Kosova dhe Austria vlerësojnë lartë bashkëpunimin në drejtësi

Kosova

Kosova dhe Austria vlerësojnë lartë bashkëpunimin në drejtësi

Më: 9 tetor 2012 Në ora: 20:53

Me ftesë të ministres së Drejtësisë të Austrisë, Beatrix Karl, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi po qëndron në vizitë në Vjenë.

Në takimin bilateral të mbajtur sot, dy ministrat e Drejtësisë kanë zhvilluar një drekë pune me ç’rast kanë shkëmbyer përvojat e tyre në fushën e drejtësisë, duke vënë theksin mbi bashkëpunimin juridik ndërkombetar ndërmjet dy shteteve.

Pas njoftimit nga ana e zëvendëskryeministrit Kuçi rreth aktiviteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e rendit dhe ligjit, kompletimit të infrastrukturës ligjore dhe iniciativave të reja në këtë fushë, dy ministrat janë dakorduar që sundimi i së drejtës në nivel shtetëror do të fuqizojë edhe më tej bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Republikës së Austrisë dhe Republikës së Kosovës.

“Kosova dhe Austria si dy shtete mike kujdesen parësisht që fusha e rendit dhe ligjit të luajë rolin krucial në koordinimin e politikave të përbashkëta në zbatim të plotë të legjislacionit të Unionit Evropian. Jemi të interesuar që dy shtetet tona ta intesifikojnë bashkëpunimin juridik ndërkombëtar përmes marrëveshjeve për bashkëpunim të ndërsjellë juridik, ekstradim, si dhe transfer të personave të dënuar. Përvojat austriake në jurisprudencë, posaçërisht në reformimin infrastrukturor ligjor, pastaj ato të noterisë, arbitrazhit, ndërmjetësimit, janë të vlefshme, duke pasur parasysh traditën juridike austriake, të cilën Kosova dhe shtetet e rajonit e kanë pothuajse të përafërt. Ne jemi të interesuar gjtihashtu të marrim përvojat më të mira austriake rreth idesë tonë për themelimin e Akademisë së Drejtësisë, për çka homologia ime austriake dha garancën e ofrimit të tërë kapaciteteve humane të institucionit që drejton”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi.

Nga ana tjetër, ministrja Karl e ka siguruar ministrin Kuçi që Austria do të ofroj tërë kapacitetet e saj në shërbim të ngritjes së infrastrukturës ligjore të Kosovës nëpërmjet ofrimit të ekspertizës së saj në të gjitha fushat dhe gjithashtu ka dhënë garancën e saj institucionale për zbatimin e marrëveshjeve për bashkëpunim juridik ndërkombetar.

Gjatë vizitës në Vjenë, zëvendëskryeministri Kuçi gjithashtu ka pasur takime të ndara edhe ne Parlamentin Federal të Austrisë, ku ka takuar Kryetarin e Komisionit për Legjislacion Peter Fichtenbauer. Gjithashtu, pritje të veçantë ka pasur edhe ne Odën e Noterisë së Austrisë, ku është pritur nga kryetari i kësaj ode, Ludwig Bittner me bashkëpunëtorë. Bittner ka ofruar tërë gatishmërinë e tij rreth asistencës e nevojshme në ngritjen e kapaciteteve të Odës së Noterëve të Kosovës, si një institucion i posaformuar dhe i cili ka nevojë për ekspertizë dhe eksperiencë profesionale, thuhet në komunikatën e MD-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat