​Përurohet shtatorja e heroit Fahri Fazliu në Obiliq, theksohet kontributi për lirinë

Kosova

​Përurohet shtatorja e heroit Fahri Fazliu në Obiliq, theksohet kontributi për lirinë

Më: 5 maj 2023 Në ora: 15:33
Heroi i kombit, Fahri Fazliu është kthyer në bronz sot në Komunën e Obiliqit

Heroi i kombit, Fahri Fazliu është kthyer në bronz sot në Komunën e Obiliqit. Në Ditën e Dëshmorëve të Kombit, u zbulua shtatorja e tij në këtë qytet, me ç’rast u theksua kontributi i heroit Fahri Fazliu për lirinë e Kosovës.

Kryetari i Obiliqit, Xhefer Gashi, tha se Fazliu ishte udhërrëfyes për shumë të rinj që t'i kapin armët për të arritur idealet kombëtare.

“Jeta dhe vepra e Fahriut dhe shumë dëshmorëve të tjerë që rënë për atdhe është dëshmi e gjallë e rrugës së gjatë dhe të mundimshme për liri dhe shtetndërtim. Krahas demonstratave për përgjakshme dhe organizimit të fuqishëm politik kundër regjimit të atëhershëm u deshtë të rreshtohemi edhe në frontin e luftës çlirimtare... Për Obiliqin veprimtaria e Fahriut nuk është e panjohur, pasi Fahriu, bashkë me shumë veprimtarë shtrinë angazhimin e tyre patriotik edhe në Obiliq. Sot është një ditë e madhe për Kosovën dhe kombin shqiptar, heroi ynë Fahri Fazliu po rikthyet në bronz prapë në mesin tonë”, tha ai.

Ndërkaq në emër të familjes Jashari, Bekim Jashari, tha se Fahri Fazliu bashkë me veprimtarë nuk u ndalën asnjëherë duke i shërbyer kauzës për liri.

“Me këtë shtatore të vendosur në qendër të qytetit të Obiliqit nderohet jeta dhe vepra madhështore e veprimtarit dhe luftëtarit Fahri Fazliu. Ai që nga protestat e vitit 1981 e deri në rënien e tij heroike bashkë me heroin Afrim Zhitia asnjëherë nuk u ndalën duke i shërbyer kauzës sonë për liri”, theksoi Jashari.

Në mesin e shumë të pranishmëve ishte edhe kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, i cili tha se përurimi i shtatores së heroit Fahri Fazliu nderon historinë e kombit shqiptar.

“Këtu filluan aksionet e para dhe marrja e drejtimit të themelimit të njësiteve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj ju sot po nderoni një histori të pashlyeshme të shqiptarëve me ngritjen e kësaj shtatore. Lavdi të gjithë të rënëve për liri, rrofshin dhe u dëgjofshin të gjithë ata atdhetar që nuk e harrojnë të kaluarën. Pasi ata që kujtojnë të kaluarën, pasi dinë të ndërtojnë edhe të ardhmen”, deklaroi ai.

Krahas këtyre, përmes një telegrami urimi, përurimin e kësaj shtatore e mirëpriti edhe kryeministri Albin Kurti.

Fahri Fazliu i takon plejadës së luftëtarëve që luftën e bënë me pendë e pushkë. Ai ka rënë në luftë të pabarabartë më 2 nëntor 1989 në lagjen “Bregu i Diellit“ në Prishtinë. Aty, së bashku me Afrim Zhitinë kanë qëndruar heroikisht duke sinjalizuar se liria pa gjak nuk vjen. Ata kanë rënë si trimat duke kënduar. Heroi Fahri Fazliu është lindur më 24 shkurt të vitit 1963, në fshatin Llaushë të Podujevës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat