Kosova pa Zot shtëpie dhe pa sovranitet? - Bota Sot
Kosova pa Zot shtëpie dhe pa sovranitet?

Kolumne

E enjte, 20 shtator 2018

Kosova pa Zot shtëpie dhe pa sovranitet?

Prof. Dr. Mehdi Hyseni Nga Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më 9 shtator 2018 Në ora: 18:45
Aleksandar Vuçiq në Mitrovicë

Mirëpo,  me gjithë kritikat e shumëta në adresë të “shkeljes së sovranitetit”, Vuçiqi nuk e ka shkelur sovranitetin territorial të Kosovës (sepse nuk ka hyrë fshehurazi dhe arbitrraisht), por ata që e kanë lejuar të hynte në Kosovë. Ata mbajnë përgjegjësi historike, ligjore dhe kushtetuese mbase pa njohjen de fakto dhe de jure të Kosovës nga ana e Serbisë nuk duhet pranuar asnjë vizitë e zyrtarëve shtetërorë të saj qoftë presidenti, kryeministri, kryeparlamentari apo ministrant etj.

Vizita ishte legale, por pa protokoll reciprok

*** Nëse dikë e pranon si mik në shtëpi, atëherë nuk mund ta trajtosh armik ilegal. Kjo në traditën e shqiptarit, është tejet e kristaltë.

Pra, duke qenë se vizita e Vuçiqit ishte lejuar nga qeveria e Ramush Hajredinit, atëherë, patjetër (do të duhej të vinte në shprehje itinerari protokollar shtetëror), presidenti Thaçi, do duhej ta shoqëronte Vuçiqin, gjatë vizitës së tij dyditore në Kosovë, sepse derisa Thaçi takohet dhe negocion me Vuçiqin në Bruksel dhe në Nju-Jork etj., si dhe derisa qeveria e Kosovës ka pranuar, që Vuçiq ta vizitiojë veriun e Kosovës, atëherë vizita e tij nuk mund të cilësohet si “vizitë ilegale” e as si fakt ligjor dhe kushtetues  se gjoja  Serbia ka shkelur sovranitetin territorial të Kosovës.

Pra, Vuçiqi nuk e ka shkelur sovranitetin territorial të Kosovës,  sepse ka hyrë me lejen e qeverisë kryeministrit  Ramush Haradinaj. Kjo nuk është  e diskutueshme, por fjalimet e tij të zjarrta  nacionalshoviniste para serbëve të Zubin Potokut, të Mitrovicës Veriore, të Zveçanit dhe të Leposaviqit, se gjoja, duhet të sillen dhe të veprojnë “ratniçki” në mbrojtjejn e të drejtave dhe lirive të tyre, duke mos e braktisur Kosovën.

Mirëpo, pavarësisht  nga fakti se kush ia bëri të mundur Vuçiqit, që ligjërisht të hynte në Kosovë, presidenti i Kosovës , Hashim Thaçi (sipas detyrës),  patjetër, do të duhej ta priste në kufi të Kosovës dhe ta shoqëronte gjatë gjithë vizitës presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në mënyrë që, të paktën në letër, të kuptohej se Kosova ka zot shtëpie dhe sovranitetin e saj,  edhe pse këtë Serbia ende nuk e njeh as de fakto dhe as de jure si shtet të pavarur dhe  sovran.

Derisa qeveria e Kosovës ka lejuar Vuçiqin, që ligjërisht të vizitonte veriun e Kosovës (komunat serbe:Zubin Potokun, Mitorovicën, Zveçanin dhe Leposaviqin), kjo nënkupton se ajo vizitë kishte karakter zyrtar mes dy shtetesh, edhe pse nuk e njohin njëri-tjetrin. Për këtë arsye, qeveria  e Kosovës, do të duhej ta kishte protokollin e vet, në mënyrë që presidenti Vuçiq tërë kohën të shoqërohej nga homologu i tij, Hashim Thaçi, Jo kjo të lihej vetëm në përgjegjësinë e autorizimeve dhe në kompetencave të policiisë dhe të sigrimit të Kosovës. Ky është nonsens ligjor dhe kushtetues.

Sikur Hashim Thaçi ta shoqëronte homologun e tij Aleksandar Vuçiq gjatë vizitës së tij dyditore në Kosovë, sigurisht  se Serbisë, do t’i bëhej e ditur se Kosova   është shtet sovran dhe i pavarur, Jo “ngrehinë e përkohshme institucionale shtetërore” siç po quajnë institucionet  shtetërore të Serbisë (qeveria, parlamenti dhe presidenca) dhe titullarët më të lartë saj, siç janë Vuçiqi, Daçiqi, Vulini, Gjuriqi…etj.  së bashku me Kishën e tyre ortodokse.

Pikërisht, shoqërimi i Vuçiqit nga ana e delegacionit pritës të Kosovës me Hashim Thaçin në krye (president), do të hidhte poshtë parullën e vjetër çetniko-fashiste  “KOSOVO JE SERBIA”, si dhe do të  pengonte hedhjen e parullave  antishqiptare dhe  vënien e flamurit disametërsh serb në pendën e liqenit Ujman,  DUKE I BËRË ME DIJE SE  ZOT I KOSOVËS ËSHTË PRESIDENTI I KOSOVËS, HASHIM THAÇI, JO presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili nga minoriteti serb u prit sikurse dikur mesija e tyre Slobodan Milosheviq në Gazimestan (28 qershor 1989), i cili kërcënoi shqiptarët me lufta të reja shfarosëse kundër tyre dhe djegjen e Kosovës shqiptare.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test