Bujku nga Prishtina padit Ministrinë e Bujqësisë që e futi në listën e zezë të subvencioneve

Kosova

Bujku nga Prishtina padit Ministrinë e Bujqësisë që e futi në listën e zezë të subvencioneve

Më: 25 shkurt 2023 Në ora: 19:27
Foto ilustrim

Synim kishte rritjen e numrit të bagëtive e zgjerimin e fermës më anë të grandeve e subvencioneve që ofron shteti.

Por, bujku Berat Krasniqi nga Grashtica nuk do të mund ta bëjë këtë pasi është sanksionuar nga Ministria e Bujqësisë.

Dënimin që së fundi Krasniqi e mori, ka të bëjë me një tokë në Bërrnicë të Poshtme që ky e mori me qira ta punojë për sigurim të ushqimit për kafshët.

Krasniqi u pajtua me raportin që ia bënë komisionarët, por që nuk dakordohet që për një gabim të tillë të futet në listën e zezë të këtij dikasteri.

“Jam dënuar për 3 vjet dhe nuk kam të drejtë më të aplikoj për subvencione si shkak i këtij gabimi”, tha Krasniqi për “Ju Flet Prishtina”.

Pas gjithë kësaj, ky iu drejtua Komunës së Prishtinës dhe këta i siguruan një dokument që dëshmon se e gjitha kjo procedurë ishte një gabim teknik, por që thotë që nuk i hyri asgjë në punë.

E ndaj kësaj padrejtësie që Krasniqi mendon që iu bë, gjatë javës iu drejtua edhe Gjykatës Themelore në Prishtinë ku bëri padi ndaj Ministrisë së Bujqësisë.

“Ju flet Prishtina” tentoi të kontaktojë edhe me dikasterin e drejtuar nga ministri Faton Peci, por që nuk u dha asnjë përgjigje.

Përkundër gjithë kësaj sfide që i ndodhi, bujku nga Grashtica thotë se nuk ia zbehën vullnetin për t’u marrë me këtë kulturë bujqësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat