​Vërshime të mëdha në Drenicë, rrëfehen banorët

Kosova

​Vërshime të mëdha në Drenicë, rrëfehen banorët

Më: 20 janar 2023 Në ora: 15:45
Drenicë

Përmbytje të mëdha nga reshjet e shiut pati edhe në Klinë të ulët. Vërshimet shkaktuan dëme të konsiderueshme në ekonomitë familjare edhe në këtë fshat të Skënderajt.

Këso lloj vërshimesh nuk po i mbajnë mend as të moshuarit e kësaj ane të kenë ndodhur ndonjë herë. Sadri Hajdini ka thënë se ishin në rrezik për jetë nga niveli i madh i ujit që ua pushtoi shtëpinë e tyre të enjten.

Ai ka treguar se ekonomia e tyre familjare ka pësuar dëme të mëdha. Përveç dëmeve në pajsjet shtëpiake, familja Hajdini pësoi edhe në mjetet bujqësore.

“Dëmet janë të mëdha, tash i mbushi 80 vjet por kështu vërshime s’kemi përbetuar asnjë herë. Shumë shpejt erdhi uji, dëmet janë të mëdha. Kati i parë i shtëpisë i tëri në ujë ka qenë. Dëmet janë të mëdha, të gjitha pajisjet shtëpiake kanë qenë të mbuluara. Mbrëmë ka qenë një komision… Megjithatë edhe ne si banorë kemi qenë rrezik, u frikuam pasi që në çdo moment u rritke niveli i ujit. Kati i parë i shtëpisë dhe oborri kanë qenë nën ujë”, theksoi Hajdini.

Ndërsa, Halim Haziraj 82 vjeçar tha se nuk e mban në mend të ketë pasur vërshime më të mëdha së dje në Skënderaj.

“82 vjet i kam, këto vërshime sikur dje nuk i mbaj mend. Vërshime ka pasur, veç kështu si dje unë nuk e mbaj mend… 30 orë ka rënë shi pa ndërprerë… Komuna ende nuk ka dal me vlerësime, ka premtuar se do të dalë”, theksoi Haziraj.

Dëme materiale dhe bujqësore pësuan edhe familja e Fazli Hajdini dhe Selim Sylejmanit në Klinë të Ulët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat