Lista e mbyllur shqetëson shoqërinë civile

Kosova

Lista e mbyllur shqetëson shoqërinë civile

Më: 21 tetor 2012 Në ora: 22:30

Derisa ende nuk dihet nëse Kosova do t’iu nënshtrohet zgjedhjeve të reja brenda një afati të shkurtër kohor (vitin e ardhshëm), kurse reforma zgjedhore ka mbetur në qorrsokak, idetë për rikthimin e listave të mbyllura vetëm sa përforcohen.
Ndonëse partitë nuk e pranojnë hapur se janë pro listave të mbyllura, ato janë kontroverse rreth kësaj ideje.

Partia që ka pushtetin, PDK-ja, edhe pse zotohet se është për lista të hapura, thotë se do të përkrahin idenë e shumicës politike në vend.

As LDK-ja nuk deklarohet hapur nëse është për t’u rikthyer listat e mbyllura. Por, nuk është se edhe e kundërshton një ide të tillë.

Haki Demolli (LDK), i cili deri vonë ka udhëhequr Komisionin për reformën zgjedhore, thotë se ndryshimi i nenit për listat zgjedhore kërkon domosdoshmërisht konsensusin e të gjitha partive politike.

Sipas tij, LDK-ja ka ofruar dy alternativa sa i përket reformës zgjedhore.

Në anën tjetër, ideja për rikthimin në lista të mbyllura zgjedhore ka filluar të shqetësojë shoqërinë civile. Ismet Kryeziu, nga KDI-ja, thotë se mbyllja e listave është degradim për demokracinë. Ai shton se listat e mbyllura në të ardhmen do t’i sjellin shtetit legjislaturë servile.

Njëjtë mendon edhe Leon Malazogu, nga Instituti Demokraci për Zhvillim. Ai thotë se partitë nuk tregojnë hapur që janë pro listave të mbyllura, por që në fakt fshehurazi po punojnë për një gjë të tillë.

Kosova deri tash ka mbajtur vetëm dy palë zgjedhje (lokale dhe qendrore) me lista të hapura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat