Vështirësitë për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë

Kosova

Vështirësitë për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë

Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 22:16
Faruk Kukaj çdo ditë derisa shkon në punë, përballet me vështirësi për shkak të mungesës së infrastrukturës së nevojshme

Faruk Kukaj, 56 vjeçar nga Prishtina, thotë se çdo ditë derisa shkon në punë, përballet me vështirësi për shkak të mungesës së infrastrukturës së nevojshme për këtë kategori.

“Vazhdimisht jam i rrezikuar nga automjetet. Trotuaret janë të bllokuara me makina me diçka tjetër dhe më duhet të lëvizë nëpër rrugët ku qarkullojnë automjtetet”.

Zoti Kukaj udhëheq qendrën Handikos në Prishtinë, prej nga përpiqet të çojë përpara përpjekjet për lehtësimin e jetës për personat me aftësi të kufizuara.

“Çfarë mund të them, pak pëprarime janë bërë. Jemi larg përmbushjes së standardeve apo kushteve të volitshme për personat me aftësi të kufizuara edhe pse ka disa hapa, disa përmirësime por janë të pakta për ta ndjerë pak a shumë vetën si qytetar të barabartë”, tha ai.

Edhe bashkëshortja e zotit Kukaj është me aftësi të kufizuara. Ai ka angazhuar dy ndihmës pagat e të cilëve, në pjesën më të madhe, i përmbushë nga xhepi i tij.

Në ditën ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, përfaqësues të organizatave që merren me mbështetjen e këtij komuniteti, thonë se nuk ka të dhëna të sakta se sa persona në Kosovë i takojnë kësaj kategorie. Sipas tyre gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë që është bërë para dhjetë vitesh janë regjistruar 78 mijë veta.

Kaltërina Misini nga Organizata Handikos thotë se mungesa e vullnetit dhe neglizhenca e institucioneve përballë këtij grupi janë disa nga faktorët përcaktues të situatës jo të mirë për personat me aftësi të kufizuara.

“Meqenëse e dimë që këto që po i flasim janë të garantuara me të drejtat e njeriut, janë të garantuara në kuadër të kuadrit ligjor prandaj është e domosdoshme që të bëhet shumë më shumë dhe që të punohet në ofrimin e shërbimeve sociale primare, shërbimeve sociale lokale, në përfshirje në arsim, në përfshirje në punësim dhe në përfshirje në çdo fushë tjetër”, tha ajo.

Ajo thotë se përveç mungesës së qasjes infrastrukturore, personat me aftësi të kufizuar përballen edhe me sfida tjera.

“Sfidë vazhdon të jetë përfshirja në edukimin e rregullt të fëmijëve me aftësi të kufizuara sepse ka plot fëmijë që kanë mbetur jashtë sistemit arsimor për shkak të mungesës së qasjes dhe për shkak të mungesës së asistentit nëpër shkollë, pastaj sfidë vazhdon të mbetet përfshirja në punësim ka paragjykime dhe neglizhencë që personat me aftësi të kufizuara nuk mund të punojnë, realisht janë institucionet ato të cilat nuk ofrojnë mundësi dhe kushte për punësim të personave me aftësi të kufizuara”, tha ajo.

Qeveria e Kosovës shpalli të premtën vitin 2022, si vit i personave me aftësi të kufizuara, me qëllimin që të trajtojë problemet me të cilat përballet ky komunitet. Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, tha se në këtë nismë të qeverisë do të përfshihen të gjitha institucionet e vendit.

“Ne bëjmë çmos që personat me aftësi të kufizuara të ndihen të rëndësishëm, të barabartë dhe të lehtësojmë jetën e tyre nëpërmjet infrastrukturës e kritereve të mundshme, dhe mbi çdo bazë që të mos ndihen të diskriminuar”, tha ajo.

Faruk Kukaj thotë se mungon vullneti i politikanëve për të përmirësuar shërbimet enevojshme për personat me aftësi të kufizuar.

“Mjetet ekzistojnë, unë nuk pres prej tyre që të bëhet Paris, Oslo apo Kopenhagë por së paku gradualisht me i rregullu disa gjëra dhe me kriju kushte sa më të mira, me ato kushte çka mundet të bëhet në Kosovë”, tha ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat