​Ministri Peci: Bujku paguan vetëm 0.66 cent për 1 litër naftë

Kosova

​Ministri Peci: Bujku paguan vetëm 0.66 cent për 1 litër naftë

Më: 6 maj 2023 Në ora: 16:00
Faton Peci

Një bujk që ushtron aktivitetin e tij në mënyrë të rregullt, i regjistruar si subjekt formal, paguan vetëm 0.66 cent për 1 litër naftë, pasi përfiton 0.36 cent subvencionim në vlerë të akcizës dhe mund të përfitojë nga rimbursimi i TVSH-së.

Kështu ka thënë ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci gjatë një vizite që i bëri fermerit Gani Dobratiqit nga fshati Besi i komunës së Prishtinës, i cili është kultivues i 17 hektarëve me grurë dhe 7 hektarëve me misër e njëherit mbarështon edhe 10 lopë nga të cilat merr në baza ditore 200 litra qumësht.

Ai gjithashtu mbarështon edhe një numër të konsiderueshëm të viçave për majmëri.

Ministri Peci tha se me mbështetjen e mundësuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për fermerët vendor, Kosova po shënon rekordin e të mbjellave këtë vit që nga paslufta.

“Sot, me çmimin aktual të naftës, një bujk që ushtron aktivitetin e tij në menyrë të rregullt, i regjistruar si subjekt formal, paguan vetëm 0.66 cent për 1 litër naftë, pasi përfiton 0.36 cent subvencionim në vlerë të akcizës dhe mund të përfitojë nga rimbursimi i TVSH-së”.

Ministri i BPZhR-së, Faton Peci ritheksoi se të gjithë bujqit do të jenë përfitues në fondin rekordi i çmimeve të favorshme, pasi Qeveria përveç se ka rritur përkrahjen financiare, gjithashtu ka instaluar meritokracinë, gjë e cila ka bërë që bujqve tanë t'iu ulen shpenzimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat