NATO kërkon që transformimi i FSK-së të aprovohet sipas ndryshimeve kushtetuese - Bota Sot
NATO kërkon që transformimi i FSK-së të aprovohet sipas ndryshimeve kushtetuese

Intervista

E shtunë, 22 shtator 2018

NATO kërkon që transformimi i FSK-së të aprovohet sipas ndryshimeve kushtetuese

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 14 shtator 2018 Në ora: 20:35
Komandanti i KFOR-it në Kosovë, Salvatore Gouci

Komandanti i KFOR-it në Kosovë Salvatore Gouci, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë mbështesin çdo përpjekje për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, që çon në ruajtjen e sigurisë dhe shmang krijimin e tensioneve.

Ai ka treguar detaje nga monitorimi i situatës në ditën e diel, kur presidenti serb Aleksandar Vuçiq, u ndalua që të hynte në Drenicë.  Duke folur për mundësinë e përshkallëzimit të situatës atë ditë, Gouci ka deklaruar se vizita e Vuçiqit, mund të kishte përfunduar me rezultat tjetër, mirëpo sipas tij, ajo u zhvillua mirë.

Komandanti Gouci ka thënë po ashtu se, NATO kërkon që transformimi i FSK-së në ushtri, duhet të aprovohet sipas ndryshimeve kushtetuese, duke i përfshirë komunitetet pakicë në procesin e vendimmarrjes.

Ai ka theksuar se përveç çdo pozicioni politik, ka shumë hapa që duhen bërë që FSK-ja të bëhet një Ushtri efektive.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale të sigurisë në vend, posaçërisht në veri?

Gouci: Situata në veri është e qetë dhe stabile, ashtu siç është në të gjithë Kosovën.

“Bota sot”: A mendoni se një marrëveshje me ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë, do t’i jepte fund konflikteve në Ballkan apo do të thellonte ato?

Gouci: KFOR-i zakonisht nuk merret me politikë, por ne jemi të vetëdijshëm se kjo është kyçe për paqen dhe sigurinë rajonale. Ne llogarisim tek të gjithë në rajon që të tregojnë maturi dhe mbështesin çdo përpjekje që çon në ruajtjen e sigurisë dhe shmang krijimin e tensioneve.

“Bota sot”: Institucionet e Kosovës anuluan vizitën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Banjë të Skenderajt. Na thoni pak, si ishte situata atë ditë, a pati nevojë për intervenimin e KFOR-it në atë pjesë?

Gouci: Gjatë vizitës së Presidentit serb Vuçiq, KFOR-i ka punuar në bashkëpunim të ngushtë me institucionet në Kosovë, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in. Të dielën ka pasur disa tensione fillestare për shkak të bllokadave në rrugën për në Bajë, por situata u menaxhua siç duhet nga Policia e Kosovës. KFOR-i po monitoronte situatën i gatshëm për të ndërhyrë dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes. Ne shprehim keqardhje që programi i plotë i vizitës nuk ka mundur të respektohet, por vendimi për të mos shkuar në atë rajon, ka qenë shumë me vend dhe gjatë gjithë vizitës siguria e presidentit Vuçiq ishte e garantuar dhe nuk ka pasur dhunë apo njerëz të lënduar.

“Bota sot”: A kishte rrezik për përshkallëzim të gjendjes së sigurisë, në rast se presidenti serb nuk do ta respektonte vendimin e institucioneve të Kosovës?

Gouci: Sigurisht që vizita mund të kishte përfunduar me një rezultat tjetër, por në fund vizita u zhvillua mirë dhe presidenti Vuçiq pati mundësi ta adresojë fjalimin e tij.

“Bota sot”: A është e gatshme Forca e Sigurisë së Kosovës, që të transformohet në ushtri të Kosovës? Kur do të mund të ndodhë kjo?

