Ato nuk janë ashtu si duken nga larg, por jo dhe aq formale sa paraqiteshin në publik. Mendoj se deri në vitin 1993 kanë pasur marrëdhënie korrekte dhe me besim tek njëri tjetri. Shqipëria e ndihmoi shumë Kosovën në vitet e para të saj, për shkak se Shqipëria ishte një vend shumë i mbështetur nga Perëndimi deri në vitin 1994. Ishte një ish vend komunist, i dalë nga izolimi me mbështetje të fortë amerikane dhe perëndimore në tërësi. Berisha ishte i besuari i perëndimit në Shqipëri dhe mbështetja ndaj Kosovës ishte vendimtare. Rugova arriti ta përdor këtë reputacion të Shqipërisë dhe vetë Berishën në këtë periudhë.

Gjërat filluan të ndryshojnë pas vitit 1994. Berisha filloi të kishte problem me demokracinë në Shqipëri, me thyerjen e embargos në vitin 1995 dhe më tej akoma me persekutimin politik të opozitës dhe zgjedhjet në vitin 1996. Sa më shumë Perëndimi i largohej Berishës aq më shumë Rugova mbajti distancë prej tij.

Në raportet e tyre personale pas referendumit të Nëntorit 1994 marrëdhëniet ishin formale dhe shpesh të ngrira.

Pas vitit 1995 Rugova ishte një figurë më e pëlqyer se Berisha në Perëndim, dhe pas vitit 1996 Rugova ishte e vetmja figurë  e botës shqiptare e mbështetur nga Perëndimi. Berisha tentoi ta përdorte në vitin 1996 për të mbuluar krizën e demokracisë së brendshme në Shqipëri, por Rugova e injoroi. Pas kësaj në vjeshtë të vitit 1996, Berisha tentoi të afrohej me kundërshtarë të tij, tentoi të radikalilzonte situatën në Kosovë me shpresë se perëndimi do ta thërriste si interlokutor për Kosovën dhe do t’ia falte atë që ndodhi në Shqipëri. Kjo i përkeqësoi dhe më keq gjërat dhe në vitin 1997, Berisha u dorëzua para një Shqipërie të djegur, ndërsa Rugova që ishte ndarë prej tij dhe kishte ndërprerë komunikimin, mbeti një aleatë i perëndimit. Deri prej asaj dite nuk u bën dot kurrë bashkë. Ai nuk e priti kurrë Berishën në Kosovë dhe Berisha pati shans të vinte për herë të parë në Kosovë në vitin 2006 kur Rugova vdiq. Sa ishte gjallë nuk e priti.

“Bota sot” Pas deklaratave për Milaim Zeken për hartimin e listës për vrasjen e përkrahësve të Rugovës, deputeti Zeka reagoi duke ju referuar si i sëmurë mental.

Si i komentoni ju këto deklarata?

Baze: Nuk e kam dëgjuar këtë deklaratë. Kam dëgjuar vetëm një deklaratë të tij më 30 mars 1999 në TVSH nga ky tipi që bënte thirrje për të kapur dhe asgjësuar çdo mbështetës të Ibrahim Rugovës dhe Bujar Bukoshin, qoftë ky gazetar apo politikan. Deklarata të tilla i bëjnë ose të sëmurë mendor, ose vrasës ordinerë me pagesë nga Serbia. Të zgjedh kë të dojë çfarë është.

“Bota sot” Kishte në listën e bëre nga Zeka për vdekjen e përkrahësve te Rugovës, figura politike, shoqërore?

Baze: Mos kërkoni prej këtij tipit  gjëra që si ka në dorë. Ai ka në dorë vetëm mikrofonin. Për lista i kërkohet llogari atij që i bën jo atij që i lexon. Ai është një ushtar i rëndomtë me të cilin nuk duhet të merreni.

“Bota sot” Kush ju ka ndihmuar ta njihni Kosovën më mirë, me cilët nga politikanët i keni pasur bisedimet e para rreth shtetit të Kosovës?

Baze: Në fillim si nxënës dhe student më ka lidhur historia. Kur kam qenë student në fund të viteve 80, kam qenë i impresionuar nga ndryshimet në Kosovë, lëvizjet politike, protestat e studentëve dhe minatorëve, etj. Kam pasur miqësi  me Premton Gërvallën, djalin e Jusuf Gërvallës, si bashkë student në Tiranë, dhe shpesh e përdornim temën e ndryshimeve në Kosovë si dëshirë për atë që në Shqipëri nuk lëvizte asgjë. Pastaj filloi rezistenca politike. Kisha fatin të lexoja në atë kohë gazetën “Bota e re”, të studentëve që vinte në Bibliotekë Kombëtare dhe mund ta lexoja si pjesëtar i redaksisë së gazetës Studenti. Prej vitit 1991 pastaj vendosa kontakte me gazetarë të Kosovës dhe prej vitit 1992 kam punuar për shtypin e Kosovës me Rilindjen dhe Bujkun dhe më vonë me shumë gazeta të tjera përfshi dhe “Bota Sot”.

Politikani më i afërt që kam njohur prej atëherë ka qenë Bujar Bukoshi, Ibrahim Rugova, Ali Aliu, Mehmet Kraja, Sabri Hamiti, Veton Surroi, Mark Krasniqi, Xhafer Shatri në Zvicer dhe pastaj dhe shumë drejtues të LDK. Ndoshta dhe dikë që nuk më kujtohet tani. Por, ata që ma kanë mësuar historinë e Kosovës në detaje kanë qenë gazetarët e atij brezi, sidomos me ata që punoja tek Rilindja.

“Bota sot” A ishte arsyeja e vrasjes e Azem Hajdarit  marrja e armëve në depon e Shtetit?

Baze: Jo. Këto janë legjenda urbane. Azemi është viktimë e intrigave politike në Shqipëri, e konfliktit social ku ishte zhytur Shqipëria dhe natyrisht e pabesive politike nga të dy anët. Ai ishte i vetmuar si politikan, pasi nuk kishte aleatë dhe mbështetje brenda PD, kishte distancë me armiqësi të gjatë me Berishën dhe natyrisht në përpjekje për t’i hyrë në zemër Berishës në fund,  kishte hyrë në spirale armiqësie dhe me kundërshtarë politikë të cilët e ekzekutuan. Berisha ka përgjegjësi për atë që ndodhi me Azem Hajdarin. Ai nuk është vrasësi i tij, por është përgjegjës, pasi mund ta shmangte vrasjen. Të paktën atë ditë.

 “Bota sot”: Po e kolonel Ahmet Krasniqit, Ilir Konushevcit, Enver Maloku?

 Baze: Kolonel Ahmet Krasniqin e vranë kundërshtarët e tij, në bashkëpunim të hapur me disa struktura të shërbimit sekret shqiptar. Në një farë mënyre shteti shqiptar i la ata ta vrisnin duke i garantuar që nuk do t’i gjente gjë. Arsyet në dukje janë rivaliteti politik, por druaj se është dhe çështje financiare. I ngjashëm është dhe fati i Kunushevcit. 

“Bota sot”: Cili ishte qëndrimi i FARKU-t krahas furnizimit të ushtrisë për UÇK-në?

Baze: Tani pas 20 vitesh duket sikur ka pasur ndonjë hendek të madh. Por, në fakt në atë kohë FARK ishte më shumë njësi logjistike që furnizonte çdo luftëtar se sa ushtri më vete. Kjo legjenda e ushtrisë më vete është krijuar më pas për arsye politike. Me aq sa unë informohesha atëherë, në listat e qeverisë Bukoshit ishin gjithë komandantët që luftonin në Kosovë apo që thirreshin që luftonin, që nga Llapi në Suharekë e deri në Dukagjin. Kishte dhe njësinë e tij ushtarake të organizuar direkt në Koshare, e cila më pas u bë shkak për konflikte, por që në fund të fundit ende njerëzit respektojnë heronj si Agim Ramadani pa vrarë shumë mendje a ishte i FARK apo UÇK. Pra ndarja nuk ka qenë si paraqitet sot. Ajo ka qenë ndarje vetëm në mendjet e veprimtarëve politike që e donin luftën për pushtet, por  në sytë e njerëzve të thjeshtë që donin lirinë e Kosovës, ata ishin çlirimtarë.

“Bota sot”: Ka pasur tregti rreth shkëmbimit të armëve?

Baze: Natyrisht që ka pasur por nuk është ndonjë mëkat. Luftërat janë të tilla që u shërbejnë dhe heronjve dhe trafikantëve dhe vrasësve. Nuk duhet të na çudisin këto histori. 

“Bota sot”: A është duke pësuar progres në rrugën evropiane Shqipëria?

Baze: Shqipëria sikundër Kosova ka një gjendje depresive të krijuar nga korrupsioni dhe pafuqia për ta kapërcyer standardin e një vendi lindor. Mbetet ende një vend tribal, i korruptuar dhe me një luftë të brendshme të paprinciptë për interesa të ngushta klienteliste. Por, energjitë e rinisë shqiptare dhe brezave të rinjtë janë shpresë që situate do kalojë dhe Shqipëria nuk do ta humbas trenin e  Evropës.

 “Bota sot”: Si e komentoni dramën e shkaktuar nga krerët politikë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale?

Baze: Është një dramë personale komandantësh që për pak e kthyen në dramë kombëtare. Ishte si një ëndërr e keqe që shpresoj se kaloi. Nuk e di pse u desh të bëhej gjithë ajo zhurmë. Heronjtë e Kosovës do të mbeten të tillë dhe nëse i dënon Gjykata Speciale. Lufta është lufta dhe aty nuk shkohet për të pirë raki por për tu vrarë . Nëse ata faktohet se kanë luftuar dhe vrarë armiqtë e Kosovës ata pavarësisht dënimeve do të mbeten në historinë e Kosovës si heronj. Për fat të tyre ata e gëzuan lirinë, gëzuan dhe pushtetin, për fat të keq dhe korrupsionin. Gjykata speciale vetëm mund ti pastroj nga gjithë çfarë kanë bërë pas luftës nëse i dënon. 

“Bota sot”: Pas 10 viteve pavarësi si e shini gjendjen aktuale të Kosovës?

Baze: Problemi që ka Kosova është se bota ka bërë për Kosovën, më shumë se Kosova që ka bërë për veten. Kosova ka një brez të ri të talentuar të rinj shumë kreativë dhe plot energji dhe një klasë politike të tribalizuar dhe korruptuar, e cila për fat të keq ka mundur të çlirojë Kosovën nga Serbia dhe s’po mund të çlirojë Kosovën nga vetja  e saj. Kosova është peng i tyre. Brezi i ri i Kosovës duhet t’i ndihmojë ata duke i çuar në shtëpi dhe duke i respektuar për historinë pasi kështu i bëjnë nder dhe Kosovës dhe atyre.

Kosova është sot një vend i zhytur në papunësi, mungesë shprese dhe larg qoftë po bën relative nevojën e pavarësisë.

Kosova është një vend që njerëzit duan të ikin dhe kjo e bën pavarësinë pa kuptim. Duhet ngjallur energji pozitive dhe një shpresë  e re për Kosovën.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test