Preportr: Qeveria shpërbleu më shuma të majme donatorët e PDK-së - Bota Sot
Preportr: Qeveria shpërbleu më shuma të majme donatorët e PDK-së

Kosova

E enjte, 28 korrik 2016

Preportr: Qeveria shpërbleu më shuma të majme donatorët e PDK-së

Më: 17 tetor 2012 Në ora: 20:24

Të mërkurën Parlamenti i Kosovës ka debatuar mbi raportimet hulumtuese të Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese, përkatësisht gazetës “Preportr”. Niveli i përgjigjeve që kanë dhënë deputetët e partive në pushtet ka qenë banal dhe eluziv. Deputetë të PDK-së u munduan me fyerje ta shmangin përballjen me faktet e raportuara nga “Preportr”, kurse në një moment deputeti Shaip Muja akuzoi se “Preportr” i paska kërkuar para një ish-ministri, thuhet në reagimin e Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese.

Gjatë seancës, ish-ministri i ambientit, nga radhët e AAK-së, Ardian Gjini, në vazhdën e përpjekjeve të kësaj partie për tu afruar me PDK-në, tha se “gazetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile i paskan kërkuar para atij kur ka qenë ministër”. Gjini e solli këtë informacion të paverifikuar tani kur debatoheshin gjetjet e Preportr se mbi 100 milionë euro u janë shpërndarë financueseve të PDK-së nëpërmjet tenderëve publikë.

Ka qenë shumë e qartë që Gjini në llogari të PDK-së ka provuar të diskreditojë raportimet e “Preportr”, kurse Shaip Muja, duke iu përgjigjur gjetjeve të raporteve hulumtuese rreth përfitimeve të tij dhe të familjes së tij, akuzoi direkt “Preportr”, duke keqinterpretuar Gjinin, se i paskësh kërkuar para këtij të fundit.

“Gjini duhet që publikisht të tregoj, me emër e mbiemër, se kush janë ata gazetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile të cilët i kanë kërkuar para”, thuhet në reagimin e Preportr, sipas së cilës përpjekjet e deputetëve për të njollosur gazetarët janë një përpjekje primitive për të ikur nga llogaridhënia për mënyrën ë shpenzimit të parasë publike.

“Nuk mund të hedhen poshtë me fyerje gjetjet e raporteve hulumtuese të bazuara në dokumente zyrtare dhe në shikimin e dokumentacioneve të mbi 500 tenderëve”, thuhet në reagim, duke e quajtur njëkohësisht absurd votimin në Kuvendin e Kosovës kundër rekomandimeve nga parashtruesi i kërkesës për debat.

“Këto rekomandime kanë qenë thjesht një thirrje institucioneve të Kosovës, Auditorit të Përgjithshëm, Policisë dhe Prokurorisë për ta kryer punën e vet. Parlamenti të mërkurën votoi kundër hetimit të manipulimit të parave publike, duke u kthyer kështu në një Parlament që mbron korrupsionin”, thuhet në fund të reagimit të Preportr. Sipas drejtuesve të organizatë “ÇohuÇ dhe Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese, 43 subjekte të ndryshme, kryesisht kompani ndërtimore, biznese dhe persona fizikë, që kanë financuar Partinë Demokratike të Kosovës, në dy fushatat e fundit elektorale, kanë përfituar mbi 100 milionë euro nga tenderët publikë.

Për 11 nga këto 43 kompani që kanë fituar tenderë të ndryshëm, kryesisht nga Ministria e Arsimit dhe e Infrastrukturës, thuhet se kanë shkelur ligjin me ç’rast është dëmtuar edhe buxheti i vendit.

Lorik Bajrami nga organizata “Çohu”, shpjegon më shumë:

“Kjo është vetëm një gjetje, të cilën ne e kemi bërë. Ne kemi shikuar mbi 400 tenderë të ndryshëm, ka dalë ky numër dhe kemi ardhur në një përfundim që vlera totale që 43 kompani të ndryshme kanë përfituar, është diku mbi 100 milionë euro. Vërejmë po ashtu që një pjesë dërmuese e tyre p.sh në 11 kompani të ndryshme, është thyer Ligji sipas dokumenteve zyrtare të auditorit, është thyer ligji vetëm që këto kompani të jenë përfituese të këtyre parave publike”.

Në hulumtimin e këtyre organizatave, thuhet se nga raportet e auditivit për financimin e partive për fushatën e vitit 2009 dhe atij për fushatën e vitit 2010, shuma e donacioneve që këto 43 ndërmarrje dhanë për Partinë Demokratike të Kosovës, është pak më shumë se 280 mijë euro.

Drejtuesit e organizatës “Çohu” thanë se pas gjetjes së këtyre të dhënave kanë pritur për më shumë se dy javë për një koment nga PDK-ja dhe nga Zyra e kryeministrit, por as njëra dhe as tjetra nuk janë prononcuar në lidhje me këtë.

Kurse, Avni Zogiani, drejtor i Çohu” përmendi disa nga kompanitë, të cilat, sipas tij, janë të afërta me kryeministrin Thaçi.

“Për një periudhë rreth tre vjeçare ‘Eko Trade’, gjegjësisht kompania e familjes Zhugolli nga Buroja, fshati i kryeministrit, kanë përfituar një shumë prej mbi 70 milionë eurosh - shumë që kryesisht është marrë nga KEK-u për tenderë të ndryshëm. ‘Devolli’ prapë dihet që janë shumë të afërt me zyrtarë e financues të PDK-së. Vëllai i deputetit Shaip Muja në vazhdimësi ka përfituar nga sektori publik, konkretisht ka përfituar edhe nga RTK-ja. Ekzistojnë edhe të tjera kompani, të cilat janë të afërta me pushtetin, në një mënyrë apo në një tjetër. Ne jemi duke hulumtuar edhe kompani të tjera”, sqaron Zogiani.

Në një hulumtim tjetër të këtyre organizatave, thuhet se së paku 25 zyrtarë të lartë, ndër të cilët një zëvendëskryeministër, dy ministra, katër zëvendësministra, pesë kryetarë të Komunave, një sekretar i përgjithshëm, katër drejtorë të prokurimit, si dhe tetë anëtarë/drejtorë të bordeve të kompanive publike, nuk i kanë deklaruar të gjitha bizneset apo aktivitetet në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Gjetjet e publikuara nga Organizata "Çohu" dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese.

“Kjo e bën numrin e zyrtarëve në gjithsej 32 zyrtarë, duke marrë parasysh edhe 7 deputetë, bizneset e të cilëve i kemi publikuar”, shton Bajrami.

Për këtë çështje, thuhet në hulumtim, zyrtarët që nuk e kanë deklaruar një pjesë të pasurisë, nuk janë hetuar fare nga AKK-ja dhe nuk figurojnë në raportin vjetor të vitit 2011, i cili është bërë publik më 28 mars të këtij viti.

Në një hulumtim tjetër të këtyre organizatave thuhet se gjatë zgjedhjeve të vitit 2010, partitë në pushtet, PDK dhe AKR kanë pranuar më së shumti donacione nga persona fizikë dhe juridikë, për dallim nga partitë e tjera konkurruese në zgjedhje.

Në raportin e auditorit, të cilin e ka porositur KQZ-ja rreth pasqyrave financiare të partive politike për vitin 2010, i cili është publikuar në qershor të vitit të kaluar, shihet se shkelësit më të mëdhenj të këtij ligji janë dy subjekte politike – PDK dhe AKR, thuhet në hulumtimin e publikuar.

Këto dy subjekte kanë numrin më të madh të donatorëve dhe, si rrjedhojë, edhe shkeljet janë të mëdha. Duke mos respektuar ligjin, donatorët, qoftë si persona fizikë apo juridikë, kanë dhënë shuma më të mëdha parash se sa që lejohet.

Drejtuesit e organizatave presin që organet e drejtësisë, në bazë të publikimeve dhe raporteve të auditimit, të marrin masa për shkelësit e ligjit.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Çfarë tenton të arrijë Thaçi me përuljen që bëri para lapidarit të serbëve në Grackë të Lipjanit?

    Kërkon të “blejë" paqe me Serbinë

    Të heqë akuzat që janë përfolur ndaj tij

    Të mohoj gjenocidin serbë në Kosovë

    Të duket i mirë para ndërkombëtarëve

    Shiko rezultatet
test