Gouci: Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë të armatosur është një vendim që i takon institucioneve në Kosovë. Struktura, mandati dhe misioni i FSK-së janë çështje e institucioneve vendore të Kosovës në përputhje me procedurat e tyre kushtetuese. NATO kërkon që transformimi të aprovohet sipas ndryshimeve kushtetuese, duke i përfshirë komunitetet pakicë në procesin e vendimmarrjes. NATO vazhdon të mbështesë zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si një forcë gjithnjë e më profesionale dhe efektive, brenda mandatit të saj aktual. Në rast të ndonjë transformimi eventual, nevojitet një proces i gjatë për të ndryshuar aftësinë e tyre aktuale për t’u bërë ushtri; është diçka që nuk mund të realizohet brenda një dite, ose vetëm duke miratuar një projektligj dhe në çdo rast do të duhet shumë vite për të formuar një ushtri. Ushtria nuk është vetëm një çështje e marrjes së vendimit për transformim, por kjo nënkupton marrjen e pajisjeve dhe aftësimin për t’i mirëmbajtur ato, rekrutimin e më shumë pjesëtarëve, përmirësimin e sistemit të arsimit dhe trajnimit, ndërtimin e infrastrukturës së re dhe kështu me radhë. Thënë shkurt: të bëhesh me ushtri është një proces afatgjatë i cili kërkon një rritje solide të buxhetit.

“Bota sot”: Si bllokuese e formimit të ushtrisë, tash e një kohë njihet po Lista serbe. Pos saj, a ka edhe ndonjë faktor tjetër që po e pengon formimin e ushtrisë?

Gouci: Siç thashë më parë, KFOR-i zakonisht nuk merret me politikë, por përveç çdo pozicioni politik ka kaq shumë hapa që duhen bërë për t’u bërë një Ushtri efektive.

“Bota sot”: Të flasim pak për bashkëpunimin e KFOR-it me Policinë e Kosovës. Si qëndron bashkëpunimi, sidomos në pjesën veriore?

Gouci: Bashkëpunimi me Policinë e Kosovës është shumë i mirë në tërë Kosovën.

“Bota sot”: Baza Ajrore e Kuçovës do të merret në përdorim nga forcat e NATO-s. A është kjo një dëshmi e përkushtimit të kësaj organizate ndaj Shqipërisë?

Gouci: Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe është gjithashtu një vend kontribues këtu në KFOR. Vendet nga rajoni të cilat i janë bashkuar Aleancës janë bërë eksportues të stabilitetit në Ballkan dhe më gjerë. Një Ballkan stabil është në interesin e të gjithë neve. Çdo komb mund të vendosë se si të kontribuojë për Aleancën.

“Bota sot”: A është e rrezikuar Kosova nga jashtë, meqë shumë raporte flasin për prani ruse në Kosovë?

Gouci: Përderisa është një dialog i hapur diplomatik, kjo është në rregull.

“Bota sot”: A i konsideroni të rrezikshme për stabilitetin e rajonit raportet që Rusia ka krijuar me Organizata të Krahut të djathtë në Serbi, të cilat demonizojnë NATO-n?

Gouci: NATO është plotësisht e angazhuar në Ballkanin Perëndimor sepse është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën dhe stabiliteti dhe siguria në këtë rajon kontribuon në stabilitetin dhe sigurinë në Evropë. NATO mban marrëdhënie të mira me Serbinë dhe absolutisht respekton neutralitetin e saj. Serbia është një partner i mirë për NATO-n dhe i takon Serbisë të vendosë nëse do të bashkohet potencialisht me Aleancën. NATO e respekton plotësisht pozitën e çdo vendi me të cilin bashkëpunon, si dhe qëndrimet e anëtarëve të saj, që individualisht marrin vendime për sigurinë e tyre.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për Qendrën Humanitare Serbo-Ruse në Nish, meqë autoritetet amerikane dyshojnë se ajo është humanitare?

Gouci: Meqenëse vepron si një qendër e vërtetë humanitare, nuk ka probleme.

“Bota sot”: Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se malazezët se janë njerëz agresivë që mund të shkaktojnë luftën e tretë botërore. Si mendoni ju për këtë deklaratë?

Gouci: Mali i Zi ka qenë një kontribues i rëndësishëm i sigurisë euroatlantike si partner i NATO-s. Sot, si një anëtar i plotë e Aleancës, vazhdon të jetë një ofrues i besueshëm i sigurisë. Është e mundur që Mali i Zi të bashkohet së shpejti KFOR-it dhe NATO mirëpret Malin e Zi dhe çdo kontribut të mëtejshëm ndaj KFOR-it nga çdo anëtar ose partner. Një anëtar i NATO-s nga Ballkani Perëndimor që bashkohet me KFOR-in do të ndihmonte në rritjen e stabilitetit në rajon. Aktualisht 28 kombe (20 anëtarë të NATO-s dhe 8 partnerë) i kontribuojnë trupave të KFOR-it.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